LDK dhe VV bojkotojnë seancën, marrin pjesë vetëm në debatin për FSK-në

Aktuale

LDK dhe VV bojkotojnë seancën, marrin pjesë vetëm në debatin për FSK-në

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 09:29
Kryesia e Kuvendit të Kosovës

(E plotësuar) - Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja kanë bojkotuar vazhdimin e seancës së sotme, megjithatë këto dy parti do të marrin pjesë në seancën e së enjtes ku do të diskutohet për pakon e ligjeve që shndërron FSK-në në ushtri.

Sot, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit është bërë e ditur se është kërkuar që pako e ligjeve për FSK-në të mos diskutohet të enjten, për shkak të buxhetit- megjithatë për FSK-në do të diskutohet në këtë seancë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, pas mbledhjes u shfaq i bindur se Kosova do të ketë ushtri brenda këtij viti.

Veseli: Ushtria e Kosovës do të kryhet brenda këtij viti

“A dukem pacifist, a dukem. Unë jam krenar në jetën time, nëse ka diçka që ndihem krenare është që kam qenë në UCK, por në UCK kemi vepruar bashkë, kemi arritur suksese pikërisht përmes një partneriteti të cilin e kemi pasur të mençur me ShBA-të dhe Bashkimin Evropian. Ushtria e Kosovës donë apo nuk donë dikush, Lista serbe ka qenë kundër, do të kryhet brenda këtij viti. E gjithë ajo që po bëjmë është të shkojmë me mençuri, me maturi ta kalojmë këtë ligj i cili do të kryhet brenda këtij viti. Por, e mençur është që të respektohen procedurat dhe të shkohet mençurishtë me partnerët tanë, të mos dëmtohet liberalizimi i vizave të jem shumë i sinqertë. Nëse është qëllimi i opozitës me e dëmtua liberalizimin e vizave edhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol yrysh. Ne jemi duke u munduar që ta ruajmë substancën e cila është shteti i pavarur dhe sovran, ShBA dhe Bashkimi Evropian”, tha Veseli.

Veseli u shpreh se ideja është që në ushtrinë e Kosovës të investohen miliona euro për të qenë një ushtri funksionale dhe e armatosur.

Veseli: Ideja është për të investuar me dhjetëra miliona në ushtri

“Edhe unë jam po aq sa të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës entuziast ditën që do ta kalojmë transformimin e FSK-së, por duhet të investojmë aty. Jo vetëm ta bëjmë në mënyrë simbolike, duhet ta forcojmë atë... Forcat e Armatosura më pëlqen ky entuziazëm militaristë do të jenë, por nuk e kemi ndërmend të shkojmë në një proces në të cilin nuk kemi siguri që vërtet ta bëjmë një nga Forcat e Armatosura më profesionale. Kjo do të ndodhë, mesazhi për qytetarët e vendit tim është, ushtria e Kosovës do të ndodhë brenda këtij viti, kjo është shumë e qartë. Ajo çka duhet të koncentrohemi është fuqizimi i buxhetit të Republikës së Kosovës që të investohet në Forcën e ardhshme të Armatosur, të jetë tamon funksionale dhe profesionale, si dhe e pajisur. Ideja është për të investuar me dhjetëra miliona në ushtri, e jo për ta mbajtur ashtu siç e kemi sot pa pajisje”, tha ai.

Deputetë nga dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe VV kanë shpjeguar arsyet për bojkotimin e seancës së sotme, por pjesëmarrjen në seancën e së enjtes.

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, ndër tjerash tha se institucionet po shfaqin paqëndrueshmëri, dhe jo legjitimitet.

Zemaj: Nuk marrim pjesë në këtë vazhdimin e seancës

“Qëndrimi i LDK-së është që nuk marrim pjesë në këtë vazhdimin e seancës, arsyet i dini janë të njohura dhe nuk ka nevojë që të përsëriten. Gjendja aktuale është pothuajse e njëjtë, institucionet e Republikës së Kosovës po tregojnë paqëndrueshmëri, mbi të gjitha jo legjitimitet të plotë duke parë mangësitë dhe efikasitetin në kryerjen e detyrave ligjore kushtetuese që i kanë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Seanca e rregullt e thirrur për të enjten përmban në vete ligje të rëndësishme që janë në programin dhe ideologjinë tonë politike, transformimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe dy ligjet e tjera që kanë të bëjnë për plotësimin e kësaj fushe veprimtarie. Pjesa tjetër ndërlidhet me ligjet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe LDK do të marrë pjesë në këtë pjesë dhe për vazhdimet e tjera do të vendosim bashkërisht në subjektin tonë”, tha ai.

Edhe deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në mbledhje të kryesisë është kërkuar që për shkak të buxhetit të shtyhet diskutimi për pakon ligjore, për shndërrimin e FSK në ushtri.

Ajo tha se kanë insistuar që kjo pikë të jetë të enjten.

Haxhiu: Tek sot iu ra ndërmend që nuk ka buxhet për këtë pako ligjore

“Mua mu duk një far loje, siç kanë qenë edhe më përpara. Ju e dini që ka pasur tri iniciativa me amendamente kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri, mirëpo për shkak të qasjes jo serioze dhe në anën tjetër për shkak të pengesave të Listës serbe, e cila dirigjohet nga Serbia amendamentet kushtetuese nuk kanë arritur që të kalojnë. Tash edhe kjo e fundit kur është proceduar kjo pako ligjore ne kemi thënë që ka një qasje jo serioze në këtë drejtim dhe kështu po del. Pra, tek sot në fund të mbledhjes së kryesisë kryetarit të Kuvendit i ra ndërmend që nuk ka buxhet për këtë pako ligjore. Prandaj, tha se ekziston një problem në rendin e ditës për seancën e së enjtes a ta shtyjmë për një mbledhje tjetër dhe ne si opozitë insistuam që kjo të jetë të enjten për shkak se është e padrejtë që të bëhen manipulime ose që të tregohemi jo serioz karshi transformimit të FSK-së në ushtri”, tha Haxhiu.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës po mban mbledhjen e radhës me shefat e grupeve parlamentare, por aktualisht aty mungon shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Ndërkaq, në orën 10:00, do të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit, me pikat e mbetura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat