Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, në adresimin e tij para ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë ka kërkuar mbështetjen e kandidaturës së vendit tonë për t’u bërë anëtare e plotë e Interpolit.
“Këtë vit, Kosova ka kandiduar për t’u bërë anëtare e Interpolit dhe vendimi përfundimtar do të merret në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit në Dubai, në muajin nëntor. Ju e dini rëndësinë e kësaj organizate, kështu që ju ftoj të votoni për Kosovën në Interpol”, ka thënë Pacolli.
Ndryshe, me shumicë votash, Këshilli Ekzekutiv i Interpolit në Lion të Francës në qershor të këtij viti, vendosi që Kosova të jetë sërish në agjendë për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
Kosova ka aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në Interpol. Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të Interpolit, në mënyrë që të votohej për pranim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, mbajtur më 17 shtator 2017 në Pekin.
Përderisa territori palestinez dhe Ishujt Solomon janë pranuar në këtë organizatë, Kosova e pati tërhequr kandidaturën pasi mori informata se anëtarësimi mund të mos përkrahej nga vendet anëtare.