Prekazi: Punëtorët e Ujmanit paguhen nga Kosova dhe Serbia

Aktuale

Prekazi: Punëtorët e Ujmanit paguhen nga Kosova dhe Serbia

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 08:14
Ujmani

Arbëror Prekazi, ish drejtor i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc, tashmë pensionist, ka folur për rëndësinë e liqenit të Ujmanit, në Zubin Potok.

Prekazi ka thënë se rëndësia e liqenit të Ujmanit është shumë e madhe pasi furnizon me ujë pjesën qendrore të Kosovës, nëpërmjet kanalit Pridvoricë-Obiliq.

Ai tregoi se Ujmani është akumuluesi më i madh në Kosovë, ku sipas tij kapaciteti maksimal është 375 milionë metra kub ujë, ndërsa kapaciteti i shfrytëzueshëm është diku rreth 350 milionë metra kub ujë.

Prekazi tha se sipërfaqja e gjithmbarshme e liqenit të Ujmanit është 11.9 km katror, ku  9.2 km katror i takojnë Kosovës dhe 2.7 km katror Serbisë.

“Rëndësia është shumë e madhe për Kosovën duke pas parasysh që uji nga akumulimi Ujman, nëpërmjet kanalit Pridvoricë- Obiliq, furnizon pjesën qendrore të Kosovës me ujë të papërpunuar. Ujmani është akumulimi më i madh në Kosovë. Kapaciteti maksimal është 375 milionë metra kub ujë, ndërsa kapaciteti i shfrytëzueshëm është diku rreth 350 milionë metra kub ujë”, tregoi Prekazi për Telegrafin.

I pyetur se a duhet të diskutohet pronësia e liqenit të Ujmanit në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, ai e kundërshtoi një gjë të tillë pasi Ujmani siç tha ai është aset shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Më e mirë është që fare mos të diskutohet. Ky është një aset me rëndësi, është aset i Kosovës. Dhe atje ku është ndërtuar penda, e të gjithë këto janë pronë e Ibër Lepencit, pronë e Kosovës, pronë e qeverisë sepse Ibër Lepenci është ndërmarrje publike, është pronë e qeverisë dhe për atë ekzistojnë dokumente që ajo pronë është e shpronësuar, pronë e sistemit të Ibër Lepencit”, ka thënë ndër të tjera Prekazi.

Ish drejtori i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc tregoi po ashtu edhe për rrezikshmërinë që do të kishte ky liqen, nëse nuk do të ishte pjesë e Kosovës.

Prekazi tha se pos rëndësisë të furnizimit me ujë, liqeni i Ujmanit furnizon termocentralin më të madh në Kosovë “Kosova B”, e cila furnizon tërë Kosovën me energji elektrike.

“Sistemi i Ibër Lepencit shtrihet në shtatë komunë Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Prishtinë, Obiliq, Fushë Kosovë dhe Drenas. Të gjitha këto komuna marrin ujë nga ky kanal. Do të rrezikoheshin të gjitha këto komuna që marrin ujë si për ujitje dhe ujë të pijshëm. Duke marrë parasysh që KEK-u, ‘Kosova B’, është termocentrali i vetëm në Kosovë i cili furnizon tërë Kosovën me energji elektrike, atëherë kjo do të thotë që e tërë Kosova do të ishte në rrezik. Dhe me atë do të vinte në pikëpyetje edhe furnizimi i ‘Kosova e Re’, apo si është quajt atëherë ‘Kosova C’”, potencoi.

Prekazi tregoi se sa punëtorë janë në liqenin e Ujmanit dhe si paguhen ata.

“Unë kam filluar punë në fund të vitit 2005, atëherë në Ujman i kam pasur 44 punëtorë, të gjithë kanë qenë të nacionalitetit serb. Ka pas dhe shqiptarë që kanë punuar aty, edhe në hidrocentral, pend, kanal por i kanë tërheq për shkak sigurie dhe shqiptarët i kanë vendosur nëpër vende tjera të punës në kuadër të Ibër Lepencit. Herën e fundit që kam nënshkruar për rrogat e punëtorëve, në qershor kanë qenë diku rreth 25 punëtorë të kombësisë serbe në Ujman… Këta paguhen nga shteti i Kosovës, por edhe nga ai i Serbisë”, tha mes tjerash ish drejtori i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc, Arbëror Prekazi.

Ai gjithashtu tha se në liqenin e Ujmanit është formuar edhe një strukturë paralele, të cilët punëtorë paguhen nga shteti i Serbisë.

“Janë diku rreth 20 punëtorë të cilët e kanë edhe udhëheqësin e tyre që paguhen prej EPS-it, (Electro Privada Serbia), nga Serbia”, shtoi Prekazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat