Vuçiq nga Mitrovica: Është gënjeshtër, kurrë nuk do ta njohim Kosovën

Aktuale

Vuçiq nga Mitrovica: Është gënjeshtër, kurrë nuk do ta njohim Kosovën

Më: 9 shtator 2018 Në ora: 11:31
Vuçiq në Mitrovicë

(E plotësuar) - Dita e dytë në Kosovë nuk i shkoi edhe aq mirë presidentit të Serbisë. Aleksandër Vuçiq i dështoi vizita e tij në një fshat të Drenicës.

Ai kishte paraparë që të takohet me banorët serbë që jetojnë në Bajë të Skënderajt, por ky takim nuk u realizua.

Ishin banorët e zonës së Drenciës që bllokuan të gjitha rrugët që të çojnë për këtë fshat, kështu që Vuçiq u detyrua të kthehet nga ka ardhur.

Banorëve të Bajës iu drejtua nëpërmjet një lidhje telefonike duke u premtuar se herën tjetër kur do vijë ën Kosovë do t’i vizitojë edhe ata.

Një fjalim shumë të gjatë e mbajti në sheshin “Shumadia” në Mitrovicë aty ku gjendet edhe përmendorja e Car Llazarit.

Nga këtu Vuçiq u tha serbëve të Kosovës se duhet të pajtohen me shqiptarët pasi që tjetër rrugë nuk ka .

Kjo sipas tij për hir të së ardhmes dhe fëmijëve të tyre.

Ai premtoi se gjithnjë dhe në cdo rast do ta ndihmojë popullin serb dhe se nuk do të lejojë që të ketë më gjakderdhje në këto troje.

Duke marr si shembull të kaluarën e serbëve, Vuqiq tha se nuk do t’ia dijë ëpr Serbinë e madhe nën frikën e bombardimeve.

Vuqiq: Nuk dua t’ia di për Serbi të Madhe

Nuk dua ta di për atë Serbi të Madhe në të cilën shkohet me çizme dhe pushkë në dorë. E di atë që është e mundshme me libra, lapsa, llaptopa. Punë dhe dituri. Nuk dua t’ia di për ndjenjën nën frikën e bombave, dua ta ditë për atë që ndërton shkolla dhe fabrika. Siguri dhe qetësi. Këtë ua ofroj sot, kjo është oferta ime edhe për nesër”, ka thënë Vuçiq.

Ai u tregoi atyre edhe për bisedimet që është duke i bërë me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Vuqiq tha edhe pse nuk e do Thaçin i duhet të bisedojë me të sepse e bën për hatër të Serbisë.

Vuçiq: Edhe pse s’e dua Thaçin më duhet të flas me të për Serbinë

“Është njëfarë Hashim Thaçi atje dhe njëfarë Haradinaj dhe kush e di sa të tjerë, dhe Thaçi i cili është shqiptar, nuk është serb, nuk më do mua për nga natyra, nuk e dua as unë…Mirëpo unë mundem, duhet dhe dua për shkak të Serbisë, para Thaçit, Mogerinit, Merkelit, Macronit dhe Putinit, siç po e shihni, guxoj dhe mundem, që të luftoj dhe do të mundohem për Serbinë tonë”, tha presidenti serb.

Vuqiq premtoi investime milionëshe në veri por sipas tij duhet të mendohet edhe për serbët që jetojnë në jug.

Madje ai tha se nuk do thotë asnjë fjalë të keqe për shqiptarët qëe sipas presidentit të Serbisë e krijuan shtetin duke rrahur dhe kërcënuar serbët.

Vuçiq: Ne duhet ta ndryshojmë veten

“Nuk dua këtu t’i shaj shqiptarët, as ata të cilët më kërcënuan mua dhe popullin tonë në jug të Ibrit, nuk dua as ata të cilët duke I rrahur serbët krijuan shtetin, por dua të shoh si mundemi të krijojmë një të nesërme më të mirë për juve serbë në Kosovë. Parasë gjithash duhet ta ndryshojmë veten”, tha Vuçiq.

Duke folur gjerë e gjatë për të kaluarën, luftërat që i shkaktoi politika e Millosheviqit dhe të ardhmen e serbëve, Vuqiq tha se duhet pajtuar me shqiptarët sepse gjithqka tjetër i dërgon në katastrofë.

Vuqiq: Të provojmë pajtimin

"Ideja është ta ruajmë popullin tonë. Idea është ta ruajmë paqen dhe të provojmë, të paktën të provojmë, të ndërtojmë ura të besimit ndaj shqiptarëve, t’i përmbahemi marrëveshjes edhe atëherë kur e dimë se është e pamundur, sepse gjithçka tjetër na çon në ambis dhe katastrofë”, tha Vuçiq.

Vuqiq premtoi Serbinë një shtet të madh por jo sundimtar por me dije.

Vuqiq: Kam synim që ky shtet të bëhet i madh por me dije

 “Kam synim që ky shtet të bëhet I madh, jo për nga ajo se do ta sundoj Ballkanin apo botën, por nga ajo se do ta përvetësoj ardhmërinë, me punë, dije dhe kështu përvetësohet nga ardhmëria”, tha Vuçiq.

“Nga këtu nuk ka kthim prapa” ka thënë presidenti duke porositur se edhe në të mirë dhe në të keq shteti gjithnjë do të jetë pranë popullit.

Vuqiq ka ardhur dje në Kosovë ku ka bërë një vizitë tek liqeni  I Ujmanit, në Leshak dhe Leposaviq ndërsa pas tubimit në Mitrovicë ai është nisur për në Beograd.

***

Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por as nuk do të nxisë luftë e konflikt në Kosovë, ishin mesazhet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ua transmetoi.qytetarëve serbë të tubuar në Mitrovicën Veriore.

Fjalimin e tij, Vuçiq e mbajti në përmbyllje të vizitës dyditore në pjesën veriore të Kosovës. Aty, u prit nga një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, ndërkohë që qyteti ishte përplot me fotografi e pankarta që i dëshironin mirëseardhje Vuçiqit.

“Ju them se ata që e thonë se unë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës deri në fund të vitit, ju garantoj se kjo është gënjeshtër”, tha Vuçiq. Sipas tij, krejt për çka ai po angazhohet është një zgjidhje kompromisi dhe zgjidhje paqësore.

“Kur u thonë se dua ta ndryshoj kufirin, nuk po ua thonë të vërtetën”, tha Vuçiq, duke shtruar më pas pyetjet, sipas tij plotë dilema –“ku është kufiri sot?”.

“Në fakt, unë dua t’i ndryshoj të drejtat e juaja dhe t’ua mundësojë të gjitha drejtat që u takojnë në botën e qytetëruar”, nënvizoi ai.

Vuçiq tha se ka sjellë me vete plane konkrete për investime në dhjetë komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Se kur do të arrihet marrëveshja me shqiptarët, theksoi ai, kjo nuk mund të dihet. Por, nuk e përjashtoi mundësinë që diku pas një kohë, qoftë edhe pas 50 vjetësh, serbët dhe shqiptarët të jetojnë në fqinjësi dhe miqësi me njëri-tjetrin.

“Nuk është vizioni im për një Kosovë pa shqiptarë apo edhe më keq, një Kosovë pa serbë”, tha Vuçiq, duke tërhequr vërejtjen se vizioni i tij nuk mbështetet në mite, por në realitet.

Ai rikujtoi edhe fundvitet e 80-ta dhe vitet e 90-ta kur kishte nisur dhe më pas ishte shpartalluar ish-Federata Jugosllave dhe fjalimet e zjarrta të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

“Kënduam, kush po thotë e kush po rren, që Serbia është e vogël”, tha Vuçiq.

Kjo këngë dhe plotë mitingje, sipas tij, u mbajtën në Knin të Kroacisë, në Sarajevë apo edhe në Prishtinë. Por, sot, si në Knin, ashtu edhe në Sarajevë e Prishtinë, nga një numër i konsiderueshëm, jetojnë vetëm qindra apo mijëra serbë. Para 30 vjetësh, theksoi ai, në Kosovë kishte tri herë më shumë serbë, sesa që ka sot. Andaj, ai tha se angazhohet për paqe dhe në asnjë mënyrë për luftë.

Ndryshe, dita e dytë e vizitës së presidentit serb, ka nisur ditën e dytë të vizitës së tij në pjesën veriore të Kosovës, me një shëtitje në lagjen e quajtur “Lugina e Diellit”, që përfshinë një projekt të Qeverisë së Serbisë për ndërtimin e 300 shtëpive për kthimin dhe strehimin e rreth 1 mijë e 500 banorëve serbë të zhvendosur.

Ndërkohë, njëri prej lokaliteteve në agjendën e Vuçiqit, vizita në Banjë të komunës së Skenderajt nuk është realizuar pasi që një grup qytetarësh shqiptarë nga kjo komunë kanë bllokuar rrugën.

Shoqatat e dala nga ish-strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga kjo komunë, të mbështetura edhe nga politikanë lokalë atje, kanë ftuar qytetarët që të dalin në rrugë që nga orët e mëngjesit, për t’i pamundësuar Vuçiqit të shkojë në fshatin Banjë.

Duke iu përgjigjur kësaj ftese, qytetarët kanë bllokuar rrugën, duke vënë pengesa të ndryshme për të pamundësuar qarkullimin.

Thirrjeve për protestë u janë bashkuar asamblistë dhe përfaqësues politikë nga kjo komunë.

Edhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se Vuçiq nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e bëra nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha Jashari.

Nisur nga gjendja e krijuar në këtë komunë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vendosur që për shkaqe sigurie, kjo pjesë e agjendës së Vuçiqit të anulohet.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se siguria e “qytetarëve është mbi të gjitha”.

Në pamundësi që të vizitojë rajonin e Drenicës, përkatësisht fshatin Banjë të Skenderajt, Vuçiq u është drejtuar me anë të telefonit banorëve serbë, të cilët ishin tubuar në këtë fshat që ta presin atë.

Ai ka thënë se i vjen keq që nuk ka arritur t’i vizitojë, duke sqaruar se këtë nuk ia kanë lejuar autoritetet e Prishtinës.

“Nuk kam mundur të kaloj tutje dhe nuk dua që t’u rrezikoj juve dhe sigurinë tuaj, kështu që ju lus të gjithë juve serbëve të fshatit Banje që të mbaheni të fuqishëm. Shteti i juaj do të jetë më ju”, u ka thënë atyre Vuçiq, përmes telefonit.

Në vendin ku u mbajt protesta qëndruan edhe trupat e KFOR-it.

“Sa i përket situatës aktuale në Kosovë, KFOR po punon në koordinim me institucionet në Kosovë dhe Policinë e Kosovës, në mënyrë që t’i ofrojë siguri presidentit të Serbisë. Askush nuk po e kërcënon zotin Vuçiq dhe siguria e tij është e garantuar. Sa i përket protestave përgjatë rrugës së fshatit Banjë, KFOR është në komunikim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me qëllim që të largojë bllokadat dhe të mundësohet lëvizja e lirë. KFOR po punon që kjo gjë të bëhet në mënyrë paqësore, por është i gatshëm të ndërhyjë në përputhje me mandatin e tij, nëse kërkohet”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti serb qëndroi në Zubin Potok e Zveçan. Kurse një ndalesë të veçantë kishte te Liqeni i Ujmanit (Gazivodës).

Prej aty, Vuçiq bëri thirrje për një zgjidhje paqësore ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, por edhe kishte këmbëngulur që pasuritë dhe burimet ekonomike, si Ujmani (Gazivoda) dhe Trepça janë, sipas tij, pasuri e Serbisë.

Vuçiq tha se Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Andaj, sipas tij, është me rëndësi që të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

“Mendoj se në Gazivodë (Ujman) shihet më së miri pesha e problemit me të cilin ballafaqohemi”, tha Vuçiq.

Aleksandar Vuçiq, u ka thënë përfaqësuesve serbë të komunave veriore të Kosovës se nuk është i sigurt se do të mund të arrihet marrëveshje në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ai është shprehur i gatshëm që bisedimet dhe angazhimet për një zgjidhje të pranueshme të vazhdojnë.

Ndërkaq, gjatë një bashkëbisedimi me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, të zhvilluar në Zveçan, ai tha se me gjithë përpjekjet e mëdha, është gati e pamundur të arrihet një marrëveshje e pranueshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të dialogut të Brukselit, që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Vuçiq tha se problemi shqiptaro- serb është shumë kompleks dhe nuk mund të zgjidhet brenda natës.

Vuçiq tha se arritja e marrëveshjes ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është e vështirë jo vetëm për shkak të dallimeve ndërmjet palëve, por edhe për shkak të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare.

“A do të thërras për luftë, jo këtë nuk do ta bëj që familjet e juaja t’i shtyj drejt vdekjes”, tha presidenti serb.

***

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka mbajtur një fjalim para serbëve në Mitrovicë.

Ai i ka cilësuar si gënjeshtra deklarimet se shteti serb do ta njehë pavarësinë e Kosovës.

“Javëve të fundit dikush thotë se ne duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës, por mund t’ua them se kjo është një gënjeshtër e hapur, kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë presidenti serb.

Vuçiq është zotuar për kompromis, por ka theksuar se këtë nuk do ta bëjë në këmbim të të drejtave të serbëve në Kosovë.

Qytetarëve serbë u ka bërë thirrje që të luftojnë për të drejtat e tyre në Kosovë.

“Askush nuk do të na poshtërojë. Pastaj të më quajnë tradhëtar. Unë nuk punoj kundër vendim tim dhe nuk dua ta gënjej popullin tim”, deklaroi tutje Vuçiq.

***

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në fjalimin e tij që po mban në sheshin “Shumadia” në Mitrovicë ka kërkuar falje qytetarëve serbë siç ka thënë ai “Të Kosovës dhe Metohisë” që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim.

Sipas tij tjerët i kanë bllokuar rrugët ndërsa premtoi se herën tjetër do të shkojë në Banjë të Skënderajt.

Vuçiq u ndalua të shkojë në Banjë pasi që banorët të zonës së Drenicës bllokuan të gjitha rrugët që të çojnë në këtë fshat.

Edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka tërhequr lejen që MPJ i kishte dhënë atij për të shkuar në Banjë.

“U kërkoj falje serbëve të Kosovës që nuk kanë mundur të vijnë në këtë tubim, sepse disa njerëz të gjitha rrugët i bllokuan, dogjën goma, dru, gjuajtën nga armët, sigurisht që ta frikësojnë dikë, ata  që jetojnë në atdheun e tyre dhe askujt s’i kanë marr asgjë”, ka thënë Vuçiq.

***

Gjithçka është gati për mitingun që nga serbët konsiderohet historik që pas pak do të fillojë në sheshin “Shumadia” në Mitrovicë.

Në këtë miting pritet të flas presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq e që konsiderohet si më i rëndësishmi deri më tani.

Bina e vendosur në këtë shesh në veri të Mitrovicë është mbuluar me ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe fotografinë e presidentit Vuçiq.

Image

***

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pasi nuk arriti të shkojë në Banjë është kthyer në Mitrovicë.

Ai ka vendosur kurora lulesh në vendin ku u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq.

Bashkë me presidentin serb ka qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit, Melena Ivanoviq.

Pas pak minutash Vuçiq pritet ta mbajë fjalimin kryesor përgjatë gjithë vizitës së tij në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat