Hoxha: Presim datën e liberalizimit këtë vit, nuk ka sinjale për shtyrje

Aktuale

Hoxha: Presim datën e liberalizimit këtë vit, nuk ka sinjale për shtyrje

Më: 11 tetor 2018 Në ora: 15:37
Dhurata Hoxha

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka folur rreth procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe qytetarët e saj, ku ka shprehur besimin se ky proces do të mbyllet në fund të këtij viti.

Hoxha ka shtuar se para se vendimmarrja të kaloi në dorën e ministrave të vendeve anëtare të BE-së, janë edhe disa hapa paraprakë të cilët duhet të përfundohen.

“Javë më parë kishim edhe vizitën e COWEB-it, që është grup punues në kuadër të Këshillit Evropian, dhe një grupi punues tjetër për vizat. Këto dy grupe janë duke e konsoliduar opinion në kuadër të vendeve anëtare në lidhje me liberalizimin. Në momentin që këto dy grupe arrijnë konsensusin që të vazhdojnë me hapin tjetër, atëherë çështja kalon tek niveli i ambasadorëve permemanent të akredituar në Bruksel, dhe aty duhet të votohet është votimi i njëjtë sikurse në Këshillin e ministrave na nevojiten 55% të shteteve që përbëjnë 65% të popullsisë, pas kësaj atëherë kalohet tek këshilli i ministrave”, ka thënë Hoxha.

Ministrja Hoxha më tej ka shtuar se takimet e Këshillit të ministrave mbahen çdo dy muaj dhe se për këtë kohë takimet e mbetura janë njëri tani në tetor dhe tjetri në fillim të dhjetorit.

“Është më reale që këto mund të përfundohen dhe të merret vendimi në Këshillin e ministrave në dhjetor, por e gjitha varet nga vendet anëtare, se a dëshirojnë ta fusin në agjendën e dhjetorit çështjen e vizave për Kosovën. Nëse nuk arrihet konsensusi në këto grupe punuese nuk mund të kalojmë në nivelin tjetër të vendimmarrjes, por sipas informatave që kemi për momentin jemi mirë”, u shpreh Hoxha.

Duke folur rreth vendeve anëtare të BE-së siç janë Gjermania, Franca dhe Holanda të cilat është thënë se janë skeptike sa i përket këtij procesi, ministrja Hoxha shtoi se është e vërtetë që kanë hezitim, mirëpo që kjo nuk ka të bëjë me Kosovën.

“Është e vërtetë unë e kam thënë edhe herëve të kaluara Franca dhe Holanda janë më skeptike jo ndaj Kosovës, por për shkak të debatit të ashpër që po zhvillohet në politikat e tyre të brendshme lidhje me migrimin. Në Gjermani ky skepticizëm buron për shkak të zgjedhjeve që ata do ti kenë dhe ata nuk duan që të marrin një pozicion që do ti rrezikonte këto zgjedhje. Në këto tri shtete hezitimi rrjedh edhe për shkak të rritjes së partive të ekstremit të djathta. Ky skepticizëm s’ka të bëjë asgjë me Kosovën”, tha Hoxha, duke shtuar se si institucione të vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me këto vende, duke ju treguar se qytetarët e Kosovës nuk do të përbëjnë rrezik me rastin e liberalizimit të vizave.

Hoxha ka theksuar se beson që procesi i liberalizimit të përmbyllet gjatë Presidencës austriake.

E pyetur rreth deklarata që është thënë se mund të ketë shtyrje të procesit të vizave deri në vitin 2020, ministrja Hoxha theksoi se nuk ka sinjale të tilla.

“Nga burimet tona nga bisedat, takimet me zyrtarët e lartë të BE-së nuk kemi marrë këto sinjale, neve na nevojitet Gjermania që të formësoj opinionin e saj dhe të jetë përkrahëse.

Na nevojitet vendimmarrja brenda këtij viti, në rast se Bashkimi Evropian nuk arrin ta përmbyll vendimmarrjen brenda këtij viti atëherë vitin e ardhshëm kemi zgjedhjet parlamentare në Parlamentin Evropian. Ne nuk kemi sinjale që ka intenca apo presin që ky proces të shtyhet, është një vullnet i mirë sidomos në presidencën austriake që ky proces të përmbyllet brenda këtij viti”, tha Hoxha.

Ajo shtoi se në rast të përfundimit të procesit të vizave brenda këtij viti, atëherë data se kur do të mund të lëvizin qytetarët mbetet në dorën e vendeve anëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat