Vetëvendosje: Kryeministri nuk dëshiron ta ndal plaçkitjen e Telekomit

Aktuale

Vetëvendosje: Kryeministri nuk dëshiron ta ndal plaçkitjen e Telekomit

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 16:12
Salem Lepaja dhe Besnik Bislimi

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për krizën në Telekomin e Kosovës, përkatësisht sipas zyrtarëve të kësaj partie vetë kryeministri nuk ka vullnet për ta ndalur plaçkitjen që sipas tyre po i bëhet kësaj ndërmarrje.

Kështu është thënë në një konferencë për media, ku është folur lidhur me mos zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës që është nxjerrë për gjendjen financiare të Telekomit.

Profesori universitar Salem Lepaja ka thënë se kriza në Telekom është e programuar dhe me çdo kusht po dëshirojnë që ta thellojnë krizën.

Ai ka kërkuar që rezoluta e Kuvendit të Kosovës të zbatohet sa më parë, e në veçanti pika 4 e saj, në të cilën thuhet se Qeveria duhet të tërheqë anëtarët aktual të Bordit të emëruar pa bazë profesioonale dhe të propozojë anëtarë me integritet të lartë dhe profesionistë me përvojë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, financave dhe administrim të ndërmarrjeve

Lepaja është shprehur se krimi i organizuar po ka avokat dhe mbrojtës Qeverinë aktuale dhe Prokurorinë.

Lepaja: Kryeministri nuk ka vullnet për ta ndalur këtë plaçkitje

“Rezoluta heshtet nga Qeveria, kurse kriza e orkestruar në Telekomin e Kosovës vazhdon të thellohet. Pse Qeveria nuk e zbaton rezolutën e Kuvendit, pse kryeministri nuk e kryen obligimin e tij. Praktikisht Qeveria nuk e ka pasur vështirë ta zbatojë rezolutën nëse nuk do të ishte e implikuar vetë në këtë situatë. Sipas ligjit Qeveria në emër të qytetarëve të Kosovës zotëron qind për qind të aksioneve të Telekomit dhe krejt çka duhet të kishte bërë kryeministri për ta ndalur plaçkitjen është të urdhëronte z.Valdrin Lluka ministrin e tij për Zhvillim Ekonomik të suspendonte këtë kontratë me Z-Mobile menjëherë. Ministri Lluka nga ana e tij e ka obligim të veprojë edhe pa marrë urdhër nga kryeministri, madje ai edhe personalisht si ish punëtor i Z-Mobile e njeh intimisht natyrën e dëmshme të kësaj kontrate. Kryeministri e ka edhe drejtorin ekzekutiv Gent Begolli  të emëruar nga partia e tij. Pra, kryeministri nuk ka as një pengesë as ligjore as praktike për ta ndalur këtë plaçkitje, por kryeministri nuk ka vullnet”, tha Lepaja.

Sipas tij, janë edhe dy zyrtarë të tjerë që do të mund ta ndalonin këtë plaçkitje, e që ata sipas tij janë kryeprokurori Aleksandër Lumezi dhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku

Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes  Besnik Bislimi, ka thënë se në rezolutë kanë qenë të definuar qartë si veprimet ashtu edhe periudha kohore, por që nuk janë respektuar nga Qeveria e Kosovës.

Bislimi: Asnjë nga veprimet e rezolutës nuk është respektuar nga Qeveria e Kosovës

“Asnjë nga këto veprime edhe pse i kanë pasur të qarta edhe afatin kohorë nuk është respektuar nga Qeveria e Kosovës. Në vend të respektimit të këtyre pikave Qeveria ka vendosur të trash keqpërdorimet, të vazhdojë punësimet dhe të përshpejtoj ritmin e shkatërrimit të kësaj kompanie me rëndësi të veçante për ekonominë e Kosovës. Ju rikujtoj edhe një herë se është fjala për një rezolutë që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës, nga shumica e deputetëve prezentë që kanë qenë aty”, deklaroi ai.

Sipas tij, mos respektimi i rezolutave të nxjerra nga Kuvendi i Kosovës është mos respektim i rolit të Kuvendit të Kosovës.

Bislimi ka thënë se janë 14 rezoluta që janë nxjerrë vetëm këtë vit nga Kuvendi i Kosovës dhe sipas tij asnjë nuk është zbatuar.

Bislimi: Kjo Qeveri nuk mund të dëshmojë se ka respektuar vetëm një rezolutë të vetme

“Kjo Qeveri nuk mund të dëshmojë se ka respektuar apo implementuar qoftë edhe vetëm një nga këto rezolutat të aprovuara deri më tani. Në ndërkohë ne na bëjnë thirrje të vazhdueshme, bashkë edhe LDK-së që të bashkohemi në aprovimin e një rezolute të përgatitur nga ata për dialogun me Serbinë dhe për bërjen e ekipit negociator. Madje, na thuhet se miratimi i kësaj rezolute është garancë që të mund të ndalim aventurat e rrezikshme të Presidentit Thaçi. Nëse kjo Qeveri më të vërtet beson se rezolutat kanë peshë dhe mund ta ndalin presidentin atëherë e kanë pasur mundësinë që në vazhdimësi të na dëshmojnë për peshën e rezolutave. Duke shkelur dhe injoruar rekomandimet e secilës prej rezolutave të deritanishme dhe duke preferuar vazhdimin e keqpërdorimeve, intensifikimin e skandaleve Qeveria në fakt na ka dëshmuar se edhe këtë rezolutë e duan të aprovuar vetëm për ta shkelur”, tha ai.

Vetëvendosja nuk ka marrë pjesë ditën e djeshme në tryezën e thirrur nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, për arritjen e një rezolute të përbashkët me partitë opozitare për dialogun Kosovë-Serbi, e për këtë tryezë Bislimi ka pasur disa fjalë.

Bislimi: Veselit të kujdeset për rezolutat e miratuara

“Kadri Veselit i rekomandojmë që të kujdeset pak më shumë për implementimin e atyre vendimeve që i ka nxjerrë vetë Kuvendi nën administrimin e tij, po e them se janë 14 rezoluta vetëm këtë vit. Le të dëshmojë Kadri Veseli që është kujdesur qoftë për njërën prej tyre pastaj do të flasim për këtë rezolutë për të cilën e kërkojnë mbështetjen tonë”, tha ai.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e thirrjes në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me mos respektimin e rezolutave të miratuar në Kuvend, por që u shpreh se puna e Kuvendit ka ngecur për shkak të mos thirrjes së seancës së jashtëzakonshme të thirrur nga opozita.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat