Në Malaj ndodhi mrekullia

Aktuale

Në Malaj ndodhi mrekullia

Maxhun Smajli Nga Maxhun Smajli Më 14 shtator 2018 Në ora: 13:23
Kompleksi Memorial i dr. Rugovës

Ka muaj të tërë që ndodhesha në regjim mjeku, ku sëmundja po ma vështirëson jetën. Por, dëshira e madhe për të qenë pranë dr. Rugovës, në Malaj, bëri që ta mposhtja sëmundjen dhe të mos përfillë udhëzimet e mjekëve. Bashkë me gruan time Hatmanen, djalin Liridonin dhe veprimtarin Albanez Muriqin, u nisëm për Kosovë. Për të na dëshiruar rrugë të mbarë, në Passau, na doli para Maxhun Jefkaj, i cili me vete kishte 30 çanta, dhuratë për nxënësit në Kosovë. Ky humanist ka ndihmuar edhe aksionin për Kompleksin Memorial dr. Rugova, me 1000 euro.

Pas njëzet orësh udhëtimi arritëm në kryeqytetin e Dukagjinit, në Pejë. Albanezi, mori rrugën për tek nëna e tij, Begija, për të cilën kishte mall. Ndërsa, ne u nisëm për në veri-perëndim të Dukagjinit, për atje ku dielli fshehu kokën për 54 vitet e jetës sime, në Bjeshkët e Rugovës. I rrethuar nga lartësitë krenare të Bjeshkëve të Rugovës, për gjysmë ore udhëtimi arritëm tek Shtëpia mikpritëse “Shqiponja” në Drelaj. Shtëpi kjo, e njohur për turizëm familjar, si forma më e kërkuar nga të huajt. Me flokët e thinjura, si kurorë bukurie, që shprehnin pjekurinë, na mirëpriti Osman Shala, i cili duke u ndjerë i lumtur në tokën Ilire, nuk largohet as kur bëhet dimër i acartë. 

Dielli shndriste, ajri me një aromë të lehtë e të ëmbël ma përkëdhelte fytyrën. Sytë kënaqen duke parë ngjyrat e gjalla të gjelbërimit përreth. Në oborrin e Osman Shalës, qetësinë ma prishin turistë të shumët të ardhur nga anë të ndryshme të botës.

Të gjitha rrugët çonin në Malaj

Në mëngjesin e hershëm të 7 shtatorit, yjet e kombit tonë: Mark Krasniqi, Fehmi Agani, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa, Smajl Hajdari, e të tjerë, kishin nxjerrë kokat dhe ndriçonin rrugët gjarpërore që çonin në Malaj. Lumenjtë njerëzish ngjiteshin rrugëve të ngushta dhe të rrëpira për tek Kulla e ngritur buzë një bregore, 1350 metra lartësi. 

Image

Kur arrita në Malaj u shpërbleva me një panoramë të paharrueshme. Natyra shfaqej  me tërë gjallërinë, me të gjitha fuqitë që i ka  dhuruar qielli, ashtu veshur me të gjelbra, në të arta. Në sfond të Kullës  kodrat e mbuluara me barë dhe gjethe bimësh. Lugina që zbriste butë, e shtruar me qilim të gjelbër spikaste në sfondin e paanë të çukave krenare që shponin qiellin përqark nesh. 

Tek soditja Kompleksin memorial të dr. Rugovës, për të cilin bëri aq shumë mërgata shqiptare nëpër botë mu shfaq figura e prometeut. dr. Rugova, deshi ta ndriçonte mendjen dhe ndërgjegjen e shqiptarit, të vërtetën dhe arsyen, duke ngritur krye kundër Zeusit serb dhe sistemit shovenist që orvatej ta mbante shqiptarin të shtypur e ndërkombëtarët në errësirë dhe në padije për atë çfarë po ndodhte në atdheun e tij. 

Eci nëpër oborrin e shenjtërisë qiellore i bindur se, ky Kompleks memorial do të marshojë përpara duke përbuzë  çdo buzëqeshje ironike, çdo shpifje dhe insinuatë të turpshme dhe do të kalojë kohën me kryelartësi mbi kokat e pseudo intelektualëve dhe atyre që u munduan ta pengojnë.

Këtu në oborrin e shenjtërisë qiellore, në këtë pjesë të atdheut tim, në Malaj të Rugovës, po shoh bashkatdhetarët e mi që u përpoqën sinqerisht të realizojnë këtë vepër madhore. E, unë ndihem i lumtur që isha pjesë e kontributit për realizimin e këtij Kompleksi Memorial. 

Përulur pranë shtatores së dr. Rugovës në oborrin e Kullës së tij, i fola përulësisht dhe ndjeva praninë e tij. Posa doja të hyj në këtë tempull të miqësisë, bujarisë, urtisë dhe trimërisë, mendja më iku përpara, shkoi e u ndal tek oxhaku, pranë burrërisë dhe urtisë së Dr. Rugovës.

Image

Është ky dr. Rugova, të cilin e shoh pranë bashkëpunëtorëve të tij. Besnikëve të rrugës së çlirimit; Fetah Rudit, Aqif Shehut, Idriz Zeqirit, Dom Lush Gjergjit, Salih Jah Lajqit, Bekë Osmanit, Anton Çuninit, Gazmend Muhaxherit, Haki Rugovës, Blerim Regjbogajt etj.

Në Malaj ndodhi mrekullia

Nën patronatin e Komunës së Pejës u organizua ceremonia e përurimit të Kompleksit memorial të dr. Rugovës, në Malaj. Pas Intonimit të Himnit të shtetit të Kosovës, ndryshe nga ky që e kemi sot, të pranishmit u përshëndetën nga Kryetari i Këshillit Organizativ për ndërtimin e Kompleksit Memorial të dr. Rugovës, në Malaj, ztr. Salih Jahë Lajqi, i cili mes tjerash, tha: “Mirë se keni ardhur në Rugovën tonë kreshnike! Jemi krenarë, që më në fund, jeni në mesin tonë, President! Më lejoni që në emër të Këshillit drejtues dhe në emrin tim personal t'i falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që ata që kontribuuan, veçmas shoqatat “Salih Çekaj” në Zvicer, “Salih Çekaj” në Gjermani dhe “Rugova” në Nju Jork. Ju, të nderuar, arritët që Presidentin Historik, Dr. Rugovën, ta ktheni në vendin e të parëve të tij, Në Malaj”.

Pastaj, para të pranishmëve u paraqit, Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, i cili ka punuar me përkushtim për realizimin e Kompleksit memorial të dr. Rugovës.

“Të nderuar të pranishëm, sot, Peja, ka dy gëzime të mëdha; Në Malaj po vendoset shtatorja e Presidentit historik,  si dhe vendosja e gur themelit të projektit të madh “Borea”, për të cilin Presidenti historik gjithmonë dëshironte që në Pejën e tij, në Rugovën e tij, të ndërtoheshin projekte të mëdha që ndihmojnë zhvillimin”, tha mes tjerash, Gazmend Muhaxheri.

Prof. dr. Frashër Demaj, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Artëve të Kosovës, dha një pasqyrë biografike të dr. Rugovës, me titullin: “Ibrahim Rugova, intelektual, shkrimtar, politikan e Akademik”.

 “E kam titulluar kështu, ngase personaliteti i Presidentit tonë historik përmblidhte të gjitha këto atribute dhe kualitete që janë të rrallë njerëzit që i kanë të gjitha këto”, tha mes tjerash prof. dr. Demaj.

Image

Ajo që ngriti shpirtërat peshë të pranishmëve ishin fjalët e të madhit Don Lush Gjergjit. Ai, me oratorinë e tij, me fjalët e nxjerrë nga mushullia e zemrës, tha: “Vëllezër dhe motra, unë po jep një profil, si e kam përjetua gjatë 30-të viteve të bashkëpunimit miqësor dhe vëllazëror me këtë njeri që na dhuroi historia dhe madhëria e Zotit. E, ne sot, në këtë djep, që është djepi i shqiptarizmit; mikpritjes, trimërisë dhe burrërisë, natyra dhe Zoti e kanë krijuar një Përmendore të pathyeshme. Një Përmendore jetësore, të cilës i bashkangjitet edhe Presidenti ynë, dr. Rugova. Ai, për mua është histori dhe mrekulli. Sot, si dhe shumë ditë dhe shumë herë jam në shoqëri me mikun, vëllain dhe vizionarin tonë, Profetin dhe Arkitektin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Ndihem mirë së bashku  me të shpirtërisht dhe me bashkatdhetarët e tij. Me njerëzit, të cilët e patën për së afërmi dhe ia dhuruan Kosovës, shqiptarizëm dhe botës. Kërkonim shpeshherë shtigje dhe rrugë për popullin tonë të shkretë dhe të robëruar, të nëpërkëmbur dhe të poshtërsuar. Mirëpo, ai me vizionin e tij, me mendjen dhe zemrën e tij, kurrë nuk e humbi besimin  në Zotin dhe në popullin tonë shqiptarë. Presidenti ynë kishte një besim të madh dhe të pathyeshëm edhe në Shtetet be bashkuara, Evropën dhe në selinë e Shenjtë, sidomos në Papën Gjon Palin e Dytë. Dhe, nuk ishte mashtruar! Ai, përpos Zotit, besonte dhe kërkonte edhe ndërmjetësimin burimor të njerëzve të vullnetit dhe të zemrës së mirë. Më thoshte shpesh herë: “Dom Lush, nëse bota na njeh, vërtetë për atë çka kemi dhe jemi, bota do të jetë me ne”. Dhe, ndodhi mrekullia, bota e madhe ndërhyri në Kosovën e vogël, sepse ishte kauza e madhe, ishte çështja e madhe dhe ishte njeriu i madh. Avokati i cili na paraqiti denjësisht para botës. Ai, shpesh herë thoshte: “ Arma e jonë e fuqishme është lashtësia e jonë, është tradita, kultura, janë rrënjët tona dhe identiteti ynë, si dhe rinia e jonë”. Kjo mbetet një porosi historike dhe aktuale. Presidenti ynë, dr. Ibrahim Rugova, ishte është dhe do të mbetet protagonist, jo vetëm i popullit shqiptarë dhe i Kosovës, por i gjithë njerëzimit. Shumëkush e ka reduktuar duke e njohur si Gandi i Ballkanit, jo, ai është Gandi i njerëzimit, sepse dëshmoi dhe e tregoi fuqinë e një populli të vogël, por me vlera të mëdha. Prandaj, sot, ju keni bërë shumë mirë që e keni kthyer në rrënjët e tija dhe në rrënjët tona, sepse e mira, e drejta, e vërteta, mirësia dhe dashuria janë të pavdekshme. Unë, dëshiroj t'ju përgëzoj për këtë punë të madhe që keni bërë. Dhe, dua ta përfundoj fjalën time me një fjalë të madhe  që thoshte Shën Nëna e jonë Terezë: “ Jepe pjesën më të mirë të vetvetes”. Malaj, Rugova, Kosova, shqiptarizmi i ka dhënë pjesën më të bukur, dr. Rugovën”.

Image

Në emër të të gjithë atyre që kontribuuan dhe në emër të shoqatave; “Salih Çekaj” në Zvicërr, “Salih Çekaj” në Gjermani dhe “Rugova” në Nju Jork, të cilët bënë të mundur realizimin e Kompleksit Memorial të dr. Rugovës, në Malaj, të pranishmit i përshëndeti, Idriz Zeqiri, kryetar i LDK-s, Nëndega në Bayern, njëherësh Zëdhënës i LDK-s , dega në Gjermani.

“Të nderuar të pranishëm në këtë përurim fisnik, fillimisht ju përcjell përshëndetjet e dëlira të mërgatës shqiptare të kudo ndodhur dhe dashurinë e tyre të çiltër. Jemi sot, këtu në Malaj, në fshatin e origjinës së Ibrahim Rugovës për ta hijeshuar dhe përjetësuar në bronz, në shtatore. Është logjike, që për njerëzit e veçantë të bëhen edhe kujdese të veçanta. Pikërisht, bazuar në këto të veçantat, banorët e këtij fshati me rugovasit e tjerë, vendosën të bëjnë diçka të veçantë për Dr. Ibrahim Rugovën, krenarinë e Rugovës, Kosovës dhe të shqiptarisë mbarë. Pesë vite më parë dinjitetshëm e bujshëm Malajt vunë gur themelin e Parkut Memorial të Dr. Rugovës, ku ishte i pranishëm edhe  Plakut urtak të Kosovës, Akademik Mark Krasniqit, ndjesë pastë. Por, donatorët nuk i përmbushën premtimet e dhëna dhe vazhdimi i punimeve dështoi. Malajt e Rugovës, ngulmues për ta realizuar ëndrrën e tyre fisnike, formuan Këshillin Organizativ për ndërtimin e Parkut Memorial të Dr. Rugovës. I kryesuar nga kryetari Salih Jahë Lajqi, Kryeplaku i fshatit Malaj, Demë Ali Lajqi, dhuruesi i trollit, Cenë Lajqi, Fadil Lajqi, Mustafë Lajqi, Bashkim Lajqi, Salih Ramë Lajqi etj.. Kontaktet e para  i bënë me kryetarin e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Salih Çekaj” në Zvicër, Saim Tahirin, i cili konsultoi Kryesinë e shoqatës dhe Nëndegët e LDK-s në Zvicër. Përgjigja ishte miratuese. Aksioni i filluar në Maj, përfundoi me sukses brenda muajit, ku janë tubuar 71.000 franga dhe 2750 euro. Këtij aksioni i është bashkangjitur edhe  SHKSH “Salih Çekaj” në Gjermani, me kryetar, Osman Ferizin. Të dy kryetarët; Saimi dhe Osmani, bashkëluftëtarë të Salih Çekajt, si gjithmonë edhe kësaj radhe u rreshtuan së bashku për realizimin e aksionit financiar, ku nga 368 persona u grumbulluan 54.000 euro. Nën këshilli Organizativ i kryesuar nga treshja; Osman Ferizi, Albanez Muriqi dhe Idriz Zeqiri, zgjeruan rrjetin financues me Degën e LDK-s në Gjermani dhe në Amerikën e largët, ku shoqata “Rugova”, realizoi 21.000 dollar. Aksioni përfundoi me sukses, financimi i bollshëm realizoi me sukses. Nën këshillat e mërgatës shprehin respekt e mirënjohje për Kryetarin e Komunës së Pejës, ztr. Gazmend Muhaxherin, me të cilin kanë pasur bashkëpunim dhe mirëkuptim lidhur me Parkun memorial. Mirënjohje nga mërgata kanë edhe për angazhimin e madh të arkitektit të shkëlqyer, Blerim Bajraktarin, skulptorin, Gëzim Nikqin, ndërtuesin e Kullës, “Vëllezërit Demiri” nga Açareva e Ismet Rrahmanit të Drenicës, si dhe ndërtuesit e tjerë. Një mirënjohje kemi edhe për “Radio Fontana”, drejtorin e saj, Zeqir Mehmetin, i cili sensibilizoi aksionin, duke informuar përpikëri për mbarëvajtjen e aksionit. Një mirënjohje dhe falenderim i veçantë shkon edhe për redaksinë e “Bota sot”, të cilët edhe përmes gazetës dhe portalit prezantuan emër për emër kontribuuesit dhe vullnetmirët e këtij aksioni. Po ashtu, përshëndesim edhe Kryetarin e LDK-s për Rugovë, ztr. Blerim Rexhëbogajn, i cili ka një meritë të madhe në realizimin e këtij projekti madhor. Faleminderit edhe Këshillit Organizativ Qendror me kryesuesin Ztr. Salih Jahë Lajqi, si dhe anëtarët e tjerë të këtij Këshilli!”

Image

Në emër të familjes së Presidentit dr. Rugova, të pranishmit i përshëndeti, dr. Naser Rugova, i cili mes tjerash, tha: “ Në emër të familjes së Presidentit dr. Ibrahim Rugova, përshëndes dhe falenderoj të gjithë kontribuuesit e këtij projekti, që ia shtuan krenarinë dhe bukurinë këtyre Alpeve shqiptare, kësaj treve kreshnike. Falenderime të veçanta edhe për tri shoqatat; “Salih Çekaj” në Zvicërr, “Salih Çekaj” në Gjermani dhe “Rugova” në Nju Jork të SHBA-ve. Po ashtu, ju falenderojmë edhe ju të nderuar të pjesëmarrës, ku prania e juaj e begatoi këtë tubim përurues”.

Nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Pejës, ztr. Gazmend Muhaxherit, në shenjë falenderimi për gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij projekti madhor, u ndanë “Mirënjohje”. Me “Mirënjohje” u nderuan tri shoqatat “Salih Çekaj”, Zvicer, “Salih Çekaj”, Gjermani dhe “Rugova”, Nju Jork, si dhe Albanez Muriqi, Ismet Shala, Asllan Lajqi, Adem Shoshi, Maxhun Smajli, Bekë Osmani, Bujar Lajqi, Gëzim Muriqi dhe Feriz Lukaj.

Pastaj u dha një program i pasur artistik me këngë e valle nga Rifat Berisha, Shaban Demaj, Isë Elezaj dhe Ansambli “Rugova”. Ky eptizëm kaq madhështor, ashtu si shkëmbi lidhet me malin prej nga i dolën të parët e dr. Rugovës. Vend të veçantë kishte edhe lirizmi i theksuar e i hollë, si fishaj burimi të kristaltë, me pafundësi ndjenjash që flatrohet në ylberin e mijëra ngjyrave  derdhur zanash, ku pushon e qetohet rrezja e hënës mbretëreshë e qiellit, zë vend lëndinash e malesh, agimesh e perëndimesh. Pra, në Malaj ndodhi mrekullia

Dhe, krejt në fund, për rreth 300 të pranishëm u kthye një drekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat