Haxholli: Matoshi ka nënshtetësi gjermane, Serbia duhet të informojë autoritetet atje për arrestimin e tij

Aktuale

Haxholli: Matoshi ka nënshtetësi gjermane, Serbia duhet të informojë autoritetet atje për arrestimin e tij

Më: 16 gusht 2018 Në ora: 20:46
Ibrahim Matoshi

Ibrahim Matoshi, që u arrestua para tre ditësh në Serbi dhe po mbahet në burg nën akuzat për terrorizëm, ka shtetësi gjermane dhe ka hequr dorë nga shtetësia e Kosovës qysh në vitin 2015. Kjo e bënë të pamundur për Kosovën që si shtet të ketë juridiksion mbi rastin e arrestimit të tij.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ). Fatmir Haxholli nga MPJ ka treguar se janë në kontakt me zyrën ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd  dhe po përcjellin me shqetësim rrjedhën e ndalimit të Ibrahim Matoshit, që me profesion është dentist dhe jeton në Gjermani.

Matoshi po akuzohet se ka vrarë dy serbë gjatë vitit 1999 në Kosovë.

 “Fillimisht, duhet të ritheksojmë se publiku i gjerë në Kosovë është i informuar që dentisti Ibrahim Matoshi, me punë në Gjermani, është shtetas i çmuar i Republikës Federale të Gjermanisë. Ky fakt, nga këndvështrimi i pastër institucional, e bënë të papërshtatshëm mbulimin juridik të rastit, nga ana e shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ne kemi prezencë aktive diplomatike në Serbi, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd.  Sidoqoftë, nisur nga fakti që Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet tjera relevante, ishin dhe mbesin pikat të rëndësishme të kontaktit dhe komunikimit për familjarët e shqetësuar të Ibrahim Matoshit, që jetojnë në Kosovë, ku ai ishte nisur për vizitë, rrethanat ku deri me 2015 Matoshi ishte shtetas i Republikës së Kosovës, kur edhe hoqi dorë nga shtetësia, si dhe lidhjet e tij të forta me vendlindje, e bënë të domos doshëm angazhimin tonë institucional, si dhe legjitimon shqetësimin e gjithmbarshëm të secilit prej nesh”, ka thënë Haxholli për KosovaPress.

Ai po ashtu tha se praktikat ndërkombëtare e detyrojnë Serbinë që të informojë shtetin përkatës të personit që ka ndaluar, për ndalimin e tij.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, kanë përcjellë me shqetësim rrjedhën e ndalimit të Ibrahim Matoshit, por gjithmonë duke ditur dhe duke respektuar faktin që praktikat ndërkombëtare i detyrojnë autoritetet në Serbi, që të informojnë institucionet e Republikës Federale të Gjermanisë, për ndalimin dhe për mënyrën e trajtimit të një shtetasi të tyre në Serbi. Shpresojmë që institucionet e Serbisë, të mos jenë aq skandaloze, sa të injorojnë faktin e informimit të autoriteteve gjermane, dhe besojmë që avokati i angazhuar i dentistit Ibrahim Matoshi, mund ta dijë se a janë shkelur praktikat ndërkombëtare, me rastin e ndalimit, arrestimit dhe mbajtjes së Matoshit, nga ana e autoriteteve serbe”, ka thënë ai.

Haxholli po ashtu tha për KosovaPress se MPJ “refuzon kategorikisht ta marrë si të mirëqene, ta trajtojë, konfirmojë, apo riciklojë, cilindo pretendim, për cilindo rast, për cilëndo periudhe, të qytetarëve të Kosovës, qofshin shtetas të Republikës së Kosovës, qofshin diasporë të pajisur me nënshtetësi të vendeve tjera”.

“Ky është një qëndrim i ditur ligjor e institucional, sepse juridiksioni i Serbisë mbi Republikën e Kosovës, ka qenë i ndërtuar mbi okupimin klasik të Kosovës nga ana e Serbisë, dhe gjithmonë trajtohet si i tillë edhe për vitet e 90-ta.

 Prandaj ne vlerësojmë se të gjitha zhvillimet që lidhen me ndalimet, arrestimet, keqtrajtimet, përfshirë edhe rastin e Ibrahim Matoshit, nga ana e Serbisë, janë të projektuara të nxisin dhe instalojnë frikë te qytetarët e Republikës së Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi, dhe në veçanti te diaspora. Për më shumë, Serbia përmes kësaj sjellje skandaloze, po provon të demonstrojë dhunë dhe trysni kundër të drejtave themelore të njeriut, po provon të ushtrojnë trysni mbi Republikën e Kosovës, edhe pse ajo është pajtuar se do t’i respektojë me marrëveshjet dhe me ndërmjetësimin e Brukselit. Në rast se kjo sjellje e Beogradit nuk korrigjohet sa më shpejtë nga Brukseli, Ministria e Punëve të Jashtme do të ndërmarrë veprime specifike dhe të targetuara”, ka thënë Haxholli.

Beogradi zyrtar në vazhdimësi ka përndjekur qytetarë të Kosovës me fletëarreste ndërkombëtare, duke e ditur se Kosova nuk është anëtare e Interpol dhe për pasojë nuk mund të kundërpërgjigjet në kohë reale ndaj rasteve të tilla, përveç se përmes procedurave që kërkojnë ndërmjetësimin e zyrës ndërlidhëse të Interpoli-t në UNMIK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat