Deputeti i PDK-së i kërkon dorëheqjen Ministrit të FSK-së nëse SHBA i ka vendosur vija të kuqe

Aktuale

Deputeti i PDK-së i kërkon dorëheqjen Ministrit të FSK-së nëse SHBA i ka vendosur vija të kuqe

Më: 13 tetor 2018 Në ora: 16:47
Berisha dhe Haradinaj

Ditën e premte është raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkëputur komunikimin me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berishën, shkaku i aktakuzës që ngritur ndaj tij nga Prokuroria Speciale për dyshimet rreth manipulimeve me listat e veteranëve të UÇK-së.

Lidhur me këtë çështje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili i cili është edhe anëtar në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, ka thënë se nëse do të ishte në vend të ministrit Berisha do të jepte dorëheqje.

“Me pas qenë unë në pozitën e tij, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës më  kishin vënë vijë të kuqe, kisha dhënë dorëheqje, nuk e kisha lejuar me qenë pengesë për procesin”, ka thënë ai.

I pyetur nëse kjo çështje do të ngrihet edhe në Komisionin për FSK-në, Xhelili ka thënë se është mirë që ministri Berisha të thirret në raportim për të sqaruar se cila është situata.

“Në qoftë se janë prononcuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim, atëherë mendoj është mirë me e ngritë edhe në Komision këtë çështje, se paku me e thirr ministrin në një dëgjim se çfarë mendon ai dhe cila është gjendja”, ka shtuar tutje deputeti i PDK-së.

Sipas tij duhet pasur kujdes në raport me qëndrimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës

“Sidoqoftë gjithherë duhet me qenë të kujdesshëm në raport me ato prononcime që i bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth drejtuesve të dikastereve tona”, është shprehur Xhelili.

Sa i përket zhvillimeve rreth listave të veteranëve dhe ngritjes së aktakuzës për 12 persona, ku është i përfshirë edhe ministri nga radhët e AAK-së, Rrustem Berisha, Xhelili thotë se ka ende dilema rreth asaj se kush është fajtori, megjithatë sipas tij Berisha e di më së miri nëse është fajtor në këtë çështje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat