Njëri ndër themeluesit e UÇK-së në listë si veteran i rrejshëm

Aktuale

Njëri ndër themeluesit e UÇK-së në listë si veteran i rrejshëm

Nga: N. Sh Më: 18 shtator 2018 Në ora: 16:49
Nexhmi Shala me shokë

Familjarët e njërit ndër themeluesit e parë të UÇK-së në Kleçkë, përmes një reagimi kanë shprehur indinjatën se në listën e të dyshuarve që përfituan jashtëligjshëm statusin e veteranit, çuditërisht janë përfshirë edhe luftëtarët e vërtetë.

I biri i Nexhmi Shalës, Sherif Shala tha se është për t’u shqetësuar se si do të shkruhet historia e vërtetë e vendit tonë, sidomos për ata që dhanë gjithçka, si dhe për ata që shfrytëzuan çdo gjë për përfitimet e tyre personale.

"Sot, nuk e di se si mund të ndihen të gjithë ata ushtarë të Zonës ku ka vepruar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Radio Kosova e Lirë, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës si dhe shumë institucione të tjera ushtarake e civile, të cilët kanë kaluar edhe nën sigurinë e krijuar edhe nga kontributi ushtarak i Nexhmi Shalës, ndërsa sot, pas dy dekadave të luftës dhe sakrificës së tij dhe familjes tonë, emri i babait e kryefamiljarit tonë Nexhmi Shala, nëpërkëmbet pa fije turpi me emra të atyre që meritojnë gjykimin dhe dënimin së bashku me manipuluesit dhe perfiterët e tyre", shkruan Shala, transmeton gazeta "Bota sot".

Reagimi i plotë i Sherif Shalës:

Shprehi mllefin tim dhe të familjes sime, se në të ashtuquajturën “lista e veteranëve të rrejshëm” çuditërisht qenka i përfshirë edhe emri i babit tim, Nexhmi Shala! Kjo shpifje e paskrupullt e atyre që e kanë përpiluar këtë listë edhe me emra të luftëtarëve më të devotshëm të UÇK-së, aspak nuk i bënë nderë as veteranëve të vërtetë jose jo, por as historisë sonë më të lavdishme kombëtare, luftës tonë Çlirimtare.

Babi im ka qenë njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së në fshatin Kleqkë, ku së bashku me heronjtë e kombit Sadik Shala dhe Ramiz Shala, ka qenë njëri ndër luftëtari më besnik i heronjve, si Komandan Kumanovës, Nuhi Mazrekut, Habib Zogajt, Gani Kastrati, Afrim Buqaj… e shumë e shumë dëshmorëve dhe bashkëluftëtareve tjerë.

Babi për luftën dhe trimërinë e tij ishte i dëshmuar në shumë beteja të lavdishme të UÇK-së, si në Grykën e Llapushnikut, Duhël, Qafë të Duhlës, në Grykë të Carralevës, pastaj në Dugë, Javor, Shtime dhe Grejçevc.

Për herë të parë bashkimi i LKQK-së me UÇK-në, u bë në odën e Nexhmi Shales, ku më pastaj shumë bashkëluftëtarët të kësaj ane, iu bashkuan UÇK-së nën komandën e legjendarit, Ismet Jashari – KUMANOVA me trimat syshqiponjë, Nexhmi Shala e Sadik Shala dhe shumë trimave të tjerë të lirisë.

Pas rënies herokie të komandant KUMANOVËS, babi im Nexhmi Shala është caktuar komandant për rrethinën e Grykës së Carralevës, Dugës, Luzhnicës, Javorit, si dhe nga Shtimja deri në Kleqkë që e mbulonte këtë hapësirë gjeografike.

Sot, nuk e di se si mund të ndihen të gjithë ata ushtarë të Zonës ku ka vepruar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Radio Kosova e Lirë, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës si dhe shumë institucione të tjera ushtarake e civile, të cilët kanë kaluar edhe nën sigurinë e krijuar edhe nga kontributi ushtarak i Nexhmi Shalës, ndërsa sot, pas dy dekadave të luftës dhe sakrificës së tij dhe familjes tonë, emri i babait e kryefamiljarit tonë Nexhmi Shala, nëpërkëmbet pa fije turpi me emra të atyre që meritojnë gjykimin dhe dënimin së bashku me manipuluesit dhe perfiterët e tyre.

Kjo njollosje e emrit të babit tim, na shqetëson jashtë mase edhe si familje edhe si farefis, ndërsa mbetemi me shpresë se së paku do të presim kërkim falje publike nga Prokuroria e Shtetit.

Gjithmonë krenar me të kaluarën tënde babi im, heroi im NEXHMI SHALA!

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat