Edhe qytetarët i dalin kundër idesë së Thaçit për ndryshim të kufijve

Aktuale

Edhe qytetarët i dalin kundër idesë së Thaçit për ndryshim të kufijve

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 09:44
Foto

Ideja për ndarje apo shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ka shqetësuar tej mase banorët e pjesës veriore të Mitrovicës.

Ata frikësohen se kjo mund të ndodhë gjatë fazës finale të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në deklaratat dhënë Radio-Kosovës, ata thonë se që kur ka nisur të flitet për këto çështje banorët shqiptarë në veri jetojnë me frikë se diçka e keqe mund t’u ndodhë.

Idetë për ndryshim të kufijve dhe ato për ndarje, janë tepër shqetësuese për banorët e fshatrave me shumicë shqiptare që jetojnë në veri të Mitrovicës. Bexhet Hetemi, nga fshati Bistricë i Komunës së Leposaviqit, thotë se deklaratat e tilla e kanë kthyer atë në periudhën para vitit 1999.

“Nëse një gjë e tillë ndodh, për banorët e këtyre fshatrave që kanë sakrifikuar gjithçka për me mbrojt vendin, do të jetë e dhimbshme”, thotë Hetemi.

“Njeri i varfër s’ka mundësi asgjë të bëjë, veç t’i çojë duart përpjetë dhe të dorëzohet. Unë e kisha kallë luftën prapë, se e meritojnë ashtu me ua bë. Nuk jepet krejt kjo pjesë, prej Kishnicës deri në Kopaonik është me xehe. Këta nuk e kanë rastësisht veriun, nuk u vyen këtyre Mitrovica, u vyen pasuria. Krejt kjo bjeshkë është me pasuri me minerale të ndryshme, atyre ju vyen bjeshka, pasuria, nuk u duhet qyteti.”

Gjatë vizitës në fshatin Bistricë, e para që bie në sy është se mungon infrastruktura, ku nuk vërehet asnjë investim nga Komuna e Leposaviqit. Hetemi rrëfen se tani jeton me një pension të veteranit të luftës, bashkë me familjen e tij pesë anëtaresh.

“Unë kam qenë i angazhuar që nga fillimi në luftë. Për mua lufta ka filluar pas përfundimit të luftës zyrtarisht në veri, sepse problemet më të mëdha i kam pasur atëherë për kthim në shtëpi, për jetesë e për të gjitha. Zhgënjim më të madh nuk ka, gjithë ajo sakrificë, unë kam vëllanë invalid, motrën dëshmore. Për neve, për mu dhe shumë veteranë ka ndodhur e kundërta, nuk jemi shpërblyer, veç jemi më të shtypur, me të diskriminuar sesa në kohën e Serbisë. Është keq që e them këtë, por është e vërtetë.”

Ngjitur me këtë fshat, ndodhet edhe fshati Cerajë, i banuar me shqiptarë. Ramadan Rrahmani, lutet që këto ide të mos bëhen realitet.

“ Shpresoj të mos jenë realitet këto që po i dëgjojmë. Se nëse këta mendojnë të bëjnë këso ndërrime territoresh, neve na kanë qit poshtë, ne jemi një grusht njerëz këtu krejt. Pasigurinë e kemi qysh prej ditës që jemi këtu. Na kanë blloku rrugën. Jemi detyruar të ecim maleve me orë të tëra për të shkuar në Mitrovicë. Edhe sot, sa filloi pak një lloj rehatie, prapë tash kanë filluar me këto tema për ndarjen. Duhet të ndërpriten këto, janë gjëra të rënda, ndoshta nuk është e mundshme ajo punë. Pas këtyre bisedave, nëse do kishin mundësi asnjë njeri këtu nuk do rrinte.”

Në komunën e Leposavicit janë tri fshatra të banuara me komunitetin shqiptar, Cerajë, Bistricë dhe Koshtovë. Që të tri fshatrat tanimë, sipas të dhënave të kryetarit të fshatit Bistricë, numërojnë rreth 20 familje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat