Gashi: Pjesëmarrja e Kosovës në programin Evropa Kreative me rëndësi të veçantë

Aktuale

Gashi: Pjesëmarrja e Kosovës në programin Evropa Kreative me rëndësi të veçantë

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 14:42
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka propozuar aprovimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative, i cili kontribuon në ruajtjen e diversitetit kulturor-gjuhësor, nxitjen e rritjes ekonomike dhe krijimin e mundësive të reja ndërkombëtare, tregjeve dhe audiencës.

Ai në takimin e sotëm të Komisionit Parlamentar për Arsim, tha se pjesëmarrja në këtë program do t'iu mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t'i bëjnë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Marrëveshja për pjesëmarrjen e Kosovës në programin Evropa Kreative është nënshkruar më 5 qershor me Komisionarin Evropian për Arsim, Shkencë, Kulturë dhe Rini, Tibor Navracsis dhe është aprovuar nga Qeveria e Kosovës më 31 korrik 2018. 

Po ashtu, ministri Gashi tha se pjesëmarrja në kuadër të programit në fjalë do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve në sektorin kulturor dhe krijues duke promovuar lëvizjen e veprave dhe platformave kulturore.

Ai foli edhe rreth angazhimit të Ministrisë në themelimin e Deskut Evropa Kreative Kosovë-Zyra Kulturë që ka si mandat ofrimin e informatave dhe promovimin e programit, asistimin e sektorëve kulturorë dhe kreativ. 

Sa i përket kostos vjetore financiare që Kosova duhet t'i paguajë Buxhetit të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian për të marrë pjesë në Nën-programin e Kulturës dhe në Fushat Ndër-sektoriale, ministri njoftoi se do të jetë 35,000 euro. 

“Këtë shumë financiare Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka paraparë në buxhetin e saj dhe e njëjta do t’i procedohet BE-së sipas marrëveshjes”, tha Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat