Aprovohet Strategjia shtetërore kundër narkotikëve

Aktuale

Aprovohet Strategjia shtetërore kundër narkotikëve

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 15:27
Mbledhja e 69-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës P

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin Ekonomik Social, ishte pika e parë e rendit të ditës në Mbledhjen e Sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që mori aprovimin e kabinetit qeveritar. Inkorporomi i dispozitave të reja të nevojshme, Ndryshimi i dispozitave të cilat kanë hasur në vështirësi gjatë implementimit të ligjit në praktikë, Harmonizimi i ligjit me ligjet tjera që rregullojnë këtë fushë, Përfshirja e rekomandimeve të dala nga raporti i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale gjatë monitorimi të zbatimit të ligjit, Kushtet dhe kriteret për përfaqësim në Këshillin Ekonomik Social, Financimi i Këshillit Ekonomik Social, Sekretariati i Këshillit Ekonomik Social dhe Zëvendësit e anëtarëve në Këshillin Ekonomik Social, janë çështjet kryesore të adresuara në këtë plotësim ndryshim të këtij ligji. 

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe Projektligji për Odën e Arkitektëve dhe odën e inxhinierëve të Kosovës. Me aktin e aprovuar parashihet themelimi i Odës së Arkitektëve dhe Odës së Inxhinierëve në fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura. Projektligji rregullon anëtarësimin, selinë, statusin, rolin dhe fushëveprimin e odave, licencimin e profesioneve, përgjegjësin disiplinore dhe edukimin e vazhdueshëm të arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit.

Me vendimin e aprovuar sot është themeluar Komisioni ndërinstitucional për trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm. Zyra e Kryeministrit do të ofrojë përkrahje administrative për punën e Komisionit, i cili do të analizojë, rekomandojë dhe trajtojë të gjitha çështjet që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka miratuar Rregulloren për burimet dhe praktikat e rrezatimit jonizues, rregullore kjo që ka për qëllim të vendosë kontrollin rregullator mbi praktikat dhe burimet e rrezatimit që mund të paraqesin rrezik për njerëzit dhe mjedisin. 
Po sot, u miratua edhe Strategjia shtetërore kundër narkotikëve dhe Planin e veprimit 2018-2022 , si dhe me vendimin e miratuar sot në mbledhje nga Qeveria e Kosovës, janë transferuar mjetet financiare nga Kuvendi i Kosovës te Ministria e Administratës Publike, në nën programin e Agjencisë për Shoqërinë e Informacionit, për nevoja të “Projektit E-Qeverisja”. Shuma e mjeteve të transferuara është 480 mijë euro.

Gjithashtu, u ndanë mjete financiare, në shumën 29.900 euro, për mbulimin e shpenzimeve të rivarrimit të heronjve Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi.

Edhe vendimi për aprovimin e Planit të veprimit të Ministrisë së Financave për zbatimin e rekomandimeve të Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2017, ka marr aprovimin nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme.

Me propozim të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, janë aprovuar kërkesat e Komunës së Graçanicës dhe Komunës së Zveçanit, për tërheqje nga procesi i privatizimit dhe kthim në pronësi të këtyre komunave, të pronave të paluajtshme, me qëllim të realizimit të projekteve të interesit publik në këto komuna.

Qeveria ka miratuar vendimin për ti rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrinë e Financave për nënshkrim të Marrëveshjes së kredisë me Raiffeisen Bank International, për financimin e projektit të skemës për furnizim me ujë në Komunën e Ferizajt si dhe është aprovuar në parim nisma për lidhjen e marrëveshjeve të sigurimeve sociale me Qeverinë e Republikës së Kroacisë dhe me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për propozimin e emërimit të kryesuesit të Bordit të Rregullatorit për Energji. Me plotësim-ndryshimin e vendimit, Qeveria i propozon Kuvendit këta kandidat:

1.         Fadil Ismaili

2.         Petrit Pepaj

3.         Përparim Kabashi

4.         Bekim Jakupi
 

Pas shqyrtimit, Qeveria ka aprovuar Koncept dokumentin për Teatrot. Koncept dokumenti identifikon nevojën për krijimin dhe zhvillimin  e politikave, ambientit dhe mekanizmave të përshtatshëm për promovimin e kulturës dhe avancimin e infrastrukturës kulturore për krijimin e kushteve adekuate. Një prej çështjeve më të rëndësishme në këtë kuadër mbetet mbështetja e institucioneve publike të kulturës dhe të kapaciteteve njerëzore për agjendën e zhvillimit të kulturës dhe përmbushjen e misionit të institucioneve kulturore. 

Kryeministri Ramush Haradinaj ka ngritur për diskutim çështjen e trajtimit të ujërave në Republikën e Kosovës, duke fokusuar temën e ndërtimit të ujëmbledhësve për nevojën e sigurimit afatgjatë të furnizimit me ujë në Republikën e Kosovës. 
Është rënë dakord që në një të ardhme sa më të shpejtë të mblidhet Këshilli Ndërministror i Ujërave në Republikën e Kosovës dhe të identifikojë të gjithë hapat e nevojshëm për të adresuar çështje që kanë të bëjnë me planifikimin afatgjatë për ndërtimin e ujëmbledhësve të rinj në Republikën e Kosovës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat