KMDLNJ jep detaje për dy shqiptarët e rrahur në Novi Sad

Aktuale

KMDLNJ jep detaje për dy shqiptarët e rrahur në Novi Sad

Më: 8 tetor 2018 Në ora: 21:56
Çlirim Kamber Maloku

Qendra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prizren (KMDLNJ), ka dhënë detaje për dy shqiptarët nga Kosova që janë rrahur brutalisht sot (e hënë) nga disa serbë në Novi Sad të Vojvodinës në Serbi.

KMDLNJ bën të ditur se Çlirim Kamber Maloku (1999), i lindur në Planej, me vendbanim në Prizren ( Lagja Arbana), është rrahur brutalisht nga disa serbë në Novi Sad të hënën, më 08.10.2018.

Sipas burimeve të KMDLNJ-së, Çlirimi ndodhet në njërin nga spitalet e Novi Sadit dhe po lufton me jetën.

Ai, kishte shkuar të punoj si furrtar atje (Novi Sad) dhe të hënën është sulmuar bashkë me një shoqërues të tij, po ashtu shqiptar, nga një grup serbësh në Novi Sad.

“Ai është në situatë kritike dhe po lufton me jetën, nga lëndimet që ka marr në kokë”,  ka thënë një familjar i viktimës për KMDLNJ në Prizren.

Sipas KMDLNJ, i sulmuari tjetër është G.B. (po ashtu shqiptar), por që është në gjendje më të mirë shëndetësore . Ai ka deklaruar për mediet dhe të afërmit e Malokut se ata u sulmuan nga 4-5 persona serbë, pasi që u panë të flisnin shqip.

KMDLNJ, kërkon ndërhyrjen e autoriteteve të Republikës së Kosovës, qoftë direkt, përmes zyrës ndërlidhëse në Beograd, qoftë edhe përmes kanaleve ndërkombëtare, të ndihmoj në ofrimin e ndihmës për  viktimat e këtij rasti, si dhe të ndërhyjnë në  zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. KMDLNJ, po ashtu dënon ashpër këtë akt dhune dhe kërkon që autorët të sillen para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat