Apostolova dhe Haradinaj: Nëse ka abuzim, regjimi pa viza mund të pezullohet

Aktuale

Apostolova dhe Haradinaj: Nëse ka abuzim, regjimi pa viza mund të pezullohet

Më: 10 tetor 2018 Në ora: 12:06
Ramush Haradinaj dhe Dhurata Hoxha

Në prani të kryeministrit Ramush Haradinaj, shefes së zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, ambasadorit gjerman Christian Heldt, dhe Ministres së Integrimeve, Dhurata Hoxha, është lansuar faza e re e fushatës për liberalizimin e vizave.

Kjo fushatë, që për qëllim ka qasjen te qytetarët me informatat e duhura se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave, u lansua me tone mjaft pesimiste, si nga Apostolova, po ashtu edhe nga Haradinaj.

Që të dy ua kujtuan qytetarëve të Kosovës, se përveç që nuk ka afat për liberalizimin- ky proces mund të pezullohet, edhe në rast se fitohet.

Apostolova bëri thirrje te liderët e Kosovës, që të mos nxitojnë në “dhënien e afateve artificiale”, rreth liberalizimit. Edhe pse nuk mohoi punën e mirë të institucioneve.

Apostolova: Lidershipi i Kosovës të shmang ngritjen e pritjeve të mëdha me afate artificiale

“Më lejoni të them shumë qartë, se akoma nuk kemi arritur në cak, vendimi përfundimtar akoma nuk është marrë, dhe tani varet nga Këshilli dhe vendet anëtare dhe nga Parlamenti Evropian që të vendosë për këtë propozim. Në këtë fazë, fatkeqësisht nuk mund të parashikojmë se kur do të mund të merret një vendim i tillë, prandaj duam të këshillojmë lidershipin e Kosovës që të ketë durim dhe të shmang ngritjen e pritjeve të mëdha me afate artificiale të cilat më vonë nuk do të përmbushen”, tha ajo.

Shefja e BE-së tha se nëse nuk respektohen kërkesat ose kriteret vizat mund të pezullohen.

Apostolova: Nëse ka abuzim apo nuk përmbushen kriteret, regjimi pa viza mund të pezullohet

“Nëse ka abuzim sistematik të regjimit pa viza, apo ka përkeqësim të situatës, apo nuk përmbushen kërkesat, udhërrëfyesit, regjimi pa viza mund të pezullohet, do të ketë vlerësim të rregullt vjetor për përmbushjen e të gjitha kërkesave për liberalizim të vizave në dialogun pas heqjes së vizave. Derisa Kosova synon të arrijë vendimin përfundimtar pozitiv të vizave,  e shoh këtë fushatë si një mjet të rëndësishëm për të komunikuar qartë me qytetarët e Kosovës, jo vetëm për procesin, por edhe për atë se çka duhet të presin ata sa u përket për të drejtave  dhe obligimeve nga një regjim pa viza”, tha Apostolova.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se e drejta e lëvizjes, vjen me përgjegjësi që qytetarët është mirë t’i dinë.

Haradinaj: Liberalizimi i vizave mund të pezullohet, ne kemi përgjegjësi

“Kjo është një punë jo e lehtë, liberalizimi i vizave, edhe kur jepet, mund të sanksionohet pastaj, pra ekziston mundësia që edhe pasi të dakordohemi për liberalizim të vizave, me bë me u mërzit ndonjë vend anëtar mund të propozojë pezullim, ngrirje, heqje, e çka do tjetër. Pra nuk duhet ta neglizhojmë përgjegjësinë tonë në këtë temë. Ju lus që vërtetë të arrini gjithë qytetarët, pra sa më shumë, që është e mundur që ta dinë që me liberalizimin e vizave pra fitohet liria e lëvizjes, jemi qytetarë të lirë,  ajo na takon, se jemi Evropë, kemi qenë, jemi, do të jemi gjithë jetën, është privilegj, është mundësi, çdo gjë, por ka edhe obligime dhe duhet zbatuar me përpikëri pra të gjitha ato obligime ligjore që ka lëvizja e lirë Schengen për qytetarët e një vendi si në rastin tonë që është Kosova”, tha i pari i ekzekutivit.

Ministrja e Integrimeve, Dhurata Hoxha tha se procesi i liberalizimit të vizave ka qenë sfidues si për institucionet ashtu edhe për BE-në

Hoxha: S’do të ndalim punën me marrjen e rekomandimit pozitiv

“Tani jemi një hap më afër liberalizimit të vizave dhe sfida e fundit do të jetë votimi në këshill. Sigurisht ne nuk do të ndalim punën me marrjen e rekomandimit pozitiv. Reformat padyshim se do të vazhdojnë me një intensitet edhe më të shtuar, sfida e radhës janë shtetet anëtare me të cilat jemi duke punuar intensivisht, kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim hapa në mënyrë që të adresojmë brengat eventuale të secilit shtet anëtar veç e veç. Kemi fuqizuar legjislacionin për të huajt, sigurimin e kufijve, migracionin, duke e përshtatur me standarde evropiane”, tha Hoxha.

Kurse mbasadori gjerman Christian Heldt u shpreh se në këtë proces të vendimmarrjes, kërkohet durim deri në rezultat.

Heldt: Shtet anëtare janë duke analizuar progresin e Kosovës

“Kosova ka bërë një rrugë të gjatë nga ku ka qenë, tani jemi në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave, siç u tha. Shtetet anëtare janë aktualisht duke analizuar progresin që ka arritur Kosova, pas rekomandimit të komisionit LIBE. Ju lutem të jeni të sigurt se ky do të jetë një vlerësim i drejtë, por i rreptë. Kërkoj durim për këtë proces i cili tani është duke ndodhur në kryeqytetet e vendeve të rajonit të Schengen, që të respektoni vlerësimin dhe vendimin autonom të secilës qeveri, të secilit shtet anëtar. Mendoj se është në interes të Republikës së Kosovës që ky vlerësim i detajuar të qojë në rezultatin që të gjithë shpresojmë ta kemi, që është udhëtim pa viza”, tha Heldt.

Ambasadori Heldt shtoi se kjo fushatë është jetike për këtë proces, duke e përmendur se fushata vetëdijësuese është kërkesë e shteteve të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat