Diplomacia në zbehje

Aktuale

Diplomacia në zbehje

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 19:10
Foto ilustrim

Diplomacia e Kosovës po shënon zbehje të vazhdueshme, qoftë në aktivitete, përfaqësim të vendit apo edhe në fushën e politikave të kultivimit të marrëdhënieve me vendet tjera, thonë njohësit e fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Sipas tyre, viteve të fundit, Kosova ka shënuar një rënie me shërbimin e vet diplomatik si dhe me aktivitetet diplomatike.

Profesori Lisen Bashkurti, ish-përfaqësues i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, tha për Radion Evropa e Lirë, se kjo zbehje e diplomacisë së Kosovës, lexohet nga e gjithë agjenda diplomatike, zbehja e aktiviteteve dhe efikasiteti i marrëdhënieve me shtetet që e kanë njohur Kosovën.

"Përgjithësisht ka zbehje të aktiviteteve dhe efikasitetit të marrëdhënieve me shtetet që e kanë njohur, sikundër ka një plogështi një stepje, për të ndërmarrë iniciativa të reja tek ato vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën”.

“Ka prej këtyre vendeve rreth 60 shtete, një pjesë e të cilave presin që nga diplomacia e Kosovës të ketë më shumë informim, komunikim me qëllim që të formalizojnë aktin e njohjes. Ka shtete të tjera që nuk kanë fare informacion për Kosovën dhe për këtë duhet të ndërmerren hapa të veçantë nga shërbimi diplomatik i Kosovës, për t’i informuar mbi themelimin e shtetit të Kosovës, Kushtetutën, institucionet, ligjet dhe ecurinë e tij dhe interesat që ka", tha Bashkurti.

Ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i cili në Konferencën Ambasadorëve në Prishtinë kishte deklaruar se ambasadorët vetëm ankohen se nuk po iu dërgohen instruksione nga Prishtina.

“Mendoj se është i pazoti ai ambasador ose ai diplomat që thotë se nuk po na dërgon Prishtina instruksione. Unë mendoj se ai është një qyqan ose qyqane”, kishte deklaruar Haradinaj.

Por, besohet se problemi qëndron përtej deklaratave të Haradinajt. Edhe shërbimi diplomatik, ngjashëm me administratën publike, shihen si sektorë të punësimit të njerëzve partiak dhe jo të njerëzve në bazë të meritave.

Kjo praktikë, thuhet se është pasojë e politikave të gabuara qeverisëse që janë aplikuar si nga qeveritë e kaluara, ashtu edhe kjo aktuale e Kosovës.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjithë duhet ta pranojnë faktin se shërbimi i jashtëm i Kosovës, nuk është themeluar mbi baza të shëndosha dhe të meritave.

Ai thotë se si pasojë e kësaj, gjendja e diplomacisë së Kosovës nuk është e mirë.

"Nuk ka dilemë se [emërimet politike] e kanë dëmtuar në masë të madhe diplomacinë. Në raste të caktuar ne kemi diplomat që nuk njeh as nocionet themelore të politikës së jashtme, të shërbimit të jashtëm dhe diplomacisë në përgjithësi. Si rrjedhojë, ne kemi një shërbim të jashtëm jashtëzakonisht të brishtë dhe që po ashtu i kanë sjellë shumë pasoja, për të mos thënë fare të mira vendit", tha Hoti.

*Video nga arkivi: Ti dhe shteti yt

Ai shtoi se në të shumtën e rasteve emërimet në shërbimit diplomatike janë bërë në bazë të përllogaritjeve të partnerëve të koalicioneve të ndryshme që kanë qeverisur me vendin. Bazuar në emërime jo adekuate, disa shtete kanë refuzuar që t’i pranojnë diplomatët e Kosovës si ambasadorë.

"Kam informacione që në disa situata kandidatët e Republikës së Kosovës janë refuzuar për ambasador në shtetet e ndryshme për shkak të kaluarës së tyre ose qëndrimeve që kanë pasur kundrejt shtetit ku është pritur dërgimi i tyre dhe si rrjedhojë është tërhequr kandidati edhe pastaj ka filluar shërbimin në një vend tjetër", u shpreh Hoti.

Ndërkaq, Lisen Bashkurti mendon se mungesa e një strategjie politike shtetërore dhe posaçërisht e politikës së jashtme, ka ndikuar në zbehjen e imazhit dhe punës së shërbimit të jashtëm diplomatik të Kosovës.

"Madje, mund të thuhet se nuk i ka shpëtuar këtij defekti, këtij problemi edhe politika e personelit, e emërimeve brenda sistemit diplomatik në ministri ose trupin diplomatik jashtë. Kërkohet të ketë më shumë autonomi dhe pavarësi shërbimi diplomatik i Kosovës, të jetë më shumë i bazuar në profesionalizëm sesa të jetë politikisht i motivuar dhe të respektojë më shumë karrierën e diplomatit, ndonëse janë tërësisht të ri", tha Bashkurti.

Ai thekson, po ashtu, se diplomacia e Kosovës ka rënë në kurthin e lojës me diplomacinë serbe.

Sipas tij, Serbia ka një shërbim diplomatik të konsoliduar. Ka ruajtur dhe vazhdon të ruajë marrëdhëniet normale me të gjitha vendet bilaterale, ndërkohë që Kosova, sipas tij, po tregohet e dobësuar në shumë aktivitete diplomatike.

"Është e domosdoshme që diplomacia e Kosovës të vazhdojë agjendën e saj sidomos me intensifikimin e aksionit diplomatik me ato pesë vende të Bashkimit Evropiandhe shtete tjera që janë skeptik për njohjen e Kosovës", tha Bashkurti.

Image
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli

Ministria e Jashtme e Kosovës dhe në përgjithësi diplomacia e kosovare, thotë Bashkurti, nuk po sjell asgjë të re në veprimtarinë e saj. Bashkurti ka vërejtje të drejtpërdrejta edhe te politika që po udhëheqë shefi aktual i diplomacisë së Kosovës.

"Personalisht, kam pritur shumë më tepër, një veprim diplomatik më praktik, më pragmatik nga ministri aktual, por jam personalisht mjaft i zhgënjyer nga mënyra se si ai po drejton Ministrinë e Punëve të Jashtme”, theksoi Bashkurti.

Ai kritikon aktivitetin diplomatik të ministrit të Jashtëm, si për kah angazhimi në planin e njohjeve ët reja të Kosovës apo edhe në aktivitetet që ndërlidhen me diplomacinë ekonomike, diplomacinë tregtare, bashkëpunimi ekonomik me vendet tjera, nxitjen e investimeve të huaja apo për promovimin e bashkëpunimit ekonomik ndërkombëtar.

Ndryshe, analistët politikë thonë se politika e jashtme e Kosovës po reflekton ndasi në qëndrime rreth çështjeve të ndryshme, të cilat, sipas tyre, mund të sjellin pasoja të mëdha për vendin.

Në Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, thonë se “Republika e Kosovës ka siguruar mbi 115 njohje” dhe se “njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës është prioritet i ministrisë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat