Qeveria Haradinaj si “odë e burrave” me vetëm një ministre

Aktuale

Qeveria Haradinaj si “odë e burrave” me vetëm një ministre

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 20:28
Nga 21 ministri sa janë në Qeverinë, vetëm një ministri udhëhiqet nga një grua

Nga 21 ministra në Qeverinë aktuale të Kosovës, vetëm një është ministre grua, kurse nga rreth 80 zëvendësministra, janë tri gra në këtë pozitë.

Qeveria Haradinaj ngjason me “ode të burrave”, nga 21 ministri sa janë në Qeverinë, vetëm një ministri udhëhiqet nga një grua.

Është ajo Ministria e Integrimeve Evropiane që udhëhiqet nga Dhurata Hoxha.

Kur u formua Qeveria Haradinja, pjesë e kësaj ishte edhe një ministre grua, Albena Reshitaj që udhëhiqte me Ministrinë e Mjedisit  dhe Planifikimit Hapësinor, por shumë shpejt ajo u largua nga kjo ministri, për tu zëvendësuar nga një mashkull.

Deputetja Lirije Kajtazi, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se nuk është çudi që ka pak femra në Qeverinë aktuale.

Ajo thotë se politika po devijon jashtë institucioneve dhe kodeve juridike morale.

“Nuk është çudi që ka pak femra në qeveri, ngase politika po devijon jashtë institucioneve dhe kodeve juridike e morale. Për ditë e më shumë po e shohim se si vendimmarrja po bartet kafeneve dhe pas orareve oficiele gjë që u shkon për shtati burrave e jo grave. Sa për kushtetutë, me plot Konventa brenda që garantojnë barazi nuk pyet kush. Burrat e “forte” e shkelin kur duan”, ka thënë Kajtazi.

Edhe Adelina Hasani nga KDI, ka thënë se çështja e barazisë gjinore nuk është duke u marrë fare seriozisht fillimisht nga partitë politike dhe nga vet Qeveria e Kosovës.

“Kjo mendësi e burrave ka bërë që dominimi i burrave në pozita vendimmarrëse të mos shihet si problem primar që e kemi. Skena politike shihet si çështje e burrave dhe pjesëmarrja e grave bëhet vetëm me ftesën e burrave dhe largohen po ashtu me vendimin e tyre”, ka thënë Hasani.

Sipas saj, dominimi i pothuajse të gjitha ministrive nga burrat tregon se si është bërë institucionalizimi i sistemit patriarkal.

“Prandaj bëhet e qartë  që krahas shume iniciativave të ndërmarra nga shoqëria civile për arritje të barazisë gjinore, ato nuk janë reflektuar në realitet. Prandaj edhe tradita patriarkale është duke vazhduar ashtu siç janë bërë premtimet e kota gjatë fushatave politike për arritjen e barazisë gjinore. Legjitimiteti I këtij pushteti vihet në dyshim, marrë parasysh se është pothuajse tërësisht i drejtuar nga burrat, e duke e anashkaluar gjysmën e popullsisë (gratë)”, ka deklaruar Hasani.

Ajo po ashtu ka thënë se kota gjinore vazhdon të shkelet jo vetëm në Qeverinë e Kosovës ku aktualisht është vetëm një grua ministre, por e njëjta është duke ndodhur edhe në nivelin lokal, ku krahas premtimeve që janë dhënë për respektimin e kotës gjinore  ajo nuk është duke u respektuar.

“Si në nivelin lokal dhe atë qendror pozitat vendimmarrëse janë të dominuar nga burrat. Është e padiskutueshme që pjesëmarrja e garave në pozita vendimmarrëse do të kontribuonte në arritjen e barazisë gjinore. Mirëpo përfaqësimi i grave në mënyrë të barabartë me burrat jo doemos do ta kontribuon në eliminimin e diskriminimit gjinore në çështje sociale dhe ekonomike që përballen gratë”, ka thënë Hasani.

Ndërsa, sekretari i AKR-së Vesel Makolli, ka thënë se partia tyre momentalisht nuk ka një grua e cila mund të zgjidhet në krye të ndonjërës ministri.

“Sigurisht ne kemi qenë, mos të them të vetmit, por vetëm një parti tjetër e ka një femër ministre, ne e kemi respektuar kuotën në fillim. por shkojë situata siç shkoje edhe në momente të caktuar duhet të shohim se kush i kryen punët, në platformë është diskriminim nëse ne për shkak të gjinisë nuk e emërojmë personin me adekuat”, ka thënë Makolli.

Duke folur për largimin e Reshitaj, Makollia ka thënë se e kanë pasur parasysh që ne vend të saj të emërohej një ministre, por që nuk kanë pasur mundësi për një gjë të tillë.

“Ne edhe në këtë rast kur e kemi përcaktuar për ministrin e ri që e ka zëvendësuar, i kemi pasur parasysh ato gjera. Mirëpo nuk kemi pasur mundësi, pasi vetëm një vite ka kaluar mandat, e kemi pasur problem ta emërojmë dikë pa përvojë. Populli nuk pyet a ka qenë femër apo mashkull, por e këqyr rezultatin. Momentalisht nuk kemi pasur ndonjë femër adekuat, na kemi plotë femra por tash është specifika e punës, nuk është që ne nuk e kemi pasur ndërmend, por ishte me adekuat ky personi. Aftësia e tij, pastaj përvoja e tij”, ka thënë Makolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat