Stomatologu Ibrahim Matoshi ende po mbahet në Serbi, familja kërkon ndihmë nga shteti

Aktuale

Stomatologu Ibrahim Matoshi ende po mbahet në Serbi, familja kërkon ndihmë nga shteti

Më: 19 gusht 2018 Në ora: 15:08
Ibrahim Matoshi

Policia e Serbisë, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, me datën 13 gusht ka arrestuar stomatologun Ibrahim Matoshi, me akuzën se ai ka kryer një krim në shtator të vitit 1999, në fshatin Verbicë e Kmetocit, të komunës së Gjilanit. Familjarët e Matoshit po kërkojnë nga krerët e shtetit që t’i ndihmojnë për lirimin e tij, pasi sipas tyre kjo akuzë është një rast i montuar ndaj një qytetari të Kosovës.

Vëllai i Ibrahim Matoshit, Musli Matoshi,  ka shkruar në Facebook duke i bërë thirrje Presidentit Hashim Thaçi, Kryeministrit Ramush Haradinaj, ministrit të Punëve të Jashtme Behxhet Pacolli, Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ministres së Integrimeve Europiane Dhurata Hoxha, Avokatit të Popullit Hilmi Jashari, përfaqësuesve të partive politike, Odës së Avokatëve, shoqërisë civile dhe mediave, që ta ndihmojnë për lirimin e vëllait të tij, pasi mbrotja e tij i tejkalon mundësitë familjare.

Ai ka kërkuar reagim dhe mbështetje institucionale, duke thënë se dy shtetet duhet të diskutojnë pasi kjo është një temë politike dhe të mbrohen edhe qytetarët e tjerë të cilët mund të bëhen pre e akuzave të tilla.

“Dua t’ua bëjë me dije se mbrojtja e Ibrahimit i tejkalon mundësitë tona familjare. Mbrojtja e Ibrahimit kërkon reagim dhe mbështetje institcionale dhe është shëndrruar në temë politike që duhet të diskutohet në mes të dy shteteve me qëllim që të mbrohen qytetarët e tjerë që mund të bëhen pre e fabrikimeve të tilla.  Ibrahimi dhe ne si familja sot kemi nevojë për ndihmen tuaj institucionale, politike profesionale. Duke i ndihmuar Ibrahimit ju i ndihmoni institucionet dhe qytetarët e Kosovës, që është përgjegjësi dhe obligim i juaji institucional”, ka shkruar Matoshi.

Po ashtu, thirrje për ndihmë ai ka bërë edhe nga përfaqësuesja e BE’së në Kosovë, Natalyia Apostolova, shefi i Misionit të BE’së Jan Braathu dhe përfaqësues të Quint’it në Kosovë.

“Meqënëse jeni përfaqësues të organizatave amë, të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si dhe jeni përfaqësues të shteteve respektive që i mbrojnë të drejtat e njeriut sipas parimeve të specifikuara në konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ju bëjmë thirrje që të na ndihmoni për lirimin sa më të shpjetë të Ibrahimit.

Duke e pasur parasysh faktin se organizatat dhe shtetet e juaja respektive janë të përfshira drejtëprdrejt ose tërthorazi në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve, si dhe ndërtimin e bashkëjetesës në mes të etnive të ndryshme në Kosovë dhe në rajon, ua bëjmë me dije se arrestimi i Ibrahimit është në kundërshtim me parimet e këtij procesi”, ka shkruar Matoshi.

Ai ka paralajmëruar se do të organizojë një protestë në Gjilan dhe Prishtinë, në përkhrahje dhe mbrotje të Ibrahimit, së bashku me aktivistë të të drejtave të njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat