Vetëvendosje kërkon që rasti i Vasfije Krasniqit të riprocedohet dhe fajtorët të dënohen

Aktuale

Vetëvendosje kërkon që rasti i Vasfije Krasniqit të riprocedohet dhe fajtorët të dënohen

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 15:57
Lëvizja Vetëvendosje

Gjatë ditës së djeshme, Vasfije Krasniqi-Goodman, theu heshtjen dhe rrëfeu tmerrin e përdhunimit që e kishte përjetuar në luftën e fundit në Kosovë.

Pas rrëfimit të tmerrshëm që Vasfije Krasniqi-Goodman e bëri mbrëmë për përdhunimin seksual që i ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë kur ajo ishte vetëm 16-vjeçare, ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje,

Në një konferencë për media, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se shteti dhe shoqëria duhet të bëj edhe më tepër dhe të ofroj përkrahje të parezervë për personat e përdhunuar gjatë luftës në Kosovë.

“Nga lufta e fundit në Kosovë plagët më të rënda janë të pagjeturit dhe gratë e dhunuara. Mbrëmë foli zonja Vasfije Krasniqi, ajo rrëfeu publikisht tmerrin e dhunimit derisa ishte vetëm 16-vjeçe, Krasniqi po ashtu përmendi edhe një proces të dështuar gjyqësor për këtë rast”, tha Kurti në një konferencë për media.

Kurti, tutje rrëfimin e Krasniqit e cilësoi si thyerje të heshtjes për të gjitha gratë e dhunuara gjatë luftës.

Në anën tjetër deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se, ndaj personave të dhunës seksuale gjatë luftës, ata kanë përjetuar një krim të dyfishtë. Sipas saj, krim i dyfishtë për ta është për shkak se pasluftës institucionet e vendit në vend që t’i përkrahin këta persona, ata kanë heshtur karshi këtij krimi që ka ushtruar regjimi i Millosheviqit në kohën e luftës në Kosovë, raporton lajmi.net.

Tutje Haxhiu tha se, Vasfija përveç tmerrit që kishte përjetuar, ajo u përball edhe me padrejtësitë e shtetit dhe minisoneve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK-ut dhe EULEX-it.

Haxhiu në këtë konferencë deklaroi se në bazë të deklaratave që i kanë thënë familkjarët e Vasfijes përfaqësuesve të Vetëvendosjes, është kuptuar që gjyqtari në rastin e Vasfije Krasniqit është i korruptuar.

Haxhiu po ashtu ka thënë se nuk duhet të lejojmë që personi që e përdhunoi Vasfijen të shërbej në Polici dhe se ai të paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës duke e pas parasysh që ai duhet të dënohet dhe jo të jetë pjesëtar i Policisë së Kosovës, raporton lajmi.net.

“Ne për së afërmi takuam familjarët e Vasfijes dhe ata na treguan me dëshmi se si kanë arritur që ti identifikojnë kriminelët që kanë kryer këtë krim ndaj Vasfijes. Ne nuk guxojmë të heshtim ndaj këtyre krimeve dhe nuk guxojmë të lejojmë që një kriminel i cili ka kryer përdhunime në Kosovë të jetë pjesë e Policisë që ai të paguhet nga taksat e qytetarëve tanë”, deklaroi Haxhiu në këtë konferencë.

Ajo po ashtu bëri të ditur se mbrëmë rrëfimin e saj e dëgjuan edhe disa gjyqtarë dhe kërkoi që rasti i Vasfijes  të riprocedohet përsëri në gjykatë dhe siç u shpreh ajo, kriminelët që e kryen këtë krim duhet të dënohen.

“As gjyqtarët nuk duhet të heshtin dhe kërkojmë nga ta që ky rast të kthehet nga e para dhe këta kriminel duhet të dënohen”, deklaroi Haxhiu.

Sipas saj, asnjëherë institucionet e Kosovës nuk kanë kërkuar nga Serbia që t’i pranoj këto krime që ka bërë në Kosovës dhe se sipas saj, me Serbinë nuk mund të bisedohet nëse nuk i pranon krimet dhe gjenocidin që ka kryer në luftën e fundit në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat