Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka komentuar përplasjen e fundit mes presidentit të vendit, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, për kufijtë e vendit.
Zemaj ka thënë se nuk e konsideron serioze luftën e fjalëve mes Thaçit e Haradinajt.
Ai ka thënë se bëhet fjalë vetëm për një përpjekje mes krerëve të shtetit për t’i “hedhur hi syve” opinionit, për t’i mashtruar se gjoja ata kanë qëndrime të kundërta.
“Është taktikë për të tërhequr vëmendjen nga gabimet dhe mosushtrimi i përgjegjësisë si bartës të institucioneve”, është shprehur ai.
“Është mashtrim. Fjalor inati, ditor... se kush mund të lëshojë një fjalë dhe të tregojë fuqi”, ka thënë Zemaj
Sipas tij, ky është “tregues i qartë i logjikës i tyre, si funksionojnë”.
Zemaj ka vlerësuar se as Thaçi, e as Haradinaj, s’janë të denjë për postet që i mbajnë.