Projektligji për UÇK-në në Kuvend, deputetët akuzojnë njëri-tjetrin

Aktuale

Projektligji për UÇK-në në Kuvend, deputetët akuzojnë njëri-tjetrin

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 09:55
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën në të cilën është paraparë të shqyrtohen mbi dyzet pika të rendit të ditës.

Vazhdimi i seancës nis me 17 deputetë

Seanca e Kuvendit të Kosovës po vazhdon me shqyrtimin e projektligjin për paga në sektorin publik, ku aktualisht po marrin pjesë vetëm 17 deputetë.

Deputetët thanë se ky projektligj rregullon një problematik të ndjeshme për të gjithë ata që marrin pjesë në sektorin publik.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë shqyrtuar për herë të parë për projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, ku tha se përcaktohet çka është vlerë e mbrojtjes së luftës; lista e armatosur e popullit të Kosovës, si dhe çështje tjera rreth UÇK-së.

Megjithatë, shqyrtimi i tij kalojë edhe me akuza dhe kundër-akuza në mes deputetëve.

Fillimisht deputeti Fadil Beka në cilësinë e propozuesit prezantoi projektligjin, duke thënë se qëllimi i këtij projektligji është mbrojtja e vlerave të luftës, që me sakrificën e UÇK-së, angazhimin dhe kontributi ne çmuar në luftën çlirimtare, ishte faktor vendimtar për sjellën e lirisë dhe pavarësisë për Kosovën.

Beka: Përcaktohet çka është vlerë e mbrojtjes së luftës

“Në nenin 3 të këtij projektligji përcaktohet çka është vlerë e mbrojtjes së luftës; lista e armatosur e popullit të Kosovës e udhëhequr nga UÇK me qëllim çlirimin e Kosovës, ushtria çlirimtare, formacioni ushtarak i armatosur i organizuar në baza vullnetare në uniformë dhe shenjë dalluese me njësi organizative, me zinxhir komandues të drejtuar nga shtabi i përgjithshëm në kontrollin civil të udhëheqjes politike me mision të qartë për mbrojtjen e popullit të Kosovës dhe çlirimin e vendit nga forcat okupuese ushtarake dhe policore të administratës së Serbisë në Kosovë. Veterani i UÇK-së, flamuri i UÇK-së, teksti i betimit të ushtarit të UÇK-së, stema e UÇK-së, shtabi i përgjithshëm, drejtoria politike, shtabi i zonave operative, arkiva e UÇK-së, kompleksi memorial Adem Jashari në Prekaz dhe komplekse të tjera”, tha ai.

Sipas tij, me këtë projektligj në nenin 7 parashihet themelimi i muzeut të luftës me seli në Prishtinë dhe Qeveria obligohet të bëjë këtë punë.

Ai shtoi se me këtë projektligj caktohet 5 marsi data e përkujtimit të luftës për çlirim dhe ndërtimi i monumentit qendror për përkujtimin e luftës për çlirim të popullit të Kosovës.

Deputetit të Pastrisë Socialdemokrate, Driton Çaushi, ky projektligj iu duke si ofendim.

Çaushi: Cilat janë mekanizmat si do të mbrohen këto vlera

 “Nuk e kam të qartë cilat janë mekanizmat si do të mbrohen këto vlera. E kemi parë që pikërisht nga partitë në pushtet, e sidomos nga partia demokratike e Kosovës është dhënë kontribut më i madh që këto vlera të degradohen përgjatë gjithë këtyre viteve të pasluftës”, tha ai.

Deputeti i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje, që morri pjesë Rexhep Selimi, tha se është një ligj që ka një seriozitet të vetin brenda tij dhe nuk do të duhej të radhitej sot në agjendën e punës së Kuvendit.

Këtu ka reaguar deputetja Teuta Haxhiu, duke thënë se deputeti Selimi do të duhej të jetë në sallë bashkë me deputetët e tjerë të Vetëvendosjes.

Haxhiu: Rexhës i ka humb rruga në oborr

“Kur Rexhës i humb rruga në oborr, edhe VV-së, se vjen këtu pa shokë me mbajt një ligj për vlerat e luftës, kur VV vjen në Kuvend vetëm për t’i mbrojt ligjet të cilat  ika 100 për qind plagjiaturë, pra këtyre vërtetë ju ka humb rruga në oborr, sepse nuk kanë participu as në rezolutat që kanë dalë prej një subjekti që kanë rrugëtuar bashkë, prej PSD-së, dhe pikërisht aty kanë ardhur në këtë situatë nuk po e dinë as vet ku janë. Pra normal që po them mos na maltretoni, dilni në byfe e bëni dialog, mirëpo nëse sot do të duhej të ishte kompetent dikush, është Rexha me shokë që do të duhej të jepte kontributin për këtë ligj por po e shihni ka mbet vetëm” tha ajo.

Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit, Xhavit Haliti i tha se deputetës Haxhiu se nuk dëshiron të diskutojë me atë.

Haliti: Nuk dua me ra në nivelin tënd të diskutimit

“Unë nuk dua me ra në nivelin tënd të diskutimit, nuk e kam ndërmend me ra në nivelin tënd”, tha ai.

Aty ka reaguar edhe deputeti Rexhes Selimi.

Selimi: Nuk kam ardhur të flas me nivel kaq të ulët të kolegëve

“Nuk kam ardhur të flas me nivel kaq të ulët të kolegëve dhe nuk kam ardhur të flas me aleancën as me deputetët e mazhorancës, kam ardhur të kërkojë nga ju si kryesues, meriton vërtetë një përgjigje por nuk po mundem me ta kthyer sepse me duhet me ra në nivel shumë të ulët për me ta kthyer përgjigjen”, tha ai.

Kurse, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demalijaj tha se UÇK nuk është pronë private.

Demalijaj: UÇK nuk është pronë private

“UÇK nuk është pronë private, UÇK është e popullit dhe ne udhët të rregullojmë me ligj gjithçka që është e jona, dhe është e domosdoshme sepse jo çdo kush duhet me baltos këtë emër që e ka pas UÇK dhe me ju tek kujt të donë me ardhur në minutën kur e ka rendin dhe me dal”, tha ai.

Në shqyrtimin e parë të Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Deputeti Nait Hasani tha se nuk janë vlerësuar pasojat që mund të dalin nga ligji në fjalë.

Hasani: Ta lëmë në mbrojtje të popullit vlerën e UÇK-së

“Akti për nxjerrjen e një ligji do të duhej të mirren parasysh edhe pasojat e atij ligji. Asnjë këtu nuk i ka vlerësua pasojat e këtij ligji që do të vijnë më tutje dhe a do të mund të përballohen ato. Megjithatë, një ligj i tillë a do t’i bëjë nder, a do të jetë i respektueshëm a do të ketë një gatishmëri e qytetarëve të respektojnë dhe institucioneve po ashtu ta bëjnë ndëshkimin. Ata që po flasin që UÇK është e këtij apo atij grupi, është e popullit burim nga populli, ka dalë në mbrojtje të popullit kështu që vlerën e saj nuk mund ta marrë asnjë grup politik, asnjë parti. Ta lëmë në mbrojtje të popullit vlerën e UÇK-së” tha ai.

Deputeti Milam Zeka foli për numrin e vogël të deputetëve në sallë, përfshi ata të pozitës, dhe tha se asnjëherë më parë pozita nuk ka qenë në gjendje më të vështirë se tani.

Zeka: Kurrë pozita nuk ka qenë në opozitë më të keqe

“Vetëm ligji i cili do të aprovohej nga deputetët e Parlamentit të Kosovës, me iniciativën e Nait Hasanit, ligji për anti-shpifje do t’i mbronte vlerat e UÇK-së.....Nëse rezonojmë politikisht por pa inate politike, kurrë pozita nuk ka qenë në opozitë më të keqe, më të rëndë e më të vështirë. Nuk e kemi komoditetin me u konfrontu me opozitën, sepse nuk jemi mazhorancë, fati ynë është që më zibidi se ne janë opozita, ne jemi të rrëzuar, ata janë të vdekur, xhenazja nuk mund edhe të rrëzum me të mshu shkelm e me të gju në llagen. Diferenca mes pozitës e opozitës është kjo , ne të rrëzum përtoke, ata xhenaze. Ne e dimë që me fytyrë sot është duke na shpëtuar PSD që po rrinë me ne në sallë, me bo Zoti mu idhnu ata, me dalë edhe ata prej sallës ne tani nuk kemi çka rrimë këtu, nuk i kemi numrat”, tha ai.

Pas këtij diskutimi, Kuvendi vazhdoi me pikat e tjera të rendit të ditës, meqë nuk ka kuorum për votim.

Deputetët: Më shumë kemi zëvendësministra sesa inspektorë 

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shpreh shqetësimin e tyre lidhur me numrin e vogël të inspektorëve. Sipas tyre, numri i inspektorëve është i vogël dhe se nuk po punohet në këtë drejtim.

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se duhet të bëhet një reformë brenda inspektoratit meqë aty ka nevojë për kuadro profesional.

Isufi: Duhet të bëhet reformim brenda Inspektoratit

“Konsiderojmë që duhet të bëhet një reformim brenda inspektoratit sepse ka nevojë për kuadër profesional i cili vërtetë mund ta kryejë inspektimin në bazë ligjore dhe ta ndryshojë gjendjen sidomos në realizimin e të drejtave të punëtorëve që sot shkelen drastikisht, sidomos në pjesën e ekonomisë informale, dhe po ashtu kemi edhe raste drastike të vdekjeve, lëndimeve trupore, dhe pa ndonjë llogari-dhënie të drejtpërdrejt, e që ky inspektorat punën e vet do të pamundësonte, do të korrigjonte veprimet që dëmtojnë shëndetin e punëtorëve dhe jetën tyre”, tha ai.

Ndërsa, deputeti Milam Zeka foli për gjendjen e keqe të punëtorëve në Kosovë, duke përmendur disa kategori të punëtorëve që janë të diskriminuar, e për të cilët Inspektorati nuk ka ndërmarrë asgjë.

Zeka: Të rritet numri i inspektorëve

“Do t’iu sugjeroja si ministri, që krahas këtij ligji ta rrisni kapacitetin e numrit të inspektoreve të punës, sepse është në dobi të shtetit të Kosovës. Mund të flas për disa kategori të punëtorëve që janë të diskriminuar në mënyrën më të tmerrshme në vendin në të cilin ne jetojmë. Psh i ke të gjithë punëtorët që punojnë në pompa të benzinës në Kosovë, të gjitha kompanive, pa i përmend këtu me emër, në kontratat e tyre dhe në orët e punës që ata punojnë, paguhen vetëm për tetë orë, ndonjëri prej tyre punon 12 orë. Kamerieret të cilët punojnë në çdo restoran, kafeteri, jo që punojnë 12 orë, por prej mëngjesit kur e fillojnë punën deri në ora 24:00, dhe paguhen vetëm për 8 orë”, tha ai.

Ai tha se punëtorët në sektori në shëndetësisë ka raste që punojnë 24 orë dhe nuk paguhen shtesë. Sipas tij, njëjtë veprohet me policinë, gazetarët e taksistët.

Deputetja nga PSD, Besa Baftiu tha se ka nevojë urgjente për rritje të numrit të inspektorëve.

Baftiu: Në Kosovë kemi më shumë zëvendësministra se inspektorë

“Shtohet pyetja si do të rritet numri i inspektorëve pa buxhet. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është arsyetuar se do të rrisë numrin e inspektorëve përmes riorganizimit të brendshëm dhe kostos shtesë financiare në kategoritë e tjera të shpenzimeve, kjo mbetët të shihet në të ardhmen sepse deri më tani nuk ka ndodh një gjë e tillë, nuk e kemi pas numri ne rritjes së inspektoreve. Sot në Kosovë më shumë kemi zëvendësministra sesa inspektorë, në mungesë të tyre është e pamundur të inspektohen veprimtaritë punuese. Sot në vendin e punës jo vetëm që shkelën të drejtat e punëtorëve të përcaktuara me ligj por shumë herë kushtet e punës janë edhe shkaktarë humbjes së jetës së punëtorëve”, tha ajo.

Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Ganimete Musliu kërkoi nga gjykatat që rastet e punëtorëve të trajnohen me prioritet.

Musliu: Punëtorët hezitojnë të bëjnë ankesa për shkeljen e të drejtave të tyre

“Shumë punëtore hezitojnë të bëjnë ankesa për shkeljen e të drejtave nga kompani të ndryshme, sepse kjo vjen në përfundim se ata përveç që humbin vendin e punës, edhe ashtu do të mbesin pa ato shumë paga, sepse e dimë që në sektorin privat edhe nuk paguhen me rregull, ata nuk do të vijnë kurrë para një drejtësie. Këtu kisha bërë kërkesë të veçante për gjykatat, të nxjerrin një plan pune që ankesat e punës të shqyrtohen me prioritet”, tha ajo.

Ndërsa sipas deputet nga Nisma Socialdemokrate, Enver Hotit, në administratë duhet të ndodh një reformë.

Ai tha se as kjo qeveri dhe as të tjerat, nuk kanë pas guxim t’i qasen reformës në administratë.

Hoti: Duhet të ndodh reformë në administratë

“Duhet të ndodh një reformë në administratë. Kjo qeveri dhe asnjë deri tani nuk e ka pas as casjen as guximin me ju qas reformës në administratë, mund të themi se me dhjetëra zyrtarë sille në administratën tonë, qoftë në nivelin qendror apo lokal, ndërsa inspektoratët janë me një numër shumë të kufizuar të cilët fare nuk mund të kryejnë punën e vet, e ndoshta kanë edhe ndikime të tjera, qoftë nga nivel i politikës qoftë nga nivel i ndërmarrësve apo fusha e afaristëve, të cilët e kanë lëshuar një gjendje krejtësisht të pakontrolluar dhe fare në interes të detyrave dhe përgjegjësive që i kanë”.

Kurse, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se sa i përket shqetësimit të respektimit të drejtave të punëtorëve, sigurisë dhe shëndetit në punë, kontratave, pagesave janë shqetësime me vend dhe po iu preokupojnë që nga dita kur kanë marrë mandatin.

Reçica: Qëllimi i projektligjit është fuqizimi i inspektoratit të punës

“Qëllimi kryesor i këtij ligji është fuqizimi i rolit të këtij institucioni, që është gardiani i monitorimit të ligjit të punës...për të njëjtën periudhë kohore, në krahasim me vitin e kaluar me këtë  numër të inspektorëve që i kemi në terren, i kemi 42 inspektor të cilët inspektojnë punën në terren për periudhën janar-tetor janë mbi 1000 inspektime në shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nuk jemi të kënaqur prapë me këtë që nuk shqipton gjoba, nuk është qëllimi i inspektoratit të shqiptohen gjoba“, tha ai.

Ai tha se duke e parë që ndërtimtaria është sektori ku shkelen të drejtat e punëtorëve, kanë nis një fushatë ndëshkuese dhe vetëdisuese. Në fund nuk pati kuorum që ky ligj të votohet.

Vazhdon seanca pa VV-në e LDK-në

Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet e seancës së djeshme plenare, ku në rend dite janë 46 pika. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë lëshuar sallë ndërkohë që ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë që fare të pranishëm.

Deputetja Albulena Haxhiu fillimisht kërkoi që seanca të fillojë me votimin e Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, por deputetët e PSD-së kërkuan që të vazhdohet aty ku ka mbetur dje në gjysmë, që është pika e 15, që është ndryshimi i projektligjit për hetimet parlamentare, gjë që bëri deputetet e VV-së ta lëshojnë sallën.

Aida Dërguti në cilësinë e propozuesit, tha se projektligji synon të rregulloj afatin e grupeve parlamentare për t’i dërguar nominimet për anëtarë të komisioneve, pastaj, ndryshim tjetër është kryesuesi dhe nënkryesuesi i grupeve parlamentare, si dhe numrin e anëtarëve që do të jenë më shumë nga opozita.

Në seancën e sotme, në rend të ditës është votimi në parim i projektligjit për plotësim-ndryshimin  e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Vazhdon seanca plenare e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Sot me fillim nga 10:00, Kuvendi do të vazhdojë punimet e seancës plenare, të mbetura nga dita e djeshme.

Shqyrtimin e deputetëve sot e presin shumica nga 46 pikat e rendit të ditës.

Kuvendi vazhdon seancën plenare, ky është rendi i ditës

Sot do të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, 34 pika në rend të ditës.

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, njofton se sot nga ora 10:00, do të vazhdojë seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Rendi i ditës do të jetë si më poshtë:

R e n d i  i  d i t ë s

Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktatit që themelon komunitetin e transportit,
Votimi në parim i Projektligjit për plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës,
Votimi në parim i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave,
Votimi në parim i Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-176 për Hetim Parlamentar,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Inspektoratin e punës,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullimin e shërbimeve të ujit,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pagat në sektorin publik,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për zyrtarët publik,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-075 për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/22 për Kinematografinë,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-097 për bibliotekat,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L -090 për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.06/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2003/24 Ligji i Sportit ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-075 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për peticione,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-049 për inovacion shkencor dhe transfer të dijes dhe teknologjisë,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-036 për Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndërmarrjet Sociale,
Shqyrtimi i Raportit vjetor të Qeverisë për funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm të financave publike në sektorin publik të Kosovës për vitin 2017,
Shqyrtimi i Raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit Prishtina Sh. A për vitin 2017,
Shqyrtimi i Raportit vjetor mbi gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2017,
Shqyrtimi i Raportit vjetor i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2017,
Emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës,
Emërimi i kryetarit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik,
Emërimi i 7 (shtatë) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore,
Shkarkimi i z. Shqiprim Pula nga pozita e anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Komisionit të Pavarur për Media nga radha e komunitetit jo-shumicë,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radha e komunitetit serb,
Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare dhe në atë hetimor,
Emërimi i një (1) anëtari në Komisionin Hetimor Parlamentar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat