Këta janë zyrtarët e Shtetit me aktakuza, një pjesë të kohës e kalojnë nëpër gjykata

Aktuale

Këta janë zyrtarët e Shtetit me aktakuza, një pjesë të kohës e kalojnë nëpër gjykata

Më: 15 shtator 2018 Në ora: 16:10
Zyraret me aktakuza

Pothuajse të gjitha partitë politike në Kosovë të cilat aktualisht qeverisin me vendin, por edhe ato të cilat janë në opozitë, nën ombrellën e tyre vazhdojnë të mbajnë njerëz të cilët flenë me nga një aktakuzë nën jastëk.

Partia Demokratike e Kosovës e cila përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë pjesë e qeverisjes, herë si udhëheqëse e qeverisë e herë vetëm si pjesë e saj, aktualisht në përbërje të saj ka një ministër, një këshilltar të kryetarit të partisë,  dhe një deputet ndaj të cilëve janë ngritur aktakuza, duke mos e përfshirë këtu Adem Grabovcin, i cili ka dhënë dorëheqje nga posti i shefit të grupit të parlamentar të PDK-së, pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij për rastin e famshëm “PRONTO”.

Prokuroria Speciale e Kosovës me 6 prill të vitit 2018 ka ngritur aktakuzë edhe ndaj ministrit aktual Besim Beqaj, deputetit të kësaj partie, Zenun Pajazitit dhe këshilltarit të Kadri Veselit, Nijazi Kryeziut.

Sipas Prokurorisë Speciale, të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme

Dosti i Kryeprokurorit me aktakuzë

Besim Beqaj- aktualisht ushtron postin e ministrit për Inovacion dhe ndërmarrësi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Beqaj akuzohet për kryerje të veprës penale për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës, sipas nenit 193, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kjo akuzë Beqajt i është ngritur pas publikut të aferës “PRONTO” apo e njohur ndryshe si “Dosja e Shefave”.

Beqaj në këto bisedime dëgjohet duke folur me Adem Grabovcin, rreth rishpalljes së disa tenderëve në kompanitë publike ‘Trainkos’ dhe ‘Infrakos’ dhe punësimin e disa personave.

Humbësi i Gjilanit para drejtësisë

Zenun Pajaziti- aktualisht ushtron postin e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Njëjtë sikurse Besim Beqaj, edhe Pajazitit i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për aferën “Pronto”.

Në një bisedë ndërmjet tij dhe protagonistit të aferës, Adem Grabovcit, flitet rreth emërimeve në bordin e kompanisë “Hidromorava”.

Me aktakuzë edhe ish-Shefi real i Prizrenit

Nijazi Kryeziu- aktualisht ushtron postin e këshilltarit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ndërsa në të kaluarën ka qenë asambleist i PDK-së në Prizren

Edhe Nijazi Kryeziut i është ngritur aktakuzë nga Prokurori Speciale e Kosovës pas daljes publike të përgjimeve të aferës “Pronto”.

Në këto përgjime, Kryeziu dëgjohet tek flet me Adem Grabovcin rreth punësimeve në bordin e kompanisë publike të ujësjellësit ‘Drini’.

Ndërkohë Kryeziu i selektonte në baza partiake, emrat që ia përmendte Grabovci .

Pa zyrtarë ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë e të cilët vazhdojnë të jenë aktiv në politikë, nuk është as Lidhja Demokratike e Kosovës e cila aktualisht është në opozitë, por që në një periudhë të gjatë ka bashkëqeverisur me PDK-në.

Aktakuzë është ngritur ndaj nënkryetarit të kësaj partie dhe gjithashtu edhe ndaj një deputeti.

I akuzuar edhe zëvendësi i Mustafës e kushëriri i Rugovës

Haki Rugova- aktualisht mbanë postin e nënkryetarit të LDK-së dhe atë të kryetarit të Istogut

Rugova akuzohet nga Prokuroria Themelore e Gjakovës se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut, e ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit, duke i dhënë tender vëllait të tij, Gani Rugovës, në vlerë rreth 300 mijë euro.

Në aktakuzën thuhet se Haki Rugova, duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.

Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Sipas kualifikimit juridik që i ka bërë prokuroria veprimeve të kryetarit Rugova, i njëjti nëse gjendet fajtor, mund të dënohet prej një deri në pesë vjet burgim.

Me aktakuzë deputeti i mbetur nën hijen e të rinjve në LDK

Naser Osmani- Aktualisht mbanë postin e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovë

Osmani akuzohet nga Prokuroria Specaile e Kosovës për dallavere në Agjencinë e Privatizimit të Kosovës.

Sipas aktakuzës me datë 20.01.2012, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtar, përkatësisht i pandehuri Naser Osmani  në cilësinë e nënkryetarit të Bordit të Drejtorëve (BD) të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP), ndërsa i pandehuri B.SH në cilësinë e drejtorit të BD të AKP-së, në bashkëkryerje dhe bashkëpunim me personat tjerë zyrtar në cilësinë e anëtarëve ndërkombëtar të BD të AKP-së, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë për vete apo personin tjetër, përkatësisht blerësin e Ndërmarrjes së Re “FAN-Podujevë”, sh.p.k, në vlerë rreth 5,400,000.00 € dhe shkeljes serioze të të drejtave të personit tjetër, përkatësisht punëtorëve të Ndërmarrjes së Re “FAN “, me çka njëkohësisht i kanë shkaktuar dëm Ndërmarrjes Shoqërore “FAN”, e përfaqësuar nga AKP-ja dhe buxhetit të shtetit, kështu duke vepruar në kundërshtim me konstatimet e auditorëve të jashtëm, Marrëveshjen e Zotimit të dt. 23.03.2006, Strategjinë e Ndërmarrjeve Shoqërore të privatizuara me Spin Off Special të muajit Maj 2009 dhe rregullat ligjore të AKP-së, me datë 20.01.2012, në mbledhjen e 42-të të BD të AKP-së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtar të BD të AKP-së kanë vendosur duke votuar “për” që investimet e bëra jashtë hapësirave të ndërmarrjes të pranohen si investime dhe kanë liruar Ndërmarrjen e Re “FAN-Podujevë” nga monitorimi i AKP-së dhe kushtet e Marrëveshjes së Zotimeve.

Nuk ka si të jetë ndryshe edhe partia e kryeministrit aktual Ramush Haradinaj, e cila gjithashtu pjesë të saj ka njerëz ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë.

Nga kjo parti të akuzuar janë dy ministra dhe një deputet.

Aktakuzë edhe ndaj ish-FARK’istit i transformuar në AAK

Rrustem Berisha- Aktualisht ushtron postin e ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Ndaj Berishës, Prokuroria Speciale e Kosovës me 14 shtator 2018  ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar për rastin e listave të fryra të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me aktakuzë edhe dikur dosti i Pacollit

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë edhe 11 persona tjerë, përfshirë këtu edhe bashkë partiakun e Berishës, Shkumbim Demaliaj.

Edhe ndaj Demaliajt i cili aktualisht ushtron pozitën e deputetit të AAK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, rëndon aktakuza e njëjtë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër A.Q., N.L., S.H., SH.D., Q.G., SH.B., A.D., RR.B., F.F., S.E., F.SH., XH.J., dhe është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë” nga neni 422 të KPRK.Gjithashtu, në aktakuzë është propozuar që gjykata të lëshoj masën  për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë  të shpallën fajtor dhe të gjykohen sipas ligjit.

Po ashtu, PSRK-ja ka propozuar që Gjykata të merr vendim që të gjithë përfituesve të kundërligjshëm të u ndalohet marrja e pensionit si veteran luftëtarë i UÇK-së.

Plot aktakuza edhe për dr. Palin

Pal Lekaj- aktualisht ushtron postin e ministrit të Infrastrukturës

Ai akuzohet për dy vepra penale të përvetësimit në detyrë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

As NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt nuk është ndryshe. Në zgjedhjet e fundit NISMA është bërë pjesë e qeverisë, ndërsa Milaim Zeka kishte arritur që të fitonte votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet në Kuvend nga kjo parti.

Ish-gazetari akuzohet për gjithçka

Milaim Zeka- aktualisht vazhdon ta ushtrojë postin e deputetit

Ndaj Zekës rëndojnë disa aktakuza.

Prokuroria Specaile e Kosovës ndaj tij ka ngritur aktakuzë me 29 gusht të vitit 2018 për rastin e mashtrimit me viza.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, I.K dhe M.Z., që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit I.K dhe M.Z., kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Po ashtu, të pandehurit si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe neni 31 të KPRK-së.

Gjithashtu, të pandehurit I.K., M.Z dhe E.K., kanë kryer veprën penale “pastrimi i parave” nga neni 308 të KPRK-së dhe neni 56 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit nr. 05/L-096 lidhur me veprat penale “mashtrimi” nga neni 335 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndryshe hetime janë zhvilluar edhe ndaj kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari Lila, që lidhen me punën e saj gjatë kohës kur ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Në Gjykata janë paraqitur edhe një varg deputetësh të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë akuzuar për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, e të cilët vazhdojnë edhe sot ta ushtrojnë postin e deputetit te Kosoves

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat