“Ëndrrat e parealizueshme” e të akuzuarit për gjenocid

Aktuale

“Ëndrrat e parealizueshme” e të akuzuarit për gjenocid

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 16:56
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq

Deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në veri të Kosovës,në fundjavën e kaluar, përmes të cilave lartësoi figurën e ish-presidentit serb, Slobodan Milosheviq, janë kontroverse dhe në dëm të arritjes së paqes ndërmjet popujve, vlerësojnë drejtuesit dhe përfaqësuesit e institucioneve më të larta në Kosovë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se gjatë vizitës së Vuçiqit në Kosovë, nga ai janë dëgjuar deklarata për paqe, mirëkuptim, fqinjësi të mirë dhe për nevojën dhe domosdoshmërinë për marrëveshje me shqiptarët e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, sipas tij, janë dëgjuar edhe evokime për, siç e ka quajtur ai, “kasapin e Ballkanit, përgjegjësin e gjenocidit në Kosovë dhe Bosnjë, si dhe luftërave në Slloveni dhe Kroaci, Slobodan Milosheviq”.

“Vlerësoj se të dyja këto nuk shkojnë bashkë. Lartësimi i figurës së ‘xhelatit të Ballkanit’, Slobodan Milosheviqit dhe gjeneralëve të tij, por edhe ftesa për paqe, mirëkuptim, fqinjësi dhe marrëveshje, nuk shkojnë paralelisht njëra me tjetrën. Prandaj, vlerësoj që ishte një opinion dhe qëndrim i gabuar, jo i nevojshëm dhe aspak ndihmues për krijimin e një atmosfere më të mirë të dialogut dhe negociatave. Kur përmendet Slobodan Milosheviqi, përmendet e keqja më e madhe pas periudhës së nazizmit në Evropë, jo vetëm në raport me shqiptarët, por edhe me kombet tjera”, theksoi Thaçi.

Ai ka shtuar se deklaratat e tilla të Vuçiqit sulmojnë vlerat euroatlantike.

Presidenti Vuçiq, deklaratën për Milosheviqin e kishte bërë gjatë fjalimit të tij në Mitrovicë të Veriut, para disa mijëra qytetarëve, në tubimin e ditës së diel.

“Milosheviqi ishte lider i madh serb. Qëllimet, gjithsesi që i ka pasur më të mirat, por rezultatet i kemi pasur mjaft të këqija”, ka deklaruar Vuçiq.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar se presidenti serb Vuçiq, përmes deklaratave të tij, të cilat lartësojnë figurën e Milosheviqit, ka shkelur në përgjithësi parimet e angazhimeve për fqinjësi të mirë dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht obliguese. Sipas tyre, presidenti Vuçiq ka shkelur besimin e Bashkimit Evropian, por dhe lejen, e cila i është dhënë për vizitën në Kosovë.

Halil Matoshi, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në deklaratën e tij, presidenti serb Vuçiq, ka madhëruar Milosheviqin, i cili ka qenë lider serb i akuzuar për gjenocid dhe krime lufte dhe që, sipas tij, “praktikisht ka qenë ideator i fashizmit konsensual të Serbisë në vitet 90”.

“Është një populizëm, i cili, thënë më së buti, dëshmon që presidenti aktual i Serbisë, nuk është shkëputur ende nga mendësia e nënshtrimit dhe agresionit ndaj Kosovës. Ai, megjithëse ka tentuar që ta zbusë këtë retorikë, përmendja e tij, lëvdatat e tij për ish-liderin Milosheviq, objektivisht do të duhej të shërbente si alarm për Bashkimin Evropian dhe për gjithë botën demokratike, sepse, thjeshtë, është kundër frymës integruese në rajon dhe më gjerë”, ka thënë Matoshi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, përmes rrjetit social Facebook, ka thënë se vizita e Vuçiqit në Kosovë, shpërfaqi edhe mendësinë e politikës së sotme të Serbisë.

“Gjithsesi, vizita e tij konsideroj se u bë mirë që ndodhi, sepse edhe një herë u dëshmua se liderët e Serbisë po e vazhdojnë traditën e Slobodan Millosheviqit. Se ata nuk vijnë për të ndihmuar e mbrojtur serbët në Kosovë, por vijnë për ta promovuar vetën. Si gjithmonë me retorikë të vjetër dhe kundër të ardhmes paqësore”, ka thënë Veseli.

Ndaj deklaratave të Vuçiqit kanë reaguar edhe përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë.

Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shkruar në rrjetin social Faceboook, që deklarata e Vuiçiqit paralajmëron kohë jo të mira për Ballkanin Perëndimor.

“Vuçiqi në Kosovë e quajti Miloseviqin ‘lider të madh’, gjenocidin e Miloseviqit ‘luftë të ndershme’, dhe shprehi krenarinë e tij me Dobrica Qosiqin dhe ideologë të tjerë të politikave hegjemoniste serbe. Për më tepër, ai shprehu pretendime territoriale jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve të tjera në rajon. Fjalimi i tij sot paralajmëron kohëra jo të mira për Ballkanin Perëndimor; paralajmëron se Serbia vazhdon të preferojë jo stabilitetin e tragjeditë njerëzore. Të gjitha këto të paketuara në një fjalim që aty-këtu përmendte paqen e pajtimin”, ka thënë deputetja Osmani.

Lidhur me vizitën dhe deklaratat e Vuçiqit në Kosovë, ka reaguar, përmes rrjetit social Facebook, deputeti tjetër opozitar, Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate.

“Më 1989, lideri fuqiplotë i Serbisë, Millosheviqi pati zgjedhur Gazimestanin për t’u paraqitur si mbrojtësi i serbëve të Kosovës. Më 2018, lideri fuqiplotë i Serbisë, Vuçiqi zgjodhi Veriun e Kosovës për t’u paraqitur si mbrojtësi i serbëve të Kosovës”, ka shkruar Ymeri.

Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me fjalimin në Kosovë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq,.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka vlerësuar se “nuk duhet lejuar asnjë hapësirë për dykuptimësi ose lëvdatë” për ata që e kanë mbështetur politikën e Milosheviqit dhe aksionet e tij.

“Vendimet e gjykatave vendore dhe ndërkombëtare në këtë drejtim kanë qenë mjaft të qarta”, ka thënë Kocijançiq.

Ajo ka cituar fjalët e kryetarit të Komisionit evropian, Jean Claud Junker, i cili kohë më parë ka vlerësuar se “nacionalizmi kurrë nuk i ka zgjidhur problemet, por i ka krijuar ato”.

Zëdhënësja e Brukselit ka theksuar që të gjithë në Ballkanin perëndimor kanë perspektivë evropiane dhe nisur nga kjo, duhet t’i përmbahen principeve të Bashkimit Evropian, që nënkupton pajtimin dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet fqinjëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat