KDI: Konsensusi mes subjekteve politike është vendimtar për zhbllokimin e jetës parlamentare

Aktuale

KDI: Konsensusi mes subjekteve politike është vendimtar për zhbllokimin e jetës parlamentare

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 11:38
Artan Murati

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me funksionimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast Artan Murati nga KDI ka theksuar se më shumë se një vit nga konstituimi i legjislaturës së gjashtë, Kuvendi nuk ka arritur të funksionojë në mënyrë adekuate dhe vazhdimisht është përballur me kriza të ndryshme, kryesisht të natyrës politike.

“Me fillimin e sesionit vjeshtor të punës së Kuvendit është intensifikuar edhe bllokada e punës në Kuvend, duke paralizuar kështu jetën parlamentare. Nga të gjitha seancat e mbajtura këtë sesion, vetëm një ka arritur të përfundoj në ditën kur ka filluar. Ndonëse shpeshherë mosfunksionimi i punës në Kuvend është duke u atribuuar bojkotit opozitar të punës së Kuvendit, megjithatë faktorët e mosfunksionimit të Kuvendit janë të shumëllojtë”, ka thënë Murati.

Mungesat e deputetëve nga shumica parlamentare është një nga problemet kryesore të kësaj legjislature, trend ky i cili është duke vazhduar edhe në sesionin vjeshtor.

KDI konsideron që Grupet Parlamentare në mazhorancë duhet të jenë mirë të koordinuara për të mundësuar zhvillimin e seancave plenare. “Nëse subjektet opozitare janë duke ushtruar të drejtën e tyre për bojkoti të Kuvendit, koalicioni qeverisës duhet të mobilizohet për të siguruar numrat e mjaftueshëm mbarëvajtjen e seancave plenare dhe komisioneve parlamentare”, ka shtuar ai. Murati ka potencuar se KDI fton Kryesinë e Kuvendit të mbajë takime të rregullta dhe të thërras seanca në intervale më të shpeshta kohore, duke mos lejuar grumbullimin e shumë pikave të rendit të ditës pasi që kjo është duke ndikuar direkt në mos-përmbushjen e agjendës legjislative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat