Paçarizi: Ideja për shkëmbimin e territoreve është e rrezikshme

Aktuale

Paçarizi: Ideja për shkëmbimin e territoreve është e rrezikshme

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 20:02
Rrahman Paçarizi

Analisti politik, Rrahman Paçarizi, ka folur për idenë e bashkangjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

“Krejt kjo e ka një origjinë të veten te një lojë e brendshme politike por edhe te pozicionimi i Hashim Thaçit në raport me dialogun me Serbinë”.

“Ai siç duket dëshiron që të hyjë në dialogun me Serbinë me karta të forta duke e pasë me vete një kërkesë nga shqiptarët e Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar Kosovës”.

“Presidenti Thaçi ka qenë i kujdesshëm që të mos hapë çështjen e shkëmbimit të territoreve në mënyrë të drejtpërdrejtë apo në një moment të caktuar, kur ka parë reagimet, është tërhequr nga ideja e shkëmbimit të territoreve dhe tashmë e proklamon vetëm idenë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën”.

Paçarizi si i ftuar në Info Magazine ka thënë se ideja e presidentit të vendit [bashkimi i Preshevës, Medevegjës dhe Bujanocit me Kosovën] duhej të gjente mbështetje nga spektri politik.

“Thaçi me këtë ide ka merituar një mbështetje pak më të madhe nga i gjithë spektri politik i Kosovës për bashkimin e tri komunave me shumicë shqiptare me Kosovën”.

“Tashmë, palët janë betonuar dhe është e çuditshme se si kundërshtohet kjo ide e presidentit Hashim Thaçi nga spektri politik i Kosovës”.

“Ne pothuajse askush nuk besojmë, as unë personalisht, se një gjë e tillë është e mundur. Sigurisht që kjo është e pabesueshme, e pamundur dhe e paimagjinueshme mirëpo është një kartë që presidenti i Kosovës e ka nxjerrë përpara dhe me këtë kartë nuk humbet asgjë, prandaj mendoj se duhet të mbështetet si ide”.

Paçarizi ka thënë se pajtohet me idenë e bashkimit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën, por jo me një ide të mundshme për shkëmbim të territoreve.

Madje, ai e ka quajtur këtë ide si “shumë të rrezikshme”.

“Në shekullin 21 të flitet për kufij etnik, për bartje dhe zhvendosje të popullatës janë ide të papranueshme për Evropën”.

“Ideja e bashkimit të tri komunave shqiptare që aktualisht janë në Serbi me Kosovën nuk është një ide fashiste siç do të ishte ideja e shkëmbimit të territoreve dhe e zhvendosjes së popullatave në bazë etnike sepse kjo do të hapte edhe probleme të tjera në gjithë rajonin e Ballkanit që edhe ashtu i ka telashet etnike”.

“Për shqiptarët, sidomos për Kosovën, çështja e shkëmbimit të territoreve është e rrezikshme në disa plane”.

“Shkëmbimi i territoreve do ta bënte një Kosovë etnike e cila nuk do të kishte arsye për të ekzistuar dhe do të dilnin pastaj opsionet për bashkimin me Shqipërinë, që edhe janë lansuar nga një pjesë e spektrit politik në Kosovë”.

“Kosova si një projekt amerikan dhe i Bashkësisë Ndërkombëtare por edhe projekt i dalë nga një luftë që është bërë në Kosovë me shumë viktima do të shuhej dhe nuk do të shkonte në vend gjithë kjo përpjekje që është bërë edhe në Kosovë edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare që ka investuar shumë në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës”.

“Kjo ide për shkëmbimin e territoreve është shumë e rrezikshme”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat