Kollçaku: Me ministra të akuzuar dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave

Aktuale

Kollçaku: Me ministra të akuzuar dëmtohet procesi i liberalizimit të vizave

Më: 22 tetor 2018 Në ora: 21:31
Fatmire Kollçaku

Anëtarja e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë se përkundër që procesi i liberalizimit të vizave konsiderohet si teknik ai është edhe vendimmarrje politike.

Kollçaku, në emisionin “Përballje”, ka thënë se nëse procesi shtyhet për vitin tjetër, atëherë nuk do të dimë fare se kur do të ndodhë procesi i liberalizimit të vizave.

“Kemi pasur takime të mbyllura me zyrtarë të vendeve të BE-së, nuk jam shumë optimiste që ky proces do të përfundojë në dhjetor, por është me rëndësi që kjo kohë të shfrytëzohet për korrigjimin e kësaj padrejtësie ndaj Kosovës”, tha Kollçaku.

Kollçaku ka thënë se u mendua që kushti kryesor ishte demarkacioni dhe se çështja e vizave ishte e kryer.

“Mbeti kushti kryesor për liberalizimin e vizave që është luftimi i krimit dhe korrupsionit, sidomos i profileve të larta. Nuk kemi asnjë zyrtar të lartë të dënuar për këso lloj veprash”.

Ajo ka thënë se nuk mund të ndahet procesi i vizave nga proceset e tjera negative që po ndodhin në Kosovë.

Deputetja e Vetëvendosjes ka thënë se ka disa zëra që po mendojnë t’i rievaluojnë edhe disa kushte të përmbushura tashmë për liberalizimin e vizave.

“Një diplomat ishte shprehur shumë i ashpër me ne, duke na thënë se vetëm katër vende janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave”, tha ajo.

Kollçaku ka thënë se skandalet e vazhdueshme të qeverisë aktuale e kanë vështirësuar edhe më shumë procesin e liberalizimit të vizave.

“Është një skandal, ku djali i shefit të AKI-së kapet me armë”.

Ajo ka thënë ministrat e zëvendësministrat me aktakuza po e dëmtojnë procesin.

“Kemi pesë ministra me aktakuzë edhe pse ata janë të pafajshëm deri në përfundim të gjykimit. Por, kush do t’i gjykojë ata? Këto gjykata të kapura nuk sjellin drejtësi”.

“Ndoshta më mirë kemi qenë një muaj më parë se jemi tash në procesin e liberalizimin e vizave”, deklaroi ajo, duke thënë se “tashmë zyrtarët e BE-së po e thonë hapur se Kosova ka shënuar regres në këtë proces”.

Deputetja opozitare ka thënë se është fatkeqësi që Evropa ka dëshirë të marrë nga Kosova “trurin” e saj e nuk dëshiron të marrë punëtorë krahu.

“Të rinjtë që po shkollohen jashtë po dekurajohen të kthehen në Kosovë kur po e shohin se Qeveria po i rrit vetes pagat”, tha më tej Fatmire Kollçaku.

Kollçaku ka thënë se kur një ministër i Drejtësisë dëshiron të jep dorëheqje, e politika nuk e lejon, ky është një alarm.

“Ministri i Drejtësisë dëshiron të dorëhiqet e nuk e lejon politika. Për mua kjo është një indikacion që gjendja është alarmante”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat