Hyrja në Interpol, mundësi më e madhe për luftën kundër trafikimit me njerëz

Aktuale

Hyrja në Interpol, mundësi më e madhe për luftën kundër trafikimit me njerëz

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 11:38
Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për Shënimin e Ditës së BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore

(E plotësuar) - Trafikimi me qenie njerëzore mbetet sfidë për Kosovë, por me anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe Europol do të krijohen mundësi më të mëdha për luftimin e kësaj dukurie.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, me rastin e  shënimit të Ditës së BE-së kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se trafikimi me qenie njerëzore është një nga fenomenet më problematike, por Kosova ka arritur progres në luftimin e kësaj dukurie.

Ai u shpreh se Kosova ka bashkëpunuar me shtetet e rajonit jo vetëm për të luftuar trafikimin, por edhe për të përmbushur aspiratën për liberalizimin e vizave.

Ai tha se presin vendim të drejtë për qytetarët e Kosovës nga Bashkimi Evropian për të lëvizur lirshëm.

Thaçi: Luftimi i trafikimi me qenie njerëzore i rëndësishëm

“Kosova ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore dhe politika për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore të harmonizuara me ligjet e Bashkimit Evropian. Ne kemi bashkëpunuar me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen dhe vendosjen e autorëve pa drejtësisë, kjo ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme jo vetëm për të luftuar këtë fenomen por edhe për aspiratën për liberalizimin e vizave për Kosovën. Jam i lumtur që angazhimi ynë ka marrë vlerësime pozitive nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë, kjo i ka hapur rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe tani me të drejtë presim vendimin e drejtë të merituar dhe të shpejt për qytetarët e Kosovës” tha Thaçi.

Kreu i shtetit ka kërkuar që institucionet e drejtësisë të jenë të pa kompromis ndaj autorëve  që kryejnë këtë krim i cili lëndon jo vetëm viktimat, por edhe shteteve dhe ekonomive të vendeve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se sfidë për luftimin e kësaj dukurie mbetet edhe mos anëtarësimi në Interpol dhe Europol. Kreu i ekzekutivit u shpreh se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova ka nënshkruar protokollin bashkëpunues mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. 

Haradinaj: Sfidues për Kosovës është mos anëtarësimi në Interpol dhe Europol

“Prokuroria e shtetit  ka trashëguar pra 38 raste me 66 persona, edhe i ka pranuar 11 raste me 15 persona, 11 raste kriminale, raste të ngritura ligjore për trafikim me qenie njerëzore Kosova është po ashtu e sfiduar në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore për shkak se ende nuk është anëtare e Interpolit dhe Europolit, po besoj shumë që me anëtarësimin në Interpol dhe Europol, pra Kosova do të jetë edhe më e aftë, edhe më në gjendje të zhvilloj partneritet me të gjitha institucionet, pra relevante në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore”, tha kreu i ekzekutivit.

Ai po ashtu tha se periudhën janar-qershor të këtij viti, prokuroria gjatë ka punuar gjithsejtë me 49 raste ligjore me 31 persona, nga të cilat i ka zgjidhur 14 raste me 24 persona, ndërsa kanë përfunduar 35 raste tjera me 52 persona.

Ndërsa, shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova u shpreh se Kosova duhet të bëjë më shumë përpjekje që ta zvogëlojë trafikimin me njerëz.

Apostolova: Kosova luan rol për trajtimin e trafikimit me qenie njerëzore

“BE-ja mbështet Kosovën në këtë rrafsh që nga fillimi i 2017-tës, BE-ja ka financuar 1 miliard euro për luftimin e krimeve njerëzore dhe duke ofruar trajnim policisë do të thotë prokurorëve, gjyqtarëve dhe projekti i BE-së ka ofruar 930 mijë euro, 5 OJQ-ve përmes granteve që të luftojnë trafikimin e qenieve njerëzore, skema e përgjithshme është për të rritur kujdesin social për viktimat potenciale dhe ekzistuese në mënyrë përmbajtësore. Kosova si vend i origjinës dhe transitit dhe destinacionit të viktimave të trafikimit ka një rol të luajtur në trajtimin e këtij problemi dhe për të trajtuar rrënjët në një mënyrë gjithëpërfshirëse”, ka thënë Apostolova.

Collen Hyland nga Ambasada amerikane në Kosovë tha se Kosova ka rritur aktivitetin e saj për të çrrënjosur trafikimin me njerëz, ndërsa problematike mbetet edhe trajtimi i lëmosh kërkuesve në rrugë.

Hyland: Kosova e ka rritur aktivitetin për të çrrënjosur trafikimin me njerëz

“Në raport të këtij viti ndajmë një plan të veprimit të rekomanduar për Kosovën se si të trajtoj problemet e identifikuara dhe ne kemi theksuar se Kosova vazhdimisht e ka rritur aktivitetin për të çrrënjosur trafikimin dhe kanë demonstruar mbrojtje dhe identifikimin e viktimave për të rritur ndjekjen penale dhe përpjekjet dhënies së dënimeve krahasuar me një vit më herë. Ne e dimë që Kosova vazhdon zotimin e tyre që të kërkoj dhe të përmirësoj përpjekjet e tyre për të trajtuar këtë problem. Ne posaçërisht jemi të interesuar për të parë nga ana e Qeverisë një zotim të fortë mes të ndarjes së buxhetit për trajtim, do të thotë se trafikimi i fëmijëve dhe lëmoshkërkuesëve mbetet një problem dhe Kosova dhe SHBA-të do ta prioritizojnë këtë për të identifikuar dhe mbështetur këto viktima”, ka deklaruar Hyland. 

Ministri i Drejtësisë, Ablerad Tahiri me rastin e shënimit të Ditës së BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore tha se Kosova është vendi i vetëm që ka miratuar një ligj të posaçëm kompensimin viktimat e krimit. Ai u shpreh se me rishikimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale janë ashpërsuar edhe dënimet për autorët e trafikimit me njerëz.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se institucionet e Kosovës, gjithherë kanë treguar një gatishmëri në gjetjen e metodave adekuate për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Haradinaj: Me anëtarësimin në Interpol, Kosova do të jetë më e aftë në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për Shënimin e Ditës së BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Haradinaj tha me këtë rast se përkushtimi i institucioneve të Kosovës është që të punohet jo vetëm që të jenë pjesë e një lufte që bëjnë vendet e BE-së kundër luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, por edhe të ketë sukseset e veta.

“Kosova është e sfiduar me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, për shkak se ende nuk është anëtare e Interpolit dhe Europolit”, tha kryeministri Haradinaj, duke besuar shumë se me anëtarësimin në Interpol, Kosova do të jetë më e aftë dhe më në gjendje të zhvillojë partneritet me të gjitha institucionet relevante në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, duke siguruar se në Kosovë, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian kanë një partner serioz në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Kryeministri, poashtu përmendi se në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, Kosova ka nënshkruar protokollin bashkëpunues mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Gjithashtu, Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në këtë periudhë kohore, me qëllim të identifikimit dhe hetimit të rasteve, ka zhvilluar 21 plane operative, 20 operacione për zbatim të rasteve, 10 operacione të përbashkëta me inspektorët komunalë të punës në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe 18 operacione me njësi të tjera policore.

Haradinaj tha se në gjysmën e parë të këtij viti, Prokuroria e Shtetit ka trashëguar 38 raste me 66 persona dhe ka pranuar 11 raste të reja me 15 persona. Prokuroria gjatë kësaj periudhe ka punuar gjithsejtë me 49 raste ligjore me 31 persona, nga të cilat i ka zgjidhur 14 raste me 24 persona, ndërsa kanë përfunduar 35 raste tjera me 52 persona.    

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se trafikimi me qenie njerëzore është ndër shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut, vlerën mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë.

“Trafikimi me qenie njerëzore lëkund themelet e Bashkimit Evropian dhe vazhdon të jetë ndër problemet më fundamentale, me të cilat përballet BE-ja edhe sot, por edhe vendet tona”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore dhe politike për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore të harmonizuara me ligjet e BE-së.

Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se ka kënaqësinë që të merr sot pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm që siç tha ajo,  shërben në  ngritjen e  ndërgjegjësimit dhe shkëmbimit të informacioneve, njohurive dhe praktikave ndërmjet akterëve të ndryshëm të përfshirë.

Sipas saj, për BE-në, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është top prioritet në të gjithë botën dhe se angazhimi në luftimin ndaj këtij fenomeni, po aq sa është individual, është edhe shoqërorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se institucionet e Republikës së Kosovës, gjithherë kanë treguar një gatishmëri në gjetjen e metodave sa më adekuate për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat