Akademia e Shkencave joproduktive dhe me paga të larta

Aktuale

Akademia e Shkencave joproduktive dhe me paga të larta

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 14:13
Komisioni parlamentar për arsim

Në komisionin parlamentar për arsim, sot është raportuar një hulumtim për Akademinë e Shkencës në Kosovë, ku janë evidentuar mjaft shkelje.

Kushtrim Koliqi nga “Integra”, ka thënë se Akademia e Shkencës dhe Arteve në Kosovë është në gjumë dhe gërryen paranë publike dhe nuk janë llogaridhënës.

Sipas tij, ASHAK ishte dashur të jetë më aktive, sepse të gjeturat janë brengosëse dhe neveritëse.

Madje Koliqi pati aq fjalë të rënda për ASHAK, duke thënë se kjo Akademi ka qenë më produktive në kohën e Milosheviçit se sa tash.

Koliqi: ASHAK ka qenë më produktive gjatë kohës së Milosheviçit se sa tash

“Arsyeja pse kemi filluar me Akademinë e Shkencave dhe Arteve, kemi sepse është një prej institucioneve kryesore në vend që ishte dashur me kontribuar shumë në bërjen e politikave së paku për shkencë dhe kulturë në Kosovë. Të gjeturat janë shumë brengosëse, kur një institucion si Akademia e Shkencave është në këtë gjendje, çka presim ne prej institucioneve të tjera… Akademia e Shkencave ka qenë më produktive gjatë kohës së Milosheviçit se sa është tash, e lëre më që s’mundet me u krahasuar gjatë kohës së ish-Jugosllavisë”, theksoi Koliqi.  

Shkelzen Gashi, autori i këtij hulumtimi theksoi se Akademia nuk ka asnjë projekt të rëndësishëm për vendin. Ai tha se shumica e librave të botuara nga Akademia javë vetëm ribotime dhe shumica prej tyre vetëm në gjuhën shqipe.

Gashi tha se në bazë të hulumtimeve, kryetari saj, Nexhat Daci ka bërë plagjiaturë dhe shtoi se kjo Akademi ka pasur vetëm katër projekte madhore, ku dy prej tyre kanë dështuar.

Sipas tij, këto katër projekte kanë qenë vetëm kombëtare, as një ndërkombëtare.

Gashi: Vetëm katër projekte të mëdha në ASHAK, dy prej tyre të dështuara

“Shumica dërmuese e librave që i ka botuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës janë ribotime dhe shumica prej tyre janë veç në gjuhën shqipe… Krejt i kanë vetëm katër projekte të mëdha, dy prej tyre kanë dështuar, dy i kanë realizuar, njëra është një monografi për Kosovën që është përmbledhje e shkrimeve të mëhershme të anëtarëve të Akademisë. Dy të tjerat që kanë dështuar, është korpusi për gjuhën shqipe dhe këshilli akademik për gjuhën shqipe”, ka thënë Gashi.

Gjatë raportimi në komisionin për arsim, ai tha se pagat e larta prej 1300 deri 1500 euro dhe mos arsyetimi i tyre për punën e bërë në Akademi, është shqetësuese.

Ndërsa, për vlerësimin e Akademisë, se më mirë ka qenë në kohën e pushtetit të Slobodan Milosheviçit, ka reaguar deputetja Albulena Balaj Halimaj, anëtare e komisionit për arsim.

Balaj-Halimaj: Është e rëndë të thuhet se ASHAK ka qenë më mirë në kohën e Milosheviçit

“Ajo që shumë më shqetësoj dhe me shumë dhembje e dëgjova kur e theksuat që Akademia e Shkencave ka qenë shumë më mirë në kohën e Milosheviçit dhe në ish-Jugosllavi. Mendoj se nuk duhet me pasur këtë qasje, sepse është pak e rëndë me thënë në Kuvendin e Kosovës dhe u ndjeva keq”, pohoi Balaj Halimaj.

Ndërsa, kryetari i Komisinit, Ismajl Kurteshi tha se për këto shkelje të mundshme në Akademi, shumë shpejt do të ftohen drejtuesit e Akademisë për raportim në Parlament.

Kurteshi: Do t’i ftojmë përfaqësuesit e Akademisë për raportim

“Unë do t’i propozoj Komisionit që ftesën t’ua dërgojmë menjëherë, por brenda muajit ata(ASHAK) duhet me ardhur, kështu që mendoj se brenda një muaji ose më së voni deri më 10 nëntor ne do t’i ftojmë përfaqësuesit e Akademisë dhe ata janë të obliguar që të vijnë dhe të raportojnë, ku do t’i shtrojmë shumë çështje të cilat kanë dal nga të gjeturat e juaja”, theksoi Kurteshi.

Ndërsa, deputetja Teuta Haxhiu ka thënë se të gjeturat për ASHAK janë mjaft shqetësuese, ku shqetësimi më i madh është mungesa e transparencës financiare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat