Prokurori Elez Blakaj nxitë shumë reagime në Kosovë

Aktuale

Prokurori Elez Blakaj nxitë shumë reagime në Kosovë

Më: 21 gusht 2018 Në ora: 10:50
Prokurori i dorëhequr i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj

Prokurori i dorëhequr i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, akuzoi kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vë në pah se është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Javën e kaluar, prokuroria e Shtetit tha se prokurori Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje, por pa dhënë hollësi rreth arsyeve të saj. Por, mediat e Kosovës njoftuan se dorëheqja lidhet me kërcënimet që i janë barë gjatë kryerjes së detyrës, posaçërisht me rastet e hetuara për terrorizëm dhe listën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të hënën në një shkrim në rrjetin social Facebook, zoti Blakaj tha se dorëheqja e tij është "protestë dhe mesazh" për shkak të politizimit të prokurorisë së shtetit.

Më poshtë po e sjellim të plotë shkrimin e zotit Blakaj ashtu siç është postuar në profilin e tij në facebook:

Të nderuar kolegë, miq dhe qytetarë, 

I shtyrë nga reagimet e shumta dhe ndikimin në publik nga dorëheqja ime, kam vendosur që përmes këtij adresimi të sqaroj për kolegët dhe opinionin e gjerë arsyet e dorëheqjës sime. 
Këto ditë kam parë e lexuar shkrime të ndryshme si dhe kam dëgjuar për interpretime te ndryshme lidhur me çështjen e dorëheqjes sime. Nuk jam përgjigjur, sepse ashtu siç e kam njoftuar në një letër të veçant për dorëheqjen time kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës z. Blerim Isufaj dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, z. Reshat Millaku, ku i kam theksuar se shkaktarët do të paraqiten, e konfirmoj se disa nga ata veç se janë paraqitur- lajmëruar, tashmë.
• Dorëheqja ime ka dy porosi: Protestë dhe Mesazh!

- Si protestë, në kuptim të shprehjes së pakënaqësisë dhe mospajtimit për një menaxhment skajshmerishtë të politizuar, ku rastet e profilit të lartë shumë vështirë lejohen të kalojnë, e madje edhe kur arrin të kalojnë, i tërë procesi shantazhohet me qëllim që në fazat e me vonshme ato raste të dështojnë, sepse janë aty argat i politikës ditore.
- Ndersa si mesazh, kjo vlen për kolegët, se me asnjë çmim nuk guxojmë t’i shesim parimet dhe dinjitetin tonë, para ngritjes në karrierë, apo për hater të shefave tonë, pagave që nuk i meritojmë, kërcënimeve të ndryshme, favoreve tjera me motive të ulta, etj. sepse me qasjen tonë prej servili jemi duke kontribuar në shkatërrimin e shtetit tonë dhe shpresës për të ndërtuar një shtet ligjor, përpjekje dhe sakrificë e shumë gjeneratave, me përkrahje edhe të miqve tonë (mos na lasht Zoti pa ta!), të cilët jemi duke i humbur çdo ditë e më shumë!

• A kam qënë i kërcënuar!
- Kur e kam pranuar punën si prokuror i shtetit të gjitha i kam llogaritur, e poashtu kam qenë i vetdijshëm se mund të jem i rrezikuar. Po, e them se kam qenë i kërcënuar me parë, e poashtu përfshirë edhe në rastin e “Veteranëve”, mirëpo të gjitha këto i kam injoruar, ani pse vetës dhe familjës ja kam bërë shumë më të vështirë jetën, e për këtë dua t’i kërkoj falje familjes sepse kanë vuajtur shumë, sidomos gjatë vitit të fundit. 
- Kam pranuar thirrje telefonike nga persona të njohur e të panjohur, më kanë kontaktuar personalisht edhe fizikisht , duke mi përcjell lloj lloj mesazhesh e duke u thirrur në luftën e shenjtë të UÇK-së “ se ki kujdes ku je hi”, “ki kujdes se po do mi njollos vlerat e luftës”, “ pse a po te dhimbën paret e shtetit ty, a mos po ti marrim ty”, “ le, bonja si tjerët” etj., mirëpo të gjitha këto i kam tejkaluar dhe kam vazhduar me punën time me një ekip të vogël bashkëpuntorësh me synimin final që ta kemi një hetim të mirëfilltë, të thellë, gjithpërshirës që duhej te kulmoj me një vendim të bazuar në fakte dhe ligj, në rastin konkret me aktakuzë, që nuk kuptoj arsyet pse ende nuk është dërguar në gjykatë. E për t’ua bërë të qartë se do vazhdoj të hetoj dhe nuk do të ndalem, pavarsisht tentimeve për frikësim, të gjithë antarët e Komisionit Verifikues Shteteror për njohje dhe verifikim te veteraneve, personalisht i kam intervistuar.
- A është dashur t’i lajmëroj këto raste, përgjigja është pooo...., por KU!!!

Në kulmin e këtyre hetimeve, gjatë intervistimeve, Kryeprokurori i Shtetit z. Aleksander Lumezi urgjentisht me fton në zyrën e tij dhe kërkon llogari pse e kam ftuar në intervistim z. Kadri Veselin (madje edhe si deshmitar) për rastin e “Veteranëve”, duke u arsyetuar “ SE ATA KANË IMUNITET NUK KA NEVOJË MI THIRR”, ani pse për këtë çështje ia kam bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese në interpretimin e saj “asnjëherë, askujt, në asnjë rrethanë apo cilësi nuk i ka dhënë imunitet kur bëhet fjalë për vepra penale”.... Poashtu, i njëjti e ka hapur edhe temën e rastit “Pronto”, i cili ka provuar të më frikësoj se nese nuk rishikohet aktakuza e dërguar në gjykatë, do të me dërgoj në komision disiplinor... ndersa unë iu kam përgjigjur “Lirisht të parin dërgom mua, se kam problem fare”. 
- Sinqerisht nga nga ai moment jam shokuar për nivelin e tij, e për me shumë edhe gjatë një takimi të përbashkët pas një jave, në zyrën e tij, përseri për rastin “Pronto” ku ishte i pranishëm edhe z.Reshat Millaku, znj. Drita Hajdari, z. Lulzim Sylejmani, i njëjti i nevrikosur kërkonte llogari, madje edhe duke uluritur pse kemi ngritur aktakuzë, e poashtu kërkonte të rikthehet apo rishikohet aktakuza e cila ishte dërguar në gjykatë!!! Në këtë takim i njëjti pa fije turpi na tregonte se si është takuar me disa nga njerëzit tani të akuzuar (siç ishte Besim Beqaj) dhe se rezultati i punës nuk i pëlqente duke urdhëruar njërin nga prokuroret e zyrës se tij – z. Lulzim Sylejmani TË MBANTE NJË SHENIM ZYRTAR, sepse disa nga NE nuk po pranonim ta rishikonim vendimin e marrë lidhur me aktakuzën e cila veç ishte derguar në gjykatë! 
- Nga ky moment e kam kuptuar plotësisht se kush ishte në të vërtetë Kryeprokuroi ynë z. Aleksander Lumezi. Pas këtij takimi jemi kthyer në PSRK, jemi marr vesh me Kryeprokurorin e PSRK-se z. Millaku “se për asnjë veprim tjetër për rastin e “Veteranëve” nuk do ta informojmë z. Lumezi, e madje edhe kur do ta ngrisim aktakuzën, PO NUK MË DOLI KËSHTU”, doli qe z. Lumezi ka qënë i njoftuar për veprimet dhe aktakuzën dhe se z. Reshat Millaku për më shumë se një muaj nuk me ktheu përgjigjie, duke e mbajtur aktakuzën të cilën e kisha nënshkruar ani pse të gjitha provat dhe shkresat janë gati për të shkuar në gjykatë dhe se ajo aktakuzë, në atë përmbajtje dhe me ata të akuzuar, nuk po shkonte dhe se dyshoj edhe tani se do të shkoj në gjykatë, pavarësisht se Kryeprokurori Millaku po arsyetohet edhe tani në disa detaje teknike dhe precizim të dispozitivit te aktakuzës, po thjeshtë dëshmo vullnetin e vendosi edhe ato detaje teknike pra, dhe le të dërgohet Aktakuza në gjykatë! Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pas respekt, por thjeshtë dua t’ja bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishen, përkundër insistimit të tij!
- Opinioni duhet ta dij se ky rast ka nxjerrë në pah realitetin se çfarë niveli, integriteti dhe morali kemi, me çfarë lehtësije abuzojme dhe e vjedhim shtëpinë tonë dhe se me sjellje të tilla vazhdimishtë jemi duke e fyer, sakrificën dhe mundin e shumë gjeneratave, në veçanti të atyre që kanë luftuar dhe rënë për këtë vëndë. Andaj, unë vlerësoj se NE duhet të kemi frikë vetëm nga një faktë, E AI ËSHTË TURPI, e unë, për asnjë moment nuk pranoj të jem prokuror i shtetit dhe të turpërohem, sepse ky është kërcënuesi më i madh!!! 
- Njoftoj opinionin publik se edhe përkundër vullnetit tim personal për t’i adresuar këto probleme brenda sistemit, e kam pasur të pamundur sikurse e ka të pamundur pothuajse secili prokuror dhe zyrtar në sistemin prokurorial të raportoj këto apo çdo shkelje tjetër, pasi që i njejti sistem tanimë është në duar të një numri të caktuar të prokurorëve të cilët thjeshtë nuk njohin ligj dhe procedura. Në një shtet normal, qytetarët do të pyesnin nëse Këshilli Porkurorial apo Shoqata e Prokurorëve ka ndërmarr ndonjë veprim lidhur me rastin tim që nga dorëheqja, besoj se përgjigjen tanime e dini të gjithë. Mjerim!

- Në fund dëshiroj ti falendëroj të gjithë koleget, bashkëpuntorët dhe hetuesit, të cilët nga fillimi i marrjes se përgjegjesisë sime si prokuror kanë besuar dhe me kanë përkrahur ne punën tonë të përbashkët, duke siguruar ata se, kudo që te jem, në cfardo pozite të jem do punoj për një sistem të drejtësisë me dinjitet, sepse SOT ky është amaneti që duhet të jetësohët.

Me respekt 
Elezi

 

Millaku: Blakaj nuk është as hero as frikacak

Kryeprokurori i Prokurorisë së posaçme, Reshat Millaku, tha të hënën se asnjëherë nuk ka pasur informacion që zoti Blakaj të jetë kërcënuar nga dikush, por "ka shkuar për të punuar në Amerikë”.

Në një takim me gazetarë bë Prishtinë, zoti Millaku tha se Blakaj ishte një prokuror i mirë, por nuk ka qenë “as hero, as frikacak”.

Ai u përqendrua tek aktakuza e përgatitur nga prokurori Blakaj për mbi 19 mijë veteranë të rrejshëm, duke e cilësuar atë si "të mangët" dhe si e tillë nuk mund të dorëzohet në gjykatë.

“E pashë një lëshim, jo me dëshirën e Elezit vet, sepse si pjesëmarrës përmend vetëm 19 mijë e 600 persona, pa saktësuar se kush janë përfituesit. Kush është jurist e din se dispozitiva e aktakuzës duhet të jetë e qartë se kush janë përfituesit ashtu që edhe për një qytetar laik që nuk merret vesh në këto çështje të jetë e kuptueshme. Më vonë e shoh propozimin edhe te propozimi nuk pashë askund që është propozuar që gjykata të marr vendim të ua ndalojë pensionet këtyre personave”.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha Zërit të Amerikës se dorëheqja e prokurorit Blakaj është tregues për gjendjen e rëndë në sistemin prokurorial të Kosovës, për shkak të trysnive dhe ndikimeve të mëdha politike në punën e prokurorëve. Sipas tij përfshirja e 19 mijë e 600 personave në aktakuzë e pamundëson gjykimin në kohë të arsyeshme të këtij rasti.

“Strategjia e prokurorit Blakaj ka qenë që personat e komisionit për verifikim në një mënyrë të akuzohen dhe të njëjtin nëse do të provohej në gjykatë se janë fajtor atëherë i tërë procesi i verifikimit të veteranëve të luftës do të konsiderohej i kundërligjshëm, respektivisht do të duhej të stopohej pagesa ndaj tyre. Përderisa me qasjen që kryeprokurori Millaku po e potencon dhe t'i fus 19 mijë e 600 veteranë në këtë aktakuzë kjo do të pamundësonte që të kemi gjykim në një kohë të arsyeshme sepse do të ishte pothuajse e pamundshme që 19 e 600 persona përnjëherë të ftohen nga gjykata në një seancë gjyqësore”.

Dorëheqja e prokurorit, Elez Blakaj kishte nxitur reagime të shumta. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, e ka cilësuar si një ditë të trishtuar për sundimin e ligjit në Kosovë.

Të hënën kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në një postim ne facebook pohon se ka pasur keqpërdorime me listat e veteranëve, por kritikon ish prokurorin Blakaj.

"Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare. Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt. Sido që të jetë, ky është morali të cilin e zgjedh vetë individi, më të cilin i edukon edhe fëmijët e vet", thuhet mes tjerash në postimin e tij.

 

Image

 

Më poshtë po e sjellim të plotë shkrimin e Veselit në profilin e tij në facebook:

Që ka fryrje të listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka asnjë dilemë. Një shqetësim i tillë më është shprehur nga shumë bashkëluftëtarë, gjë që më ka bërë edhe mua të kërkoj deri në fund hetimin e këtij procesi.

Kam kërkuar qysh në fillim që për këtë drejtësia ta thotë fjalën e saj. Çdo pretendim për mashtrime në listat e veteranëve duhet të hetohet në mënyrë të plotë dhe të paanshme.

Me vjen keq për luftëtarët e UÇK-së, që dikush po tenton të njollosë kontributin dhe sakrificat e tyre. Por, edhe këtë betejë, të mbrojtjes së vlerave të luftës sonë, bashkëluftëtarë, do ta fitojmë, duke vendosur para drejtësisë, me emra dhe mbiemra, të gjithë ata që kanë hyrë në këto lista pa qenë luftëtarë të lirisë.

Në këtë betejë duhen njerëz të përkushtuar dhe të guximshëm në çdo institucion.

Elez Blakaj, një prokuror që shteti i Kosovës ia kishte dhënë besimin, nuk pati guximin që këtë gjë ta çojë deri në fund, për çka e ka pasur mbështetjen time të plotë - si njeri, si luftëtar dhe si lider institucional e politik.

Ai kishte menduar të bëhej prokuror hero pa e luftuar krimin, ashtu sikurse këta mashtrues që duan të bëhen veteranë pa pjesëmarrje në luftën çlirimtare.

Me deklarata nga SHBA-ja nuk luftohet krimi, për aq sa lufta nuk është fituar me deklarata pa marrë pjesë drejtpërdrejt. Sido që të jetë, ky është morali të cilin e zgjedh vetë individi, më të cilin i edukon edhe fëmijët e vet.

Ky proces do të shkojë deri në fund, për aq sa do të shkojë në fund edhe çdo pretendim që ka bërë ky prokuror. Listat do të hetohen. E vërteta do të dalë.

Shteti i Kosovës i kishte besuar z.Blakaj dhe profesionalizmit të tij. Me ikjen e tij, ai tregon se nuk e do shtetin e Kosovës.

Prokurorët që e duan shtetin e Kosovës, që jetojnë me shpirt në këtë vend, do ta përfundojnë këtë proces.

Ikja e Elez Blakajt nga detyra, nuk duhet të jetë aspak dekurajim për njerëzit e këtij vendi, sidomos për profesionistët e drejtësisë.

Siguroj qytetarët e Kosovës se mashtruesit e çdo lloji, as nuk do të mund ta njollosin emrin e lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtaren të Kosovës dhe as nuk do të mund ta dëmtojnë të ardhmen e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat