Vonesa e aprovimit të projektligjit, i lë kullat e Jasharajve në gjendje të rëndë

Aktuale

Vonesa e aprovimit të projektligjit, i lë kullat e Jasharajve në gjendje të rëndë

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 20:42
Kullat e Jasharajve

Drejtori i Agjensionit për Menaxhim të Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj thotë se mosmiratimi në seancën e djeshme të Kuvendit, i projektligjit për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz e rëndon edhe më shumë gjendjen e objekteve në këtë kompleks.

Gjendja e objekteve në kompleksin memorial “Adem Jashari” është e rëndë, dhe duhet intervenim imediat në konservimin dhe restaurimin e tyre.

Kështu deklaron, drejtori i Agjensionit për Menaxhim të Komplekseve Memoriale, Bislim Zogaj.

“Me kalimin e kohës këto objekte që deri tani kanë shpëtuar pa u rrënuar, ka mundësi që çdo moment të rrëzohen dhe pastaj duhet të improvizohet diçka, kur tash i kemi të gatshme”, tha Bislim Zogaj.

Ai mos kalimin e projektligjit për këtë memorial në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, e sheh si rrezik të shkatërrimit të këtyre objekteve.

“Kjo vonesë e aprovimit të këtij ligji, mendoj që do të jetë një hendikep shumë i madh për ta bërë këtë kompleks ashtu siç e meriton, prandaj deputetët duhet të jenë më vigjilent dhe më të arsyeshëm dhe të tejkalojmë inatet apo interesat partiake”, deklaroi më tej Zogaj.

Projektligji për kompleksin memorial “Adem Jashari”, nuk kaloi gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës për mungesë votash.

Lista serbe nuk ka marrë pjesë në votim, ndërsa kanë munguar deputetët e LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Ky projektligj është thënë disa herë se është shumë i vonuar marrë parasysh gjendjen e keqe në kompleksin Memorial.

Ligji parasheh të ndahen 6 milion euro për konservimin dhe restaurimin e të gjitha objekteve të këtij kompleksi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat