Presidenti Thaçi kërkon më shumë mbështetje institucionale dhe shoqërore për viktimat krimit

Aktuale

Presidenti Thaçi kërkon më shumë mbështetje institucionale dhe shoqërore për viktimat krimit

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 16:43
Hashim Thaçi

Prishtinë, 22 tetor 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në konferencën “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, të organizuar nga Kryeprokurori i Shtetit.

Presidenti Thaçi ka thënë se thelbi i shtetit të Kosovës është aspirata për liri dhe barazi, që ndër të tjera do të thotë edhe e drejtë për jetë të qetë, të sigurt dhe të dinjitetshme.

Mbrojtja e qytetarëve dhe promovimi e mbrojtja e të drejtave të viktimave të krimit, sipas presidentit Thaçi, është obligim thelbësor i tërë shoqërisë dhe veçanërisht i sistemit të drejtësisë.

“Kosova mbetet lidere në rajon edhe në fushën e të drejtave të viktimave të krimit. Ndonëse gjithmonë duhet të aspirojmë të bëjmë edhe më shumë, e vërteta është se Kosova ka treguar përkushtim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm për trajtimin e viktimave të krimit”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se ligji për kompensimin e viktimave të krimit dhe krijimi i mekanizmave përkatës që janë të nevojshëm për zbatimin e këtij ligji është një prej të arriturave më të mëdha në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Implementimi i suksesshëm i këtij ligji do të ndikojë edhe në shoqërinë tonë në përgjithësi. Kosova tashmë është bërë prijëse në rajon me ligjin për kompensimin e viktimave, por edhe me hapat që janë ndërmarrë për implementimin e tij, që nga themelimi i bordit drejtues e deri te sigurimi i fondeve dhe pagesa e kompensimit. E mirëpres këtë mundësi sot që të dëgjoj për të arriturat më të reja në këtë drejtim”, ka thënë presidenti Thaçi.

Duke folur për ligjin për kompensimin e viktimave të krimit, presidenti Thaçi ka thënë se është e qartë që ligji synon t’iu dalë në krah individëve më të cenueshëm në shoqëri, grave, fëmijëve dhe viktimave të trafikimit.

Kreu i shtetit ka thënë se dhuna në familja nuk do të lejohet në Kosovë.

“Është obligim në veçanti i organeve të drejtësisë, që të nxjerrin para drejtësisë të gjithë ata që ushtrojnë dhunë, duke mos neglizhuar asnjë rast. Por, edhe të siguroj trajtim të dinjitetshëm dhe kompensim për viktimat e krimit”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Në këtë konferencë, i pari i vendit ka thënë se mbështetja që shoqëria dhe drejtësia i jep viktimave është themel i kthimit të dinjitetit të viktimës.

Ai ka kërkuar që çdo gjykatës dhe prokuror ta marrë seriozisht përgjegjësinë e vet ligjore ndaj viktimave.

Presidenti Thaçi ka pohuar se të gjithë së bashku duhet të këmbëngulim që të mësohet e vërteta për çdo viktimë dhe të kërkohet drejtësia për secilën e secilin prej tyre.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat