Veseli për gazetën serbe: Dialogu përfundon me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB

Aktuale

Veseli për gazetën serbe: Dialogu përfundon me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 16:29
Kadri Veseli

Në një intervistë për gazetën serbe, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se liderët në Serbi po e vazhdojnë retorikën e urrejtjes dhe po glorifikojnë kriminelë siç është Slobodan Millosheviq. Kjo, ka thënë ai, nuk i ndihmon së ardhmes.

Veseli ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial të pacenueshëm, dhe se kështu do të mbetet përherë.

Veseli thotë se dialogu mes palëve me një zgjidhje që i hap rrugë njohjes së ndërsjellë, dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, BE dhe NATO është zgjidhja e vetme.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se gjuha dhe metodat e ndryshme manipuluese nuk iu ndihmojnë as serbëve në Kosovë, për të cilët tha se nuk kanë asnjë problem me shqiptarët dhe me institucionet vendëse. 

Madje ai ka përmendur se në fshatrat dhe qytete ku banojnë serbë ka pasur investime në infrastrukturë e shumëçka tjetër. Serbia, ndërkaq ka deklaruar Veseli, investon në Kosovë në struktura paralele dhe në grupe të caktuara që nuk ju ndihmojnë qytetarëve.

Në intervistën e tyre, media e quan Veselin njëri të Amerikës dhe liderin kryesor të Kosovës, pa të cilin nuk merren vendime. Veseli thotë se ai është krenar që personalisht ai dhe populli i Kosovës ka miqësi me SHBA-të.

Në këtë intervistë, Veseli është pyetur edhe për raportimet e mediave serbe për të. Para dy dite, mediat e dirigjuara nga presidenti Vuçiq thanë se Veseli ka informacione për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Këto raportime Veseli i ka quajtur si propagandë e logjikës së Millosheviqit dhe tendencë për të dëmtuar procesin e hetimeve që po kryhet nga institucionet e sigurisë dhe prokurorisë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat