Thaçi ndërron mendje: Ligji i miratuar për ushtrinë, duhet të procedohet në Kuvend

Aktuale

Thaçi ndërron mendje: Ligji i miratuar për ushtrinë, duhet të procedohet në Kuvend

Nga: D.RR Më: 13 shtator 2018 Në ora: 16:20
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka ndërruar mendje brenda pak orësh rreth projektligjit të hartuar nga qeveria e Kosovës për transformimin e FSK në FAK.

Ai më herët kritikoi qeverinë për këto projektligje, duke thënë se po ndodh në kohën të gabuar.

Mirëpo, tani Thaçi përmes një postimi në Facebook shkruan se Ligji i miratuar nga qeveria e Kosovës, duhet të procedohet në Kuvend, duke theksuar se vonesa e transformimit të FSK në FAK, ka ndodhur për shkak të interesave të ngushta personale dhe elektorale, madje edhe ideologjike, përcjell "Bota sot".

Postimi i plotë i Thaçit:

Për shkak të interesave të ngushta, ndonjëherë elektorale dhe ndonjëherë tjetër ideologjike, lidershipi në Kosovë e ka vonuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Unë vazhdimisht kam qenë konsistent në këtë pikë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Me iniciativën time si president, kemi ndërmarrë një fushatë vetëdijesimi, brenda dhe jashtë Kosovës, për të sensibilizuar miqtë tanë për rëndësinë e këtij procesi. Aleatët tanë e dinë që ky proces duhet të përmbyllet pa vonesa. Po ashtu, e kemi bërë të qartë që askush, asnjë faktorë i jashtëm, nuk mund të ketë veto në shtetndërtimin tonë. Dua t’ua largoj çdo dilemë: jam pro transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura të Kosovës. Ushtria e Kosovës nuk është kërcënim për rajonin. Përkundrazi, do të jetë në shërbim të ruajtjes së paqes, sigurisë shtetërore, rajonale dhe globale. Prandaj, në këtë pikë, institucionet e Kosovës flasin me një zë dhe kemi një qëndrim. Ligji i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të procedohet edhe në Kuvend dhe periudha deri në miratimin e tij duhet të shfrytëzohet nga të gjithë ne për t’i bindur skeptikët e mbetur të këtij procesi. Jam i bindur se në koordinim të plotë me SHBA-në dhe aleatët tanë në NATO do ta përmbyllim këtë proces të vonuar, por jetik për Kosovën. HTH.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat