Tahiri njofton shoqërinë civile për “Drejtësia 2020”

Aktuale

Tahiri njofton shoqërinë civile për “Drejtësia 2020”

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 12:48
Abelard Tahiri

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka vazhduar takimet me shoqërinë civile. Kësaj radhe, në mëngjes pune me ta, ka diskutuar për iniciativën e fundit të tij, agjendën e përbashkët me Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, “Drejtësia 2020”. Në postimin e tij në rrjetin social Facebook, Tahiri ka theksuar rëndësinë që kanë vlerësimet, rekomandimet e pikëpamjet e shoqërisë civile në punën e tij.

“Legjitimiteti dhe forca morale e politikës publike bashkëkohore derivon edhe nga konceptimi i ofertës së shoqërisë civile, si një agjens jashtëzakonisht i rëndësishëm në materializimin e shtetit ligjor. Për një qeverisje përmbajtjesore, shoqëria civile është partner vital dhe jam i nderuar që në kuadër të agjendës time si Ministër i Drejtësisë, rrugëtoj bashkë me vlerësimet, rekomandimet dhe pikëpamjet e tyre. Sot, në një mëngjes pune me përfaqësues të shoqërisë civile që kanë në fokus sundimin e ligjit, biseduam për progresin e agjendës legjislative, për Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit dhe për masat që kemi paraparë në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020””, ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit, ky bashkëpunim dhe partneritet do të vazhdohet edhe më tutje, meqenëse këto ndryshime po bëhen në interes të qytetarëve.

“Jam i vendosur që këtë partneritet rreth çështjeve që janë në interes të qytetarëve dhe Republikës, ta konkretizojmë përmes përfshirjes së rekomandimeve të tyre konkrete në përpjekjet tona të përbashkëta për fuqizimin e sundimit të Ligjit”, ka përfunduar Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat