Flet Kryeprokurori i Speciales, tregon pse u bllokua aktakuza e veteranëve

Aktuale

Flet Kryeprokurori i Speciales, tregon pse u bllokua aktakuza e veteranëve

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 13:32
Në aktakuzë, Prokurori i dorëhequr ka përmendur shifrën e veteranëve mashtrues, mirëpo, s’ka shkruar asnjë emër të tyre.

Të hënën, në Prokurorinë Speciale do të mbahet një konferencë, për të sqaruar të gjitha dilemat që janë ngritur për aktakuzën e Prokurorit të dorëhequr Elez Blakaj, për veteranët mashtrues. Kryeprokurori i Speciales, Reshat Millaku e ka pranuar se njëra prej arsyeve pse s’ka shkuar aktakuza në Gjykatë është se nuk dihen kush janë përfituesit e paligjshëm. Ka vetëm shifra por jo emra konkret. Ka thënë se detajet tjera do t’i tregojnë nesër.

Prokurori i dorëhequr Elez Blakaj kishte shkruar në aktakuzën e nënshkruar, por jo të dërguar në Gjykatë, se janë 19 mijë e 60 veteranë mashtrues. Për këtë kishte thënë se buxheti i Kosovës dëmtohet më shumë se 38 milionë e 882 mijë e 400 euro në vit.

Mirëpo, askund në aktakuzë s’kishte përmendur se kush janë përfituesit e paligjshëm të statusit të veteranit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, ka konfirmuar se të hënën do të dalin me një konferencë për të sqaruar të gjitha detajet e hetimeve që janë zhvilluar ndaj veteranëve nga prokurori i dorëhequr Elez Blakaj.

Ka konfirmuar se njëra prej arsyeve pse s’ka shkuar në Gjykatë kjo aktakuzë është se aty nuk janë përfshirë emrat e përfituesve të paligjshëm të statusit të veteranëve.

“Kjo është njëra prej arsyeve pse s’ka shkuar në Gjykatë. Ka edhe arsye tjera që do t’i tregojmë nesër në një konferencë për media”, ka thënë Millaku të shtunën.

Prokurori i dorëhequr kishte intervistuar gjithë anëtarët e Komisionit Shtetëror për Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK’së. Të gjithëve u ka ngritur aktakuzë. Ata janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Në aktakuzë, Prokurori i dorëhequr ka përmendur shifrën e veteranëve mashtrues, mirëpo, s’ka shkruar asnjë emër të tyre.

Pas kësaj aktakuze pritet që e njëjta të zgjerohet dhe të merren Prokuroritë Themelore. Pritet të dalin para gjyqit edhe veteranët mashtrues, të cilët do të detyrohen t’i kthejnë të gjitha mjetet e vjedhura të Shtetit. Madje, nëse nuk kanë të holla, Shteti mund t’ua konfiskojë edhe pasuri për eurot e shtetit që kanë zhvatur.

Ndërkohë, Ligji parasheh procedurë ligjore, për gjithë veteranët mashtrues, për t’ua marrë statusin e veteranit, kushdo që prej tyre e ka marrë statusin e veteranit në mënyrë të kundërligjshme.

Burime të Express kanë treguar se Prokurori Blakaj ka dokumentet e një pjesë te veteranëve që kanë përfituar paligjshëm, duke qëndruar në vendet e BE’së dhe pa qenë kurrë pjesë e luftës.

Në anën tjetër, Agim Çeku ka thënëse ende s’e ka asnjë njoftim zyrtar lidhur me një aktakuzë të Prokurorisë Speciale ndaj Komisionit për Verifikimin e veteranëve të UÇK’së. Ka thënë se nuk ndihet fajtor derisa do të flasë më shumë vetëm nëse i zyrtarizohet akuza.

Edhe Shukri Buja është njëri prej të përfshirëve në aktakuzën e prokurorit të dorëhequr, Elez Blakaj. Ish-udhëheqësi i UÇK’së për Zonën e Nerodimës thotë se prokurori s’kishte njohur profesionale kur nisi hetimin e listave të veteranëve. Ka thënë se  Blakaj nuk dinte kontekstin politik të krijimi të UÇK’së. Shukri Buja thotë se është e lehtë kthimi i listës së veteranëve në numrin real. Kërkon vendim të merret një vendim politik për t’i hequr nga lista ‘veteranët’ e Ministrisë së Brendshme, të mbrojtjes, të FARK’ut, të shtabeve të lagjeve etj. Kërkon që për 19 mijë veteranët e tepërt të merren në përgjegjësi Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj e Isa Mustafa.

Njëri prej të përfshirëve në aktakuzën e Prokurorit Blakaj për fryrje të listave të veteranëve është edhe ish përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari. Por, Jashari ka mohuar të ketë bërë një gjë të tillë dhe gjithë fajin e hedh të komandantët e zonave përkatëse dhe vartësve të tyre. Ai ka thënë se nuk është marrë fare me verifikimin e veteranëve dhe se kjo ka qenë përgjegjësi e komandantëve të zonave. Deklaron se nëse diçka e tillë është e vërtetë, ai është i gatshëm të marrë përgjegjësi.

I akuzuari se ka bërë mashtrime me listat e veteranëve, Nuredin Lushtaku, ka zbardhur detaje se kush ka mundur ta kërcënojë prokurorin e dorëhequr, Elez Blakaj. Ka thënë se Blakajn kanë mundur ta kenë kërcënuar nënshkruesit e Brigadës “Hasan Prishtina” e themeluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat