Pollo: Deputetët europianë kanë kërkuar informacion për Ballën

Aktuale

Pollo: Deputetët europianë kanë kërkuar informacion për Ballën

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 07:09
Genc Pollo

Deputeti i PD, Genc Pollo, i cili ishte edhe pjesë e delegacionit të Stabilizim Asociimit në Bruksel tha se deputetët e Parlamentit Europian kanë kërkuar informacion zyrtar nga ekzekutivi i BE për Taulant Ballën.

I ftuar në studion e lajmeve të Ora News, Pollo tha se situata e krijuar ditën e djeshme me deputetët e PE nuk ishte e këndshme, por sipas tij nuk ishte ajo thelbi i çështjes.

Pjesë nga intervista

Pse akuzat ndaj Ballës ju nuk i bëni aty ku duhen bërë, në organet e drejtësisë, pse nuk shkoni në Parlament, por shkoni në PE për të na bërë gazin e botës. Ishte një shfaqje e padenjë edhe për ju si politikanë, por edhe si përfaqësues të Shqipërisë? Në sytë e mi ishte dëshpëruese.

Genc Pollo: Ishte e pakdënshme, këtu mund të biem dakord sepse qoftë të ngresh akuza personale, qoftë ta bësh këtë në një kontekst europian nuk besoj që në vetëvete i pëlqen njeriu. Por pyetja që ju dhe qytetarët mund të ngrini është a ishte e domosdoshme? Dhe këtu dalim tek thelbi i çështjes, sepse ka shumë tentativa për ta çuar debatin në periferi dhe jo në thelb të çështjes. A është normale që një person që ka pranuar se është mik familje me të dënuarin për trafik droge, të kryesojë delegacionin shqiptar në PE?! Kur akuzat janë kaq të rënda dhe dyshimet janë të forta dhe provat duket se i vërtetojnë ato, por gjykata do vendosë pas disa vitesh ka pasoja politike. Ofiqari thotë: Më vjen keq, unë tërhiqem, unë pezulloj veten time sa të sqarohen akuzat sepse qëndrimi im cënon besimin në ofiqin publik, sepse qëndrim im ende në detyrë influencon hetimet.

Deputetët e PE nuk janë gjykatës, të mos kërkojmë të vënë ata në peshore akuzat politike PD-PS...

Genc Pollo: Ata janë të informuar dhe ata i detyron protokolli që të pranojnë edhe Taulant Ballën në presidium.

Ju përmendin edhe kafshatën e bukës, ju deklaruan që keni shkuar për të ngrenë një drekë të shijshme…

Genc Pollo: Më thonë edhe gjëra më të rënda se kjo, por thelbi i çështjes nuk është ky.

Çfarë ju kanë thënë për Taulant Ballën? Ju keni bërë një deklaratë sot ku thoni se deputetët e PE kanë bërë deklarata personale sa i takon Taulant Ballës?

Genc Pollo:  Ajo që po shpjegoj është se ata nuk mund ta shkarkojnë sepse nuk kanë tagër, por ata pranojnë privatisht se janë të shqetësuar për gjendjen në Shqipëri dhe kriminalitetin dhe lidhjen me politikanët e pushtetit. E dyta që ky person përfaqëson Shqipërinë. Shprehja më klasike që mund të thuhet është "do zemë hundën me dorë dhe do bëjmë një orë mbledhje", sepse e kemi detyrim për ta bërë. 

Çfarë i pengon deputetët e PE të shprehen hapur kundër zotit Balla?

Genc Pollo: Një pjesë prej tyre kanë kërkuar informacion zyrtar nga ekzekutivi i BE, kjo gjë mund të ketë ndodhur edhe në ndonjë shtet anëtar të BE. Pra çështja nuk është se po mbetet në një kapsulë dhe po mbytet, çështja po merr dimension ndërkombëtar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat