Çfarë do të ndodhë me aktakuzën e Blakajt? Kryeprokurori në dilemë

Aktuale

Çfarë do të ndodhë me aktakuzën e Blakajt? Kryeprokurori në dilemë

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 11:34
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, nuk është i sigurt nëse lëndën e “veteranëve të rrejshëm” do t’ia japë dikujt nga vartësit e tij, pas dorëheqjes së Elez Blakajt. Për këtë ai ka thirrur një konferencë sot në orën 13:30. 

Vetëm pak orë para se të dalë në konferencë për media, Reshat Millaku, nuk e ka ndarë mendjen nëse lënda që ish-prokurori special Elez Blakaj e la në gjysmë para se të ikte për në SHBA t’i jepet për hetim dikujt tjetër. 

I kontaktuar , kryeprokurori i Prokurorisë Special, të hënën në mëngjes, nuk ka pranuar të tregojë se kush do të ngarkohet me rastin e “veteranëve të rrejshëm”. 

“Sot në 13:30 ju njoftoj”, ka thënë Millaku përmes telefonit. 

Tutje, ai ka lënë të kuptohet se ky rast edhe mund të mos i jepet dikujt tjetër për hetim. 

“Aty njoftoj nëse e jap ose nuk ia jap ndokujt”, tha kryeprokurori special 

Ndërkohë, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar për konferencën e thirrur për sot në orën 13:00, në të cilën është paraparë që për media të flasë kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku. 

“Ju njoftojmë se sot më 20 gusht 2018, ditë e hënë, me fillim nga ora 13:30, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, do të mbajë konferencë për media. Konferenca do të mbahet në objektin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, rruga Luan Haradinaj, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Prokurorisë së Shtetit.

Por, rasti i “veteranëve të rrejshëm” që tash e sa ditë ka mbetur pa prokuror që ta ndjekë, nga ish-prokurori special Elez Blakaj konsiderohet si i përfunduar dhe i konkretizuar me aktakuzë. 

Blakaj në letrën e tij të dorëheqjes nga Prokuroria e Shtetit, e cila rrodhi në publik javën e shkuar, njofton se aktakuzën për këtë rast e ka ngritur më 11 korrik të këtij viti dhe se e njëjta ndodhet në zyrën e kryeprokurorit Millaku. 

Të premten edhe kjo aktakuzë rrodhi në media. Media ka publikuar detaje nga aktakuza 64 faqe që është e nënshkruar nga tashmë ish-prokurori Blakaj, e në të cilën janë të akuzuar 12 persona.

Të akuzuar janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari.

Aktakuza e Blakajt pretendon për një zinxhir komandues që 12 të akuzuarit kishin ndërtuar që për përfitime të ndryshme kanë mashtruar me listat e veteranëve të luftës së UÇK-së, gjatë kohës së verifikimit të tyre. 

Sipas aktakuzës 19.060 “veteranët e rrejshëm” i kushtojnë 38 milionë e 882 mijë e 400 euro në vit buxhetit të shtetit. 

“Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, dhe Xhavit Jashari, dyshohet se si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë aktakuzë.

Aktakuza ka zbuluar edhe një brigadë të re të UÇK-së që askush deri në marsin e vitit 2016 nuk kishte dëgjuar. Fjala është për brigadën “Hasan Prishtina”. 

Për ta marrë rastin që Blakaj e lë në gjysmë, deri më tash ka treguar interesim prokurori special Sylë Hoxha. 

“Nëse më ofrohet sigurisht se nuk do ta refuzoj”, kishte thënë ish-kryeprokurori i Përzierit në një bisedë , të enjten e shkuar. 
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat