Limaj konfirmon se Thaçit po i ngushtohet hapësira, e quan pallavër idenë e tij

Aktuale

Limaj konfirmon se Thaçit po i ngushtohet hapësira, e quan pallavër idenë e tij

Më: 6 tetor 2018 Në ora: 18:13
Fatmir Limaj

Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dërguar mesazhe të forta nga qyteti i Ferizajt, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, duke thënë se diskutimet për ndarje të Kosovës dhe shkëmbim të territoreve janë vetëm ‘pallavra’.

Limaj ka thënë se partia e tij nuk do të përkrahë asnjë ide e cila është e mbrapshtë për Kosovën. Siç ka thënë ai, idetë e mbrapshta kanë sjellë gjithmonë mjerim.

Duke folur për rezolutën e propozuar sot për dialogun me Serbinë, Limaj ka thënë se përmes asaj rezolute kuptohet se cili është synimi në dialogun me Serbinë.

“Nuk ka ndarje të territoreve nuk ka shkëmbim të territoreve, këto janë pallavra. Kjo rezoluta që sot e themeluam, tregon se a kemi vërtetë që të mbrojmë vendin, por a e kemi për kalkulim politik”, ka thënë Fatmir Limaj.

 Në Bruksel sipas tij ka shumë se çfarë të diskutohet, duke shtuar se Serbia i ka shumë borxh Kosovës.

“Ne jemi për dialog me Serbinë si shtet, si dy shtete për të mbyllur çështjet që mund të jenë të hapura. Kosova ka çfarë të bisedojë me Serbinë. Serbia ende nuk ka paguar për dëmet e luftës. Ne do të kërkojmë njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e OKB-së.Çfarë problemesh ka Serbia, neve fare nuk na intereson”, ka shtuar Limaj.

Kreu i NISMA-s ka folur edhe rreth deklaratave të presidentit serb Vuçiq i cili ka thënë se nuk e do Limajn në krye të delegacionit kosovar për bisedime në Bruksel.

“Për që s’më don Vucici hiq nuk ma ka prish qejfin, ne shkojmë atje me plotë argumente me e fuqizu shtetin. Ne nuk shkojmë atje me bo garë, dhe me bo me gisht . Por me i mbrojë interesat e shtetit tonë. Serbia ka miliarda euro borxh Kosovës. Besoj që ne si shtet duhet që të shkojmë atje dhe t’i kërkojmë gjithë ato që i takojnë vendit tonë”, ka shtuar tutje ai.

Ai ka thënë se partia e tij asnjëherë nuk do të mbështes iniciativa të dëmshme për shtetin e  Kosovës, duke thënë se për to do ta ngrisin edhe zërin në Kuvendin e Kosovës.

“Do të jemi pa kompromis kundër gjithë atyre që tentojnë të devijojnë ndërtimin e shtetit tonë. Do të jemi kundër atyre që temat nacionale që i përdorin për tema të ngushta partiake dhe për përçarje të qytetarëve. NISMA Nuk do të mbështesë asnjëherë inciativa të mbrapshta për vendin tonë. Do ta ngrisim zërin në Kuvendin e Kosovës”, ka potencuar Limaj.

Sipas tij dialogu me Serbinë nuk duhet të kthehet në një teme politike dhe përçarëse për qytetarët.

“Dhe përfundimisht këtë temë të mos e kthejmë ne temë politike, që e përçajnë Kosovën. Nuk duhet që temat politikat nacionale ti shfrytëzojmë për luftë të brendshme politike. Kushdo që vjen në dialog le të vjen, kush nuk do , të mos vjen. Ku ka njeri në Kosovë që e konteston shtetin e Kosovës, ku do me e gjet atë mbëshetje ai njeri që e konteston shtetin e Kosovës”, ka vazhduar tutje ai.

Në këtë takim Limaj ka folur edhe për shndërrimin e FSK-së në ushtri, duke thënë se një gjë e tillë kishte mundur të ndodhte edhe para katër vitesh..

“FSK-ja shumë shpejtë do të ketë një mandate tjetër dhe shumë shpejtë do të bëhet ushtri. Kanë pas mundësi me e bo edhe para katër viteve”, ka përfunduar Limaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat