Krasniqi: BE nuk duhej të lejonte vizitën e Vuçiqit te Ujmani

Aktuale

Krasniqi: BE nuk duhej të lejonte vizitën e Vuçiqit te Ujmani

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 17:33
Jeta Krasniqi

Vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Kosovë dhe respektivisht te liqeni i Ujmanit në veriun e Mitrovicës, është provokim dhe nuk është dashur të lejohej nga Bashkimi Evropian (BE), pikërisht për faktin se presidenti serb kishte thënë hapur se do ta vendos çështjen e këtij liqeni në bisedimet me Kosovën në Bruksel.

Kështu vlerëson hulumtuesja Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila monitoron procesin e dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që po ndodh me lehtësimin e Brukselit zyrtar qysh prej vitit 2011.

“Vizita e Vuçiq në Ujman është provokim, sepse ai e ka thënë hapur që dëshiron ta vendos në tavolinë bisedimesh këtë liqen. BE është dashur që të mos lejojë këtë vizitë në këtë moment, duke e ditur ndjeshmërinë por edhe pretendimin e Serbisë”, ka thënë Krasniqi.

Tutje ajo tha se një e tillë vetëm sa tensionin situatën në këtë fazë “fragjile të bisedimeve”.

“Pala kosovare duhet të insistoj që BE dhe shtetet mbështetëse të procesit të dialogut të mos mbështesin teket dhe presionet e Serbisë por të kërkojnë nga Serbia që të luajë rol konstruktiv. Kosova duhet të dëshmojë maturi duke pasur kërkesa të qarta në këtë proces që nuk lejon negociata që dëmtojnë shtetin e Kosovës, integritetin e saj territorial apo dhe funksionimin e saj të brendshëm kushtetues. Por që nëpërmjet këtij procesi kërkon njohje nga Serbia dhe hapje të perspektivës së qartë evropiane. Prandaj dhe duhet të ndërtohet një qasje unike shtetërore dhe të lobohet vazhdimisht për ruajtjen e interesit shtetëror të Kosovës”, ka thënë ajo.

Hulumtuesja e KDI-së, ndër tjerash tha se Serbia duhet të heqë dorë nga viktimizimi dhe duhet se dialogu është e vetmja për të zgjidhur çështjet e mbetura në mes palëve, për të garantuar paqe dhe stabilitet rajonal dhe për ti ofruar qytetarëve perspektivë evropiane.

Prandaj liderët e Serbisë, sipas saj, duhet të heqin dorë nga kërcënimet dhe ushtrimi i presionit por duhet të respektojnë përgjegjësin që kanë dhe obligimet që kanë, përfshirë obligimet për krimet e luftës.

“Të mos harrojmë të kaluarën e luftës së fundit në Kosovë dhe përgjegjësinë e Serbisë për krime ku ndër njerëzimit të kryera në Kosovë. Nëse vërtet lidershipi i Serbisë pretendon që është riformuar dhe beson në ndërtimin e raporteve paqësore me fqinjët e saj, duke i respektuar ata, atëherë këtë qasje duhet ta dëshmoj edhe në këtë proces të dialogut pasi përfitojnë vet qytetarët e Serbisë nga ky proces”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat