Shqiptaro-amerikani Riçard Lukaj thotë se Kosovës i duhet unitet politik për kufijtë e saj - Bota Sot
Shqiptaro-amerikani Riçard Lukaj thotë se Kosovës i duhet unitet politik për kufijtë e saj

Aktuale

E mërkurë, 14 nëntor 2018

Shqiptaro-amerikani Riçard Lukaj thotë se Kosovës i duhet unitet politik për kufijtë e saj

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 21:24
Ricard Lukaj

Në Kosovë duhet të ketë një unitet politik sa iu përket zhvillimeve rreth kufijve. Kosova duhet të mbrojë pavarësinë që ka, të njohur nga shumica e vendeve të botës, ndërsa fokusi duhet të jetë në forcimin e ekonomisë shqiptare, e cila do ta forcojë edhe shtetin. Kështu ka thënë për Radio Kosovën shqiptaro- amerikani Riçard Lukaj, njëri ndër mbështetësit dhe kontribuesit e pavarësisë së Kosovës.

Riçard Lukaj thotë se i sheh si shumë serioze zhvillimet politike në Kosovë, si bisedimet me Serbinë, ashtu edhe dallimet mes subjekteve politike për çështje të mëdha. Në një intervistë për Radio Kosovën, Lukaj ka thënë se duhet një unifikim i brendshëm në qoftë se përballesh me institucione të huaja.

“Është momenti për unifikim brenda këtyre temave, në qoftë se vazhdohet në këtë mënyrë të përçarë, nuk besoj se do të jetë shumë e frytshme, kur jemi në negociata kundër institucioneve të konsoliduara. Do të jetë shumë vështirë për çdo palë, të jetë politike, sociale por edhe nivele të tjera, që të përballet me institucionet e huaja dhe sidomos me arritë një përmirësim për situatën e Kosovës” ka thënë Lukaj.

Ai thekson nevojën që këto marrëveshje me Serbinë duhet të garantohen nga NATO-ja dhe nga institucionet e shtetet perëndimore. Shqiptari amerikan, Ricard Lukaj, njëri ndër kontribuesit edhe të pavarësisë së Kosovës, thotë se duhet mbrojtur kjo pavarësi që ka Kosova, me vëmendje të veçantë tek rritja e ekonomisë shqiptare.

“Ne duhet të mbrojmë këtë pavarësi që kemi, të njohur dhe të garantuar nga shumica e vendeve në botë dhe të mos ta shesim këtë lehtë, para se të dijmë që do të arrijmë dicka shumë më të mirë se kjo që kemi. Mendoj se tash për tash, edhe çdo gjë që rrjedh nga këto bisedime, edhe nëse nuk do të ketë asgjë, ne duhet të fokusohemi tek rritja e kapacitetit shtetëror, rritjen e ekonomisë shqiptare, rritjen e tregtisë së lirë në të gjitha trojet ku ekzistojnë shqiptarët, kudo në diasporë apo në rajon. Me këtë fuqi ekonomike dhe lëvizje tregtare që mund të ketë pala shqiptare, mendoj se brenda kësaj mund të jetë një shtet i pavarur si Kosova, ose një shtet i bashkuar, dikur të jetë de fakte ose reale, si konfederatë apo tjetër" ka thënë Lukaj.

Fokusim i prioriteteve tona është që të realizojmë një realitet, ku fuqia ekonomike shqiptare të ketë zhvillimin dhe arritjen e potencialit më të lartë, tha Lukaj, duke theksuar se, edhe pse nuk jepen shumë informacione rreth çështjes së bisedimeve me Serbinë, shqiptarët në Amerikë i përcjellin nga afër këto zhvillime.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test