Avokatët nuk e dinë se a janë intervistuar dëshmitarët nga Gjykata Speciale

Aktuale

Avokatët nuk e dinë se a janë intervistuar dëshmitarët nga Gjykata Speciale

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 16:40
Gjykata Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar të Gjykatës Speciale ditë më parë konfirmoi se është në proces të intervistimit të dëshmitarëve për krimet e supozuara.

Sipas të njëjtës, në pyetje janë duke u marrë dëshmitarët dhe njëkohësisht duke u hetuar dëshmi të ndryshme rreth hulumtimeve që po zhvillohen për ngritjen e aktakuzave të para nga kjo prokurori.

Po ashtu, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte sqaruar se janë rreth 700 mijë faqe material për ngritje të aktakuzave, dokumente të cilat janë duke u hulumtuar.

Mirëpo, për fillimin e kësaj procedure nuk janë informuar avokatët mbrojtës të cilët janë akredituar nga kjo Gjykatë në proceset gjyqësore që do të zhvillohen në të ardhmen.

Avokati, Ali Beka, i cili njëkohësisht është edhe avokat i regjistruar nga Dhomat e Specializuara, thotë se për çështje të tillë nuk është i informuar.

“Nuk e kam këtë informacion. Përveq që janë akreditu dhe disa gjërave teknike, diçka informacione të tjera, ose me u kontaktu veçantë nuk ka”, ka thënë Beka.

E i informuar në lidhje me fillimin e intervistimit të dëshmitarëve nuk është i njoftuar as avokati tjetër, Arianit Koci, i cili po ashtu është në listën e avokatëve të akredituar.

Ai për lajmi.net ka thënë se nuk është në dijeni për një konfirmim të tillë nga Gjykata Speciale, teksa ka shtuar se avokatët nuk po kanë shumë informacione në lidhje me procesin.

“Ne jemi të bllokuar me informacione. Për momentin askush asgjë nuk di në lidhje me afate kohore të ngritjes së aktakuzave të para”, ka thënë Koci.

Kujtojmë se kryeprokurori i ri, Jack Smith, erdhi në krye të Gjykatës Speciale pas dorëheqjes së David Schwendiman për shkak të përfundimit të mandatit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat