Shumë beteja e kanë vulën e aktivitetit të Skender Çekut

Aktuale

Shumë beteja e kanë vulën e aktivitetit të Skender Çekut

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 18:51
Skender Çeku

Në teatrin "Istref Begolli" në Pejë, sot u përkujtua gjeneral majori Skender Çeku, në 20 vjetorin e rënies.

Në këtë akademi përkujtimore ishte i pranishëm zëvendësministri Ali Berisha, i cili foli në emër të Qeverisë së Kosovës.

Ai tha se Skender Çeku dha kontribut në logjistikë, si luftëtar, si dhe i trajnoi ushtarët e rinj, duke shtuar po të rinjtë e kishin motivim përkushtimin e Çekut.

Berisha: Shumë beteja e kanë vulën e aktivitetit të Skender Çekut

"Herët u aktivizua në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kontributi i tij në stadet e para, dihej që po përgatitej lufta, dhe në stadet e para të asaj përgatitjeje nevojitej logjistika, nevojitej armatimi, dhe këtë me përkushtim të madh e bëri gjeneral Skender Çeku. Në kohën e betejave të mëdha në Kosovë, u kyç drejtpërdrejtë në luftë, dhe shumë beteja e kanë vulën e aktivitetit të Skender Çekut", ka thënë Berisha.

Kurse nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, tregoi se kishin qenë bashkëluftëtarë, dhe Çekun e vlerësoi si trim të përkushtuar.

Haliti: Të flasësh për veprat e Çekut ndoshta duhet bërë edhe film

"Të flasësh për veprat e tij, prap se prap don kohë, don përkushtim, dhe don për të shkruar dhe ndoshta për të bërë film për Skender Çekun", ka thënë Haliti.

Nga familjarët e dëshmorit fjalën e mori Zekë Çeku, i cili nuk harroi as dëshmorët e tjerë të vendit.

Çeku: Lavdi Skendës dhe gjithë dëshmorëve të UÇK-së

"Ju falënderojmë të gjithëve në emër të familjes sonë Çeku, për bashkë dhimbjen dhe pjesëmarrjen në këtë përvjetor jubilar. Lavdi i qoftë Skendës, të gjithë dëshmorëve të UÇK-së dhe heronjve të Kosovës", ka thënë Çeku.

Akademia përkujtimore u përmbyll me "Monologun e Dëshmorit" të interpretuar nga aktori Basri Lushtaku, kurse organizimi i saj u bënë nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat