Berisha i reagon Hoxhajt: Deklarata individuale nga kabineti qeveritar e dëmtojnë procesin e liberalizimit

Aktuale

Berisha i reagon Hoxhajt: Deklarata individuale nga kabineti qeveritar e dëmtojnë procesin e liberalizimit

Nga: G.B Më: 13 tetor 2018 Në ora: 10:51
Anton Berisha

Zëvendëskryeminsitri Enver Hoxhaj, ka thënë se “nëse Europa nuk na liberalizon vizat deri në fund vit, atëherë nuk kemi arsye t’i besojmë asaj”.

E pas kësaj deklarate, ka reaguar zëvendësministri i jashtëm, Anton Berisha, i cili ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave po ecën në rrugën e duhur, e për këtë po bëhen përpjekje të
përbashkëta të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se në cilësinë e zëvendësministrit të jashtëm, është në angazhime të vazhdueshme.

Ai ka thënë se duhet ikur deklaratave shantazhuese pasi nuk është kulturë evropiane dhe me to nuk do të fitojmë asgjë.

“Duhet pasur kujdes që t’iu ikim deklarimeve të natyrës tendencioze dhe shantazhuese ngase ajo nuk është gjuhë e kulturës europiane e as mundësi praktike e shtetit e popullit tonë. Dhe me to nuk fitojmë asgjë. Kosova nuk ka rrugë tjetër, përpos atë të integrimit në Europë, sepse, Europa është atdheu i vlerave tona të përbashkëta”, ka shkruar ai në Facebook.

Postimi i tij i plotë në Facebook:

EUROPA ËSHTË ATDHEU I VLERAVE TONA TË PËRBASHKËTA

Procesi i liberalizimit të vizave është duke ecur në rrugën e vet të duhur dhe për këtë, po bëhen përpjekje të përbashkëta të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Europian.

Në cilësinë e zëvendësministrit të jashtëm, jam në angazhime të vazhdueshme në këtë temë. 
Sot, sapo jam kthyer nga Vjena, ku kam zhvilluar takime me diplomatë të shteteve më të rëndësishme të Europës, si dhe me personalitete me influencë, me qëllim të marrjes së përkrahjes nga shtetet e tyre.

Institucionet tona, zyrtarët e lartë, si dhe e gjithë shoqëria, duhet të vazhdojnë përpjekjet, duke dhënë shembuj të mirë, se ne respektojmë rregullat dhe vlerat europiane.

Çdo veprim ndryshe, e aq më pak, deklarata individuale nga kabineti qeveritar, me diskursin e fajësimit të Europës, duke e trajtuar procesin e vizave si një test për Europën ndaj nesh, si dhe qasje kushtëzuese se, në mungesë të “vendimit pozitiv, s’kemi arsye t’i besojmë Evropës’, e dëmton procesin, dhe tregon mungesën e përkushtimit.

Duhet pasur kujdes që t’iu ikim deklarimeve të natyrës tendencioze dhe shantazhuese ngase ajo nuk është gjuhë e kulturës europiane e as mundësi praktike e shtetit e popullit tonë. Dhe me to nuk fitojmë asgjë.

Kosova nuk ka rrugë tjetër, përpos atë të integrimit në Europë, sepse, Europa është atdheu i vlerave tona të përbashkëta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat