Vizita e Thaçit dhe dëshira shekullore e shqiptarëve të Preshevës

Aktuale

Vizita e Thaçit dhe dëshira shekullore e shqiptarëve të Preshevës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 10 shtator 2018 Në ora: 12:28
Hashim Thaçi

Analisti politik nga Lugina e Preshevës, Nehat Hyseni, thotë se, vizita e paralajmëruar e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Luginën e Preshevës, i shoqëruar nga përfaqësuesi i Unionit Evropian, Johanes Han, realisht paraqet zhvillim të logjikshëm të dinamikës së ngjarjeve aktuale, sidomos pas vizitës së homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq gjatë fundjavës, më 8 e 9 shtator në Republikën e Kosovës.

Ai pohon se, misioni i vizitës së Vuçiqit në Kosovë ishte dërgimi i mesazhit se Serbia është e gatshme që ta aneksoj veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që ka kontinuitet territorial me Serbinë, që përbën një territor prej 1002 km2, një pjesë e të cilët, pothuajse gjysma i është bashkuar Kosovës në vitin 1959.

Image
Nehat Hyseni

“Gjithashtu, dihet mirëfilli edhe fakti se gjatë vitit 1947, disa fshatra të Kosovës i janë bashkëngjitur Serbisë. Duhet theksuar se spektri politik i Kosovës, aktualisht është tejet konfuz dhe i përçarë rreth idesë së Thaçit “për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën”, që realisht paraqet dëshirën shekullore dhe vullnetin politik të shqiptarëve të kësaj ane prej 99,86%, të shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, “Për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi më Kosovën””, thotë Hyseni për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, Presidenti Thaçi, si përfaqësues legjitim i shtetit të Republikës së Kosovës, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, pra në tërë territorin e Luginës së Preshevës, që shtrihet në një sipërfaqe prej 1249 km2, do të mirëpritej me dashurinë, entuziazmin dhe respektin më të madh nga të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, pa dallime politike e partiake.

“Jemi të vetëdijshëm për faktin dhe realitetin e hidhur se veriun e Kosovës, por edhe enklavat serbe në jug të lumit Ibër, Republika e Kosovës nuk arriti që t’i  integroj edhe sot e kësaj dite, 19 pas çlirimit dhe dhjetë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Pretendimet serbe janë për ndarjen e Kosovës. Kurse, propozimi i Thaçit për bashkim të Luginës me Kosovën është përgjigje ndaj propozimit të Vuçiqit për “përkufizim etnik”, shkëmbim territoresh, apo ndarje të Kosovës. Realisht, kjo paraqet të njëjtën gjë, pa marrë parasysh retorikën politike”, thekson Hyseni.

Prandaj, ai nuk sheh ndonjë problem për vizitën e zotit Thaçi në Luginë të Preshevës.

“Natyrisht se nuk përjashtohen problemet eventuale, që Serbia mund t’i krijoj për konsum të brendshëm politik, meqë vizita e Thaçit do t’i përcaktonte simbolikisht vijat e “përkufizimit etnik” midis shqiptarëve dhe serbëve në Luginë të Preshevës, ku problem kryesor për Serbinë paraqet Korridori 10, që përfshinë Autostradën E-17 dhe Hekurudhën Beograd-Shkup, ashtu siç paraqet problem Liqeni i Ujmanit dhe Trepça për Republikën e Kosovës”, përfundon analisti politik Nehat Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat