Përkujtohet gazetari Ibrahim Rexhepi, propozohet një çmim me emrin e tij

Aktuale

Përkujtohet gazetari Ibrahim Rexhepi, propozohet një çmim me emrin e tij

Më: 9 tetor 2018 Në ora: 14:09
Përkujtohet gazetari Ibrahim Rexhepi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka mbajtur një mbledhje përkujtimore për gazetarin e ndjerë, Ibrahim Rexhepin, në të cilën morën pjesë familjarë, miq, bashkëpunëtorë e gazetarë, të cilët ndanë fjalë rasti.

Kolegia dhe bashkëpunëtorja e tij, Evliana Behrami tha se Ibrahim Rexhepi do t'i mungojë gazetarisë dhe fushës së ekonomisë, për të cilën raportoi gjatë karrierës së tij.    

Behrami: Ibrahim Rexhepi nuk ka bërë dallime në gjenerata

"Ibrahim Rexhepi nuk ka njohur dallime, sidomos jo në gjenerata. Ai ishte sublimim i moshës së njerëzve me të cilët  rrinte, të njerëzve të cilët i informonte, me të cilët pa u kursyer asnjëherë, ndante pjesën më të shtrenjtë të tij. Mësimet e nxjerra dhe dijen e përfituar gjatë katër dekadave e gjysmë të punës së tij prej gazetari dhe analisti”, ka thënë ajo.

Agron Bajrami nga KohaVision, tha se Ibrahim Rexhepi ishte ndër të paktët gazetarë që nuk i ka përzierë bindjet personale me punën profesionale. Ai njëherësh propozoi që për nder të Ibrahim Rexhepit, të themelohet një çmim për gazetarinë ekonomike me emrin e Rexhepit.

Bajrami: Të themelohet një çmim për gazetarinë ekonomike

"Në rastin e Ibrahim Rexhepit kemi të bëjmë me një njeri që ka ndërtuar një pjesë të rëndësishme të historisë së gazetarisë moderne të Kosovës. Është, e them lirisht, kryemjeshtri i gazetarisë ekonomike të Kosovës, ka qenë numri një, Këtë, besoj që do të duhej edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ta vlerësonte. Personalisht mendoj që një çmim për gazetari ekonomike, me emrin e Ibrahim Rexhepit, është më e pakta që ne si komunitet gazetarësh dhe si kolegë të tij mund ta bëjmë për të respektuar punën dhe veprën e tij”, tha ai.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, tha se Ibrahim Rexhepi ishte elaboruesi i parë i mendimit socio-ekonomik në gazetarinë shqiptare dhe rikujtoi që Rexhepi kishte udhëhequr jurinë e parë të profilit ekonomik “Vangjush Gambeta”.

Çipa: Rexhepi udhëhoqi jurinë e parë të profilit ekonomik “Vangjush Gambeta”

"Në këtë periudhë dhe në periudhën që do të pasojë Ibra do të mbahet mend për organizatën të cilën kam kënaqësinë ta drejtoj, Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, si gazetari që udhëhoqi më së pari një juri të parë të profilit ekonomik siç është juria “Vangjush Gambeta” e gazetarëve ekonomikë ne hapësirën shqiptare”, ka thënë  Çipa.

Ndërsa kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli tha se Rexhepi nuk kishte bërë dallime në moshë, por kishte ndihmuar dhe vlerësuar edhe gazetarët e rinj.

Begolli:  Humbëm një mik e koleg të mirë

"Vetëm dikush si ai diti , na nderoi dhe madhështor siç ishte, realisht edhe na la. Me pak fjalë, me shumë punë, më tepër dashuri e me mbështetje të pakursyer për gazetarët e rinj, për çka ne ishim dje tërë ditën në zi dhe vazhdojmë të jemi edhe sot, sepse humbëm një koleg dhe mik të papërtritshëm”, ka thënë Begolli.

Ndërsa familjari i Ibrahim Rexhepit, Skender Rexhepi, ndau edhe kujtime nga fëmijëria e tyre, ku përmendi se Ibrahim Rexhepi si i vogël ishte tërhequr nga gazetaria. Ai kujtoi se kur babai i Rexhepit kthehej nga puna, Ibrahimi priste që t’ia sillte gazetën ditore.

Rexhepi: Ibrahimi ishte i të gjithëve

"Rrugën e gazetarisë, rrugën e letrave, Ibrahimi bac Brahë nuk e filloi në vitin 1976 në Rilindje, ai kishte filluar shumë më herët, si nxënës i shkollës fillore dhe i shkollës së mesme në fshatin Slivovë atje ku u lind, ku u shkollua, ai themeloi klubin letrar “Risto Siliqi” klub i cili funksionoi me vite të tëra dhe mbajti shumë orë letrare në fshat, në Ferizaj, në rrethinë”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi ishte i njohur si gazetar e ekonomist, ndërsa së fundi punoi si këshilltar I lartë politik në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat