KDI: Kuvendi të fillojë me mbajtjen e seancave, 7 marrëveshje ndërkombëtare presin për ratifikim

Aktuale

KDI: Kuvendi të fillojë me mbajtjen e seancave, 7 marrëveshje ndërkombëtare presin për ratifikim

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 13:21
Kuvendi i Kosovës

Ka kaluar kohë prej se Kuvendi i Kosovës po përballet me mungesë të kuorumit, që si rezultat ka sjellë mosmbajtje të seancave plenare ku duhej të miratoheshin projekligjet e caktuara në rend dite.

Mos mbajtja e asnjë seance për gati një muaj vetëm sa i grumbulloi më shumë projektligjet dhe çështjet e tjera, të cilat Kuvendi i ka në agjendë për shqyrtim.

Dy muajt e fundit të sesionit pranveror, Kuvendi ka qenë tërësisht jofunksional si pasojë e problemeve me sigurimin e kuorumit të nevojshëm për votim të ligjeve. Si shkak i dështimit të mbajtjes së seancave ishte edhe caktimi i orarit në kohën kur komisionet kanë paralajmëruar mbajtje të takimeve të tyre.

Kështu thotë Monitoruesja e Kuvendit të Kosovës nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Agnesa Haxhiu.

“Për mungesë kuorumi, pesë seanca kanë mbetur të papërfunduara që nga muaji Qershor e ku ishte paraparë miratimi final i disa projektligjeve dhe raporteve vjetore të institucioneve të pavarura të cilat nuk kanë arritur që të hedhen në votim për shkak të mungesës së kuorumit”, tha ajo.

Haxhiu tregon se për sesionin vjeshtor Kuvendi deri më tani i ka gjithsej 70 projektligje në procedurë të shqyrtimit nga mbi 100 sa ishin në fillim të vitit. Sipas saj ky numër mund të rritet nga Qeveria përmes projektligjeve tjera që pritet të procedohen në Kuvend deri në fund të vitit.

Prej këtyre 70 projektligjeve, 9 janë gjithsej që ende nuk janë shqyrtuar nga komisionet përkatëse, ndërsa 61 projektligjet tjera janë mes shqyrtimit të parë dhe të dytë.

Haxhiu sqaron se 7 nga këto projektligje janë ratifikim i marrëveshjeve ndërkombëtare, shumica prej tyre me karakter financiar që për miratim i duhen 2/3 e votave të deputetëve.

“Përmbushja e kësaj agjende do të jetë shumë sfidë për Kuvendin në qoftë se do të vazhdoj të jetë në këtë nivel performanca e punës së Kuvendit”, tha ajo.

Haxhiu i bëri thirrje Kryesisë së Kuvendit ta kthejë praktikën e mbajtjes së seancave në ditën e enjte eventualisht në të premten, siç parashihet me Rregulloren e Punës, në mënyrë që t’u ipet hapësirë komisioneve parlamentare për t’i mbajtur takimet ditëve te tjera.

“Kështu do të zvogëlohej mundësia e dështimit qoftë të seancave ose të mbledhjeve të komisioneve dhe të grumbullimit të çështjeve që duhet të shqyrtohen”, tha ajo.

Lidhur me këtë, nga partitë në koalicion bëhet thirrje që mos të bllokohet puna e Kuvendit, e në veçanti kur bëhet fjalë për miratim të projektligjeve të tilla, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Rasim Selmanaj, deputet nga Aleanca për Ardhmëri të Kosovës tha se ky bojkot i Kuvendit është për çdo kritikë, sidomos kur janë në pyetje projektligje të tilla.

“Gjithë deputetët që morën besimin e qytetarëve kur kërkonin vota për postin e deputetit e kanë obligim ndaj ligjeve që u përgjigjen qytetarëve. Aspak nuk është korrekte bllokimi i projektligjeve që kanë karakter financiar, ose marrëveshjet ndërkombëtare që janë të domosdoshme për vendin tonë”, tha Selmanaj.

Naser Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se si opozitë ata i mbështesin ligjet me shumicë të kualifikuar që kalojnë vetëm me 2/3 e votave, duke shtuar se  janë të vetëdijshëm që pozita nuk i ka votat. E duke u nisur nga kjo, ai i bëri thirrje Qeverisë të “lëshojnë rrugë” për qeverisje të re.

“Nëse ju kujtohet opozita e ka thirr një seancë, seancën e fundit ku me 2/3 e votave kaluan marrëveshjet që ishin në procedurë. Por disa marrëveshje nuk kanë arritë të përfundohen, siç është marrëveshja me Dukën e Luksemburgut, dhe disa të tjera që faktikisht janë marrëveshje financiare në interesa të Kosovës. Ne si opozitë i përkrahin marrëveshjet, por çështja është se pozita duhet t’i sigurojë votat për kalimin e projektligjeve të tjera sepse ata e kanë përgjegjësi e institucioneve, e të njëjtën kohë e kanë përgjegjësi t’i sigurojnë edhe votat. Nuk funksionon shteti vetëm me votën e opozitës”, tha ai.

Vlen të theksohet se janë edhe 53 projektligje të parapara nga Qeveria për t’u dërguar në Kuvend, por që nuk janë prezantuar ende.

Ndërsa Kryesia e Kuvendit vendosi për mbajtjen e mbledhjen së radhës, e cila do të mbahet të hënën prej orës 09:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat