Deputetët e Kosovës, punojnë pak, paguhen shumë!

Aktuale

Deputetët e Kosovës, punojnë pak, paguhen shumë!

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 15:50
Kuvendi i Kosovës

Të ardhurat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për një muaj tejkalojnë shumën prej 2000 euro. Por, jo rrallë herë, ata vetëm nënshkruhen në listën e pjesëmarrjes dhe nuk qëndrojnë në seancë plenare, nuk pamundësuar kështu shpesh edhe kuorumin. Përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë po thonë se deputetët duhet të sanksionohen për këto veprime. Ndërkohë, institucioni i Kuvendi thotë se koha e qëndrimit në sallë është në vullnetin e deputetëve.

Edhe kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës po përballet me mungesën e deputetëve në sallën e seancave plenare.

Jo rrallë herë, ligje e projektligje shtyhen për në mbledhjen e radhës, meqë deputetët e lëshojnë sallën. Dhe, punimet nuk braktisën vetëm nga deputetët e partive opozitare, por edhe nga ato në pushtet.

Këtë, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, e quan anomali dhe sipas tij, deputetët që nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit, por vetëm nënshkruhen, do të duhej të penalizoheshin.

Murati: Deputetët që nuk marrin pjesë në seancë duhet të penalizohen

“Ajo çka do të mund të parandalohej është se deputetët të cilët vijnë nënshkruhen dhe nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit, do të duhej të penalizoheshin të paktën me heqjen e mëditjeve, sepse kjo do të ishte ndoshta edhe një prej pikënisjeve të para që ndoshta do të synonte që t’i disiplinonte sado pak deputetët në këtë aspekt. Ne edhe gjatë grupeve punuese për rregulloren e re të punës së Kuvendit, në vazhdimësi kemi bërë thirrje për sanksione ndaj deputetëve, mirëpo nuk është se ka ndonjë seriozitet të lartë nga grupet parlamentare për të marrë parasysh këto propozime, për faktin se nuk duan ta ndëshkojnë edhe vetën”, thotë ai.

Ndërsa Rasim Alija nga D4D thotë se puna e Kuvendit të Kosovës ka degraduar dhe aktualisht Kuvendi nuk është vendi ku shqyrtohen e miratohen ligje.

Alija: Puna e Kuvendit ka degraduar

“Është problem i trashëguar prej legjislaturave të kaluara mirëpo as kjo legjislaturë nuk bënë përjashtim. Tani ka denigruar puna e Kuvendit komplet në rolet të tjera ku Kuvendi më së paku është vendi ku shqyrtohen e miratohen ligjet dhe bëhen iniciativa tjera ligjore që synojnë rregullimin e qeverisjes së pushtetit në përgjithësi, e më së shumti Kuvendi shfrytëzohet për përfitimin e benificioneve duke marrë parasysh edhe pagat e larta që marrin deputetët edhe pjesëmarrjen në komisione, mbi të gjitha pjesën për mëditje për pjesëmarrje në seancat e Kuvendit të Kosovës pa qenë prezent aty, pa jap kontributin për të cilin janë zgjedhur nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ky është realiteti në të cilin gjendemi tani dhe shndërrimi i Kuvendit të Kosovës në një vend ku shfrytëzohet për përfitimin”, thotë ai.

Sipas tij, duhet të ndryshojë kultura politike, dhe përgjegjësia e secilit deputet.

Media ka pyetur Kuvendit e Kosovës se a ka ndërmend të ndërmarrë masa për këto raste.

“Pjesëmarrja e deputetëve përcillet përmes nënshkrimit. Koha e qëndrimit ne sallë është ne vullnetin e deputetit/tes”, thuhet në përgjigjën e Kuvendit.

Në Republikën e Kosovës ku pagat mujore sillen nga 130 deri në mbi 400 euro, deputetët e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të kenë pagë pesë herë më të lartë sesa paga mesatare në vend.

Kosova e dalë nga lufta që 19 vjet ballafaqohet me shkallë të lartë të varfërisë e papunësisë.

Madje, shkalla e papunësisë ka arritur në më shumë se 26 për qind, ndërkohë që nuk ka pas as rritje ekonomike më të lartë se 4 për qind, për disa vjet.

120 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore prej rreth 1500 euro në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre. Ata marrin nga 240 euro për dy seanca në muaj.

Ata fitojnë shtesa prej 160 euro edhe për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Problemin me mos-pjesëmarrjen në seanca, Murati nga KDI thotë se do të mund ta zgjidhnin lehtë, por mungon vullneti politik i grupeve parlamentare.

Murati: Problemi do të mund të zgjidhej përmes rregullores së Kuvendit

“Kjo shumë lehtë do të mund të rregullohej me punën e rregullores së Kuvendit e cila ka kaluar në leximin e parë. Ka ende mundësi të amandamentohet dhe të futen nene të reja të cilat do ta rregullonin në detaje këtë çështje. Edhe me ligj do të mund të rregullohej, pro është mënyrë më e thjeshtë që të rregullohet përmes rregullores së punës së Kuvendit, pasi veç është në procedurë, mirëpo duhet vullnet politik prej grupeve parlamentare”, thotë ai

Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, tregon se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit të tyre brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare.

Pastaj, edhe të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe Komisionet e Kuvendit dhe mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat