Hoxha në Tiranë: Rruga jonë integruese është pa alternativë

Aktuale

Hoxha në Tiranë: Rruga jonë integruese është pa alternativë

Më: 4 tetor 2018 Në ora: 13:34
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në takimin e ministrave për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore, në Tiranë, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Ministria Federale e Austrisë për Punë të Jashtme, Çështje Evropiane dhe Integrim si dhe GIZ-it gjerman.

Ajo me këtë rast theksoi rëndësinë e promovimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit por edhe parimet e BE-së si dhe zhvillimi ekonomik dhe punësimi, të bërit biznes, arsimi, fuqizimi i të rinjve, barazia gjinore dhe shumë sfera të tjera që drejtpërdrejtë ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve. 

“Të gjitha vendet në rajon kemi sfida sa i përket barazisë gjinore dhe adresimi i këtyre sfidave përmes rrugës së përbashkët të integrimit evropian do të ishte mënyra më e mirë”, tha ministrja Hoxha dhe ceku sfidat specifike si dhuna me bazë gjinore, prezenca e ulët e grave në politike dhe vendimmarrje, mungesa e integrimit gjinor, stereotipizimi gjinor dhe diskriminimi në tregun e punës. 

Hoxha propozoi të bëhet një strategji sa i përket bashkëpunimit dhe komunikimit rajonal.

“Kosova është e interesuar që ky bashkëpunim të thellohet dhe vlerësoj se së bashku do të jemi më të suksesshëm në adresimin e sfidave të komunikimit të BE-së dhe pa dyshim një gjë e tillë është në interesin e të gjitha vendeve të rajonit”, tha ministrja Hoxha, duke shprehur përkushtimin e Ministrisë së Integrimit Evropian që të jetë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për strategji më të mira të komunikimit. 

Takimi i ministrave për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore, i mbylli punimet me nënshkrimin e deklaratës për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat