Dikush duhet me dhënë llogari për dëmet që shkaktuan veteranët mashtrues

Aktuale

Dikush duhet me dhënë llogari për dëmet që shkaktuan veteranët mashtrues

Nga: N.Sh Më: 20 tetor 2018 Në ora: 09:05
Ilustrim, UÇK

Procesi i verifikimit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka filluar para 5 vjetëve, por që akoma ky proces nuk është përmbyllur.

Kështu thotë, anëtari i Këshillit të veteranëve, Xhevdet Qeriqi, i cili tregon se kanë parë manipulime të mëdha te cilat e kanë degraduar dhe dëmtuar imazhin e luftëtarit të vërtet.

Sipas tij, gjatë këtij procesi janë shpenzuar mijëra euro dhe kanë përfituar njerëz pa meritë.

Image
Xhevdet Qeriqi

“Ne jemi më të zëshmit që i kemi kundërshtuar këto lista sepse e kemi parë që ka pasur manipulime aq të mëdha saqë e ka degraduar dhe dëmtuar imazhin e luftëtarit të vërtet të UÇK-së, duke u futur në lista si veteran luftëtar njerëz pa meritë dhe duke i gëzuar benificionet e shtetit. Mos të harrojmë se ky Komision Qeveritar i ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme shtetit, miliona euro janë shpenzuar duke përfituar njerëz pa meritë, po ashtu e ka dëmtuar imazhin e ushtarit të vërtet, pra në një shtet normal dikush do të duhej të jap llogari për të gjitha këto dëme”, thotë Qeriqi për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, janë për pastrimin e listave të veteranëve, por duhet të përgjigjën ata të cilët e keqpërdorën këtë proces.

“Fillimi i një procesi të ri të verifikimit të listave të veteranëve, nga të njëjtit anëtar të këtij komisioni, dhe mos ndëshkimi i tyre për shkeljet që kanë bërë, do të ishte edhe një goditje tjetër për ne si luftëtar dhe si shoqëri, amnistimi i tyre veç sa do t’i forconte të njëjtit për të manipuluar edhe më shumë, e këtë kosto do ta paguanim ne si luftëtar të UÇK-së dhe si shoqëri, për arsye se ky numër veç sa do të rritej edhe më shumë. Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi për pastrimin e listave kjo gjithsesi duhet të ndodh, por fillimisht duhet të përgjigjen ata të cilët e keqpërdorën këtë proces për qëllimet e tyre”, përfundon Xhevdet Qeriqi.

Ish-prokurori Elez Blakaj kishte gjetur se, mbi 19 mijë veteranë marrin pensionin në mënyrë të jashtëligjshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat