Mësohen arsyet pse Apeli e ktheu në rivendosje rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Aktuale

Mësohen arsyet pse Apeli e ktheu në rivendosje rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt

Më: 17 tetor 2018 Në ora: 22:20
Donjeta Pajaziti

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosje gjykimin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, akuzë me të cilën po përballet Naser Pajazitaj.

Kolegji shqyrtues, i kryesuar nga Xhevdet Abazi dhe Abdullah Ahmeti e Have Haliti anëtarë, gjeti se me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Naser Pajazitaj është liruar nga akuza, është vërtetuar gabimisht e vërteta.

Pas ankesës së parashtruar nga Prokuroria Themelore në Pejë, me të cilën pretendonte se Gjykata e Pejës ka nxjerrë aktgjykim në kundërshtim me provat e administruara kur e ka liruar nga akuza Naser Pajazitajn, Gjykata e Apelit i vlerësoi të bazuara pretendimet e Prokurorisë se provat e propozuara nuk janë vlerësuar në mënyre të drejtë, raporton kallxo.com.

Gjithnjë sipas vlerësimit të Apelit, Gjykata e Pejës nuk ka arritur që ta vërtetojë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike sepse gjeti se ka kundërthënie në deklaratat e dëshmitares Arjeta Ukaj, vajzës së të akuzuarit e cila pas presionit familjar i ka ndryshuar deklaratat.

Për këto arsye Gjykata e Apelit vendosi që aktgjykimi i shkallës së parë duhet të anulohet dhe Gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminojë kundërthëniet dhe paqartësitë ne ankesën e Prokurorisë.

Apeli po ashtu propozoi që në cilësi të dëshmitares të dëgjohet dëshmitarja që ishte paraqitur anonime.

“Pasi që në raportin e policisë është konstatuar një dëshmitare anonime e cila kishte deklaruar se në ditën kritike e kishte parë Naser Pajazitajn që më veturën “ Grand Shirok“, e kishte ndalur dhe e kishte marrë dikën, e që sipas saj dyshohej te jetë Donjeta Pajazitaj, dhe me arsyen se e njëjta nuk është dëgjuar, gjykata e shkallës së parë duhet të tentojë ta dëgjojë personin në fjalë me qëllim të vërtetimit të së vërtetës”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Pejë, e kishte shpallur Naser Pajazitajn të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015.

Donjeta Pajazitaj ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015, gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Aktakuza ndaj Naser Pajazitajt thotë se derisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë Prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitaj, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat